Covid19MAIN

“Është tepër vonë!”: Mjekja amerikane detyrohet të refuzojë pacientët me Covid-19 që i luten t’u bëjë vaksinën

Nga Jackie Salo

“The New York Post”

Pacientë të rinj të pa vaksinuar, po kërkojnë të dëshpëruar të bëjnë vaksinën kundër Covid-19, ndërsa po luftojnë për jetën e tyre në një spital të Alabamas. Por në vend të vaksinës dr.Britnej Kobia duhet që t’u japë një “dozë”të realitetit të hidhur.

“Një nga gjërat e fundit që bëjnë ata para se të intubohen është lutja për t’iu bërë vaksinën. Unë u mbaj dorën dhe u them se më vjen keq, por është tepër vonë”-shkroi në një postim në Facebook të dielën Kobia, që punon në Grandview Medical Center në Birmingham.

Ajo thotë se është e detyruar të refuzojë lutjet e dëshpëruara nga pacientët me koronavirus, që do të vendosen nën një ventilator.“Unë jam duke regjistuar shtrimin në spital të të rinjve të shëndetshëm por që janë prekur me forma të rënda tëCovid-19”-shkroi ajo.

Dëshmia e mjekes ka tërhequr vëmendjen e skeptikëve, të cilët kanë theksuar në internet se numri i vdekjeve në këtë shtet është shumë më i ulët sesa pranverën e vitit të kaluar. Shkrimtari Xhefri A.Taker e përshkroi postimin e Kobias si “thjesht shumë të përsosur në funksion të qëllimit që ajo ka”.

“Ajo tregon një histori që i përshtatet në çdo aspekt një narrative dominuese, por lë jashtë çdo detaj në lidhje me moshën dhe shëndetin e atyre që janë prekur nga forma e rëndë e Covid-19. Dhe e përfundon postimin duke parashikuar “ndëshkimin e afërt” për fëmijët që nuk mbajnë maska ​​në shkollë”- thekson ai.

Ndërsa Alabama ka përqindjen më të ulët të njerëzve të vaksinuar plotësisht në SHBA- vetëm 33.7 për qind e popullsisë së shtetit – mesatarja 7-ditore e vdekjeve nga koronavirusi ishte 8 deri të martën, shumë poshtë pikut të 154 vdekjeve javore që u arrit në fund të janarit.

Kobia u thotë anëtarëve të familjeve të pacientëve me Covid-19 që kanë ndërruar jetë, që të bindin të tjerët të vaksinohen. Shumica e pacientëve të infektuar aktualisht dhe që janë shtruar nëpër spitale nuk janë vaksinuar. Dhe vetëm një pacient që ishte vaksinuar ka nevojë vetëm për pak oksigjen shtesë dhe pritet të shërohet, u shpreh Kobia për AL.com.

Por disa nga pacientët e tjerë që nuk ishin vaksinuar nuk kanë qenë aq me fat, thekson ajo.“Kur u telefonoj për tu dhënë lajmin e trishtë, unë i ngushëlloj familjarët dhe u them se mënyra më e mirë për të nderuar njeriun e tyre të dashur është të shkojnë të vaksinohen dhe të inkurajojnë të gjithë ata që njohin që të bëjnë të njëjtën gjë”- shkroi ajo në Facebook.

“Ata qajnë, dhe më thonë se nuk e dinin. Ata mendonin se ishte një mashtrim. Se ishte një çështje politike. Ata mendonin se meqë kishin një grup të caktuar gjaku apo një ngjyrë të caktuar të lëkurës nuk do të sëmureshin dhe aq shumë. Ata menduan se ishte “thjesht një grip”. Por e kishin gabim. Dhe ata do të dëshironin të ktheheshin pas në kohë. Por ata nuk munden”- shton Kobia.

Ajo rekomandon që cilido që ende nuk është vaksinuar, t’i drejtohet mjekut të tij me

Një pyetje.“Unë përpiqem të jem jo shumë paragjykuese kur trajtoj një pacient në moshë të re e të prekur nga Covid-19 që nuk është i vaksinuar, por gjithsesi fillova t’i pyes ata:Pse nuk e keni bërë vaksinën?”

Dhe shumica e tyre, janë shumë të sinqertë, më përgjigjen:Unë fola me këtë person, pashë këtë gjë në Facebook, mora këtë e-mail, lexova këtë gjënë lajme, këto janë arsyet pse nuk u vaksinova”.

Kobia thotë se ajo ka bërë progres në inkurajimin e njerëzve për t’u vaksinuar.“Dhe pyetja që unë u bëj gjithmonë është:A keni caktuar një takim me mjekun tuaj dhe a e keni pyetur se çfarë mendimi ka ai nëse ju duhet të merrni apo jo vaksinën? Dhe deri më tani, askush nuk i është përgjigjur me po kësaj pyetjeje”-theksoi ajo.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në mbarë SHBA-në, të paktën 99 për qind e vdekjeve nga Covid-19 dhe 97 për qind e shtrimeve në spital janë midis njerëzve që nuk janë vaksinuar. / bota.al

Back to top button