Një epikurian dhe një stoik hyjnë në një lokal. Epikuriani kërkon menynë e verërave dhe porosit shishen më të shtrenjtë.“E pse jo?”- thotë ai.“Jeta ka të bëjë me përjetimin e kënaqësisë.”Ndërkohë stoiku porosit një pije freskuese, dhe e këshillon të parin:“Njerëzit po vdesin nga uria në botë. Ju duhet të mendoni edhe për të tjerët”.
Pyes veten se cili e ka sekretin për të qenë i lumtur në këtë jetë? A do të preferonit ju vetë të jetonit si epikurian apo si një stoik ? Përjetimi i kënaqësive të jetës është sigurisht rruga drejt lumturisë. Por rezulton se të jetosh një jetë të lumtur nuk është dhe aq e thjeshtë. Për të zbuluar se cila nga qasjet funksionon, le të shohim ndryshimet (dhe ngjashmëritë) midis epikurianizmit dhe stoicizmit.
Çfarë është filozofia epikuriane?
Filozofi grek Epikuri (341-270 Para Erës Sonë) e themeloi filozofinë epikuriane rreth vitit 307. Ai e themeloi shkollën e tij në një zonë të mbyllur të njohur si “Kopshti”, që pranonte edhe gra (diçka e padëgjuar në ato kohë).Parimi themelor i epikurinizmit, është se për të pasur një jetë të lumtur, njeriu duhet të kërkojë kënaqësitë modeste.
Synimi është të arrijmë në gjendjen e aponisë (mungesën e dhimbjes fizike) dhe ataraksit (mungesën e shqetësimeve mendore).Vetëm kur jetojmë një jetë pa dhimbje të çfarëdo lloji, ne mund të arrijmë një gjendje qetësie. Dhe mënyra e vetme për të jetuar në këtë lloj qetësie, ishte të kishe një jetë të thjeshtë, me dëshira të thjeshta. Epikuri identifikoi tre lloje dëshirash:
Natyrore dhe të nevojshme:për ngrohtësi, veshje, ushqim dhe ujë.
Natyrore por jo të domosdoshme: ushqim dhe pije të shtrenjta, seks.
Jo të natyrshme dhe jo të nevojshme: pasuri, famë, pushtet politik.
Epikuri thotë se ne duhet të përqendrohemi në përmbushjen e dëshirave natyrore dhe të domosdoshme, dhe të kufizojmë ato që janë më pak natyrore dhe të panevojshme. Në vend se të ndiqen këto dëshira të panatyrshme apo të panevojshme, Epikuri argumentonte se kënaqësitë duheshin fituar nga:Njohuritë, miqësitë, virtytet dhe vetëkontrolli.
Por si mund ta praktikojmë sot epikurinizmin?
Së pari: Jetoni jetën në mënyrë të moderuar. Pra, mos jetoni një jetë luksoze apo shumë ekstravagante. Për të qenë të lumtur, ju nuk keni nevojë të blini smartfonin më të ri që ka dalë në treg apo televizorin smart.
Po kështu, nëse do të darkoni gjithmonë në restorantet më të mira, do të pini verërat më të shtrenjtë, nuk do të mësoni kurrë që ta vlerësoni luksin. Ne duhet që të përjetojmë të zakonshmen, në mënyrë që të na bjerë në sy e jashtëzakonshmja.
Së dyti: Jini të kënaqur me kënaqësitë e thjeshta të jetës. Epikurianët besojnë se të dëshirosh më shumë, është rruga drejt dhimbjes dhe ankthit. Mënyra për të arritur qetësinë është të jetosh “i gëzuar edhe në varfërinë tënde” dhe të kufizosh dëshirat.
Epikurianët besojnë se nëse nuk jeni mirënjohës për atë që keni, do të kërkoni gjithmonë diçka më të mirë. Ndaloni përpjekjet për gjërat që nuk i keni, dhe shijojini ato që keni.
Së treti: Krijoni sa më shumë miqësi. Epikuri i kushtoi shumë rëndësi kultivimit të miqësive. Të pasurit miq besnikë na bën të lumtur. Dhe vetëdija se kemi një rrjet të fortë mbështetjeje përreth nesh është shumë ngushëlluese.
Çfarë është filozofia stoike?
Stoikët besojnë se ka gjëra në këtë botë, të cilat ne mund t’i kontrollojmë dhe gjëra të tjera që janë jashtë kontrollit tonë. Dhe ne e arrijmë lumturinë kur jemi mirënjohës për gjërat që mund të kontrollojmë, dhe ndalojmë së shqetësuari për gjërat që nuk janë në dorën tonë.
Stoicizmi është një filozofi e themeluar në shekullin III Para Krishtit. Në vend se të jepte leksione në një kopsht të fshehur, Stoicizmi filloi të predikonte në tregjet e hapura të Athinës. Stoikët besojnë se mënyra e vetme për të arritur eudimoninë (lumturinë) është të vlerësojmë atë që kemi, dhe jo atë që duam në të ardhmen.
Tek e fundit, ajo që kemi tani, është dëshiruar në një moment në të kaluarën. Sipas Stoikëve, lumturia nuk është ndjekja e kënaqësisë dhe as shmangia e dhimbjes. Zotërimi apo dëshira për pasuri materiale nuk janë një pengesë për një jetë të lumtur. Për Stoikët, lumturia është e mundur nëse kultivojmë:urtësinë, guximin, drejtësinë dhe vetëkontrollin. Ata thonë se të pasurit një jetë të virtytshme, do të sjellë edhe një jetë të lumtur.
Po si të praktikojmë stoicizmin në kohët e sotme?
Së pari: Jini mirënjohës për atë që keni në këtë moment. Stoikët kanë një besim të ngjashëm me Epikurianët në lidhje me dëshirat. Por ata nuk e mbështesnin jetën e tyre tek varfëria. Stoikët nuk janë kundër një personi që dëshiron të ketë më të mirën, apo më shumë gjëra materiale, apo që grumbullon pasuri, për sa kohë që këto gjëra përdoren për mirë në dobi të të tjerëve.
Së dyti: Tregojeni këtë me shembuj personalë. Ne të gjithë priremi të flasim për një kauzë të mirë. Por Stoikët argumentojnë se nuk është mirë vetëm të flasësh, duhet të veprosh. Mos admironi apo mbështesni vetëm njerëzit e mirë, bëhuni vetë një person i mirë. Jetoni një jetë të virtytshme.
Së treti: Ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Stoikët nuk besojnë në shmangien e dhimbjes, ata përkrahin krejtësisht të kundërtën. Kjo ndoshta vjen nga keqkuptimi i fjalës Stoicizëm. Përballë fatkeqësive, Stoikët këshillojnë që ta përdorni këtë të fundit si një përvojë të të mësuarit. Fatkeqësitë janë mundësi, për shkak se janë sfida për t’u kapërcyer. Fatkeqësitë e ndërtojnë karakterin e njeriut, dhe shërbejnë vetëm për të na bërë më të fortë në planin afatgjatë. / Learning Mind – Bota.al