Horizonti.al

Edhe vetëm 2 minuta ecje pas ngrënies, e ul nivelin e sheqerit në gjak

Për shekuj me radhë, njerëzit në vendet e rajonit të Mesdheut, që karakterizohen nga ditët e shumta me diell, ngriheshin nga tavolina pas konsumimit të vakteve ushqimore dhe bënin një shëtitje të vogël, shpeshherë në sheshin e qytetit a fshatit për të takuar të njohurit e tyre, dhe për të kaluar disa minuta me ta.

Kjo praktikë është aq shumë e rrënjosur si pjesë e stilit të tyre të jetesës, saqë sot klasifikohet si baza e dietës së shëndetshme mesdhetare. Mund të jetë pikërisht kjo një nga arsyet pse studimet kanë zbuluar se dieta mesdhetare, mund të zvogëlojë rrezikun nga diabeti, kolesteroli i lartë, sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe disa lloje kanceri.

Po ashtu ajo forcon kockat, përmirëson shëndetin e trurit, duke shmangur demencën dhe depresionin, si dhe duke ndihmuar në rënien në peshë. Tani këtyre përfitimeve mund t’i shtojmë një arsye tjetër për të bërë një shëtitje pas ngrënies:mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak.

Kini parasysh që kjo shëtitje nuk është e domosdoshme që t’u marrë shumë kohë. Sipas një studimit më të fundit të publikuar  në revistën “Sport Medicine”, diferencën e bën edhe ecja për vetëm 2-5 minuta. Edhe qëndrimi për pak minuta në këmbë pas ngrënies, mund të ndihmojë gjithashtu, por sigurisht jo aq sa ecja thotë bashkautori i studimit Eidën Bafej nga Departamenti i Edukimit Fizik dhe Shkencave Sportive në Universitetin e Limerik në Irlandë.

“Qëndrimi në këmbë apo shëtitjet e herëpashershme gjatë gjithë ditës dhe sidomos pas ngrënies, e reduktuan mesatarisht me 9.51 për qind nivelin e sheqerit në gjak, krahasuar me qëndrimin ulur për një kohë të gjatë”-thotë Bafej. Studimi analizoi 7 studime të mëparshme që krahasonin ndikimin e qëndrimit ulur, në këmbë, dhe të ecjes me nivelet e insulinës dhe të sheqerit në gjak.

Njerëzit që morën pjesë në studim iu kërkua ose të qëndronin në këmbë, ose të ecnin për 2-5 minuta çdo 20-30 minuta gjatë një dite të plotë. “Tek 7 studimet e rishikuara, koha totale e aktivitetit fizik gjatë vëzhgimit ishte afro 28 minuta”- thekson më tej Bafej.

Qëndrimi në këmbë ishte më mirë sesa ai ulur në karrige apo divan, kur bëhej fjalë për nivelet e sheqerit në gjak, por nuk ndihmonte në uljen e nivelit të insulinës në gjak.

Megjithatë, nëse njerëzit bënin një shëtitje të shkurtër pasi kishin ngrënë, nivelet e sheqerit në gjak rriteshin dhe uleshin më gradualisht, dhe nivelet e tyre të insulinës ishin më të qëndrueshme sesa qëndrimi në këmbë ose ulur.

Frenimi i rritjes së nivelit të sheqernave në gjak, është pozitiv për trupin, pasi ekspertët thonë se nivelet e larta dhe rënia e shpejtë e tyre, mund të rrisin rrezikun për diabetin dhe sëmundjet e zemrës. Studimet kanë treguar se nivelet e sheqerit në gjak rriten brenda 60-90 minutashpas ngrënies, ndaj është më mirë që të nisni të ecni sapo të keni mbaruar së ngrëni. Po si ndihmon lëvizja? Që të funksionojnë muskujt kanë nevojë për glukozë, ndaj lëvizja ndihmon në pastrimin e sheqernave nga qarkullimi i gjakut.

Back to top button