EkonomiTeknologji

EKONOMI / Në garën e fitimeve, askush nuk “kafshon” si Apple

hiCdo gjashtëdhjetë sekonda, Apple fiton 70 mijë dollarë, Samsung arrin në 54 mijë, të ndjekura nga Microsoft dhe Google. Llogaritë e xhepave të të mëdhenjve të Internetit bëhen nga Distilled, kompani marketingu online. Një lumë parash që megjithatë nuk shkon tek Twitter, kompania që cdo minutë humbet afro 1200 dollarë

Cdo gjashtëdhjetë sekonda Apple fiton më shumë se 70 mijë dollarë dhe Twitteri humbet 1200. Shifra pres bixhozi, por në këtë rast bastet pak vlejnë: për të kuptuar se si ecëin kolosët e teknologjisë, mjafton t’u hedhësh një sy bilanceve dhe të armatosesh me makinë llogaritëse.

E ka bërë një gjë të tillë kompania e marketingut online, Distilled, që ka realizuar renditjen e fitimeve të kompanive më të mëdha teknologjike. Mjafton t’i hedhësh një sy listësh për të kuptuar se kush, përtej premtimeve dhe deklaratave, ka gjetur vërtetë një model të mirë biznesi dhe kush vazhdon të zvarritet. Në krye, si për nga shitjet ashtu edhe fitimet, janë rivalët e përjetshëm Apple dhe Samsung. Cupertino ka më pak të hyra, por fiton më shumë: arrin deri në 70 mijë dollarë në minutë nga një total prej 325 mijë, ndërkohë që rivalët koreano jugorë akumulojnë afro 400 mijë dollarë cdo gjashtëdhjetë sekonda, por duke fituar “vetëm” 54 mijë. Të dhëna që u mbyllin gojën atyre që akuzojnë dy kompanitë, për motive të kundërt (Apple që nuk mban ritmet e inovacionit të epokës Jobs, Samsung që nuk di të shfrytëzojë sukseset e shitjeve), se po ngadalësojnë. Të dhënat e tremujorëve tregojnë histori të ndryshme: në tremujorin e dytë të 2013, për herë të parë në 10 vite, kompania e Tim Cook ka rregjistruar një rënie të lehtë.

Rezultate

Në vendin e tretë dhe të katërt të klasifikimit janë dy kompani që rrallëherë vihen ballë për ballë: Microsoft dhe Google. Vëllimet e të hyrave janë të ngjashëm, por Redmont fiton 41 mijë dollarë në minutë, dyfishi i Google. Një rezultat i mirë? Jo për shoqërinë e drejtuar nga Satya Nadella, që synon të rikthehet në majë dhe të sfidojë Apple dhe Samsung që tani janë një shkallë më lart. Por duke parë raportin mes atyre të dyve në majë, Microsoft mund të qëndrojë e qetë: fitimet janë sa një e treta e të hyrave, ndërkohë që për Apple janë pak më shumë se 1/5 dhe për Samsung 1/7.

Edhe Google nuk është e kënaqur me rezultatet: ndryshimi i ritmit ndodhi tre vjet më parë me ardhjen e Larry Page në krye të kompanisë, një zgjedhje e bërë për të provuar e kthyer në frymën e fillimeve, pas dhjetë viteve nën drejtimin e Eric Schmidt. Pastaj është rasti “HP”: sa i përket të hyrave, kompania shumëkombëshe vjen pas Apple me afro 214 mijë dollarë në minutë, por sa i përket fitimeve mezi kap 10 mijë dollarët. Faji i inovacionit të mangët, apo i faktit që në krahasim me rivalët ka horizonte më të ngushtë? Menjëherë më pas vjen eBay, një kompani e lindur dhe rritur online: të hyrat e saj (30 mijë dollarë në minutë) janë shtatë herë më pak se sa HP, por fitimet janë sa gjysma (5 mijë dollarë). E para prodhon laptopë dhe printera, e dyta e ka zemrën e biznesit në një platformë në internet: ja përse një kompani e nisur në 1939 përfundon në krah të një kompanie të lindur në 1995. Edhe Facebook e Sony janë pranë e pranë sa i përket fitimeve, pavarësisht se e dyta ka gjysmë shekulli histori mbi shpatulla. Megjithatë, duke vënë përballë fitimet dhe të ardhurat, nuk ka krahasim të mundshëm: raporti mes dy të dhënave është 1/5 për Facebook dhe 1/65 për Sonyn.

Nyja e Jeffit

Më keq se grupi i drejtuar nga Kazuo Hirai është Amazoni, që fiton 1417 dollarë në minutë: 1/100 e të hyrave, që janë 141 651 dollarë. Eshtë një problem që e ka mbërthyer ngahera Jeff Bezosin: mjafton të rrisë cmimet e produkteve dhe shërbimeve, por për momentin as bëhet fjalë. Plani i Bezosit është të rrisë Amazonin deri sa ta bëjë liderin botëror dhe menjëherë pas kësaj të vërë në lëvizje mekanizmin e fitimeve. Prandaj, edhe pse të dhënat e vendosin në fund të klasifikimit, për analistët mbetet një prej kompanive më premtuese.

I ndryshëm rasti i Yahoo!: fitimet e ulët (dhe kostot e larta) janë edhe pasojë e ribërjes, me blerje dhe platforma që rinovohen nën drejtimin e Marissa Mayer. Për të rilancuar kompaninë në krizë prej vitesh, drejtoresha e përgjithshme ka vendosur të nisë prej aty, por do të duhet pak kohë të shihen efektet e kurës.

Në bisht të klasifikimit janë dy rrjete socialë: LinkedIn me 51 dollarë fitim në minutë dhe që ka ende hapësirë përmirësimi. Ndërsa Twitter, pavarësisht potencialit dhe besimit të tregjeve, është delja e zezë e grupit: është i vetmi kolos i teknologjisë që cdo 60 sekonda nuk fiton as edhe një dollar, madje humbet 1228. Pothuajse po aq sa të hyrat, që shkojnë 1265 dollarë në minutë. Por edhe ky është një rezultat: lindur pa një model biznesi, për vite të tërë kompania me 140 gërma rregjistronte 0 të ardhura.

Leave a Reply

Back to top button