MagazineMAINSport

Euro 2020: Historia e pozicionit jashtë loje, dhe debatet mbi shfuqizimin e këtij rregulli

Nga Adam Powley

“The Conversation”

Në ndeshjen e saj të parë në “Euro 2020”, Franca mundi 1-0 Gjermaninë. Ekipi francez fitoi falë një autogoli të mbrojtësit gjerman Mats Hummels. Por ndeshja mund të kishte përfunduar 3-0, po të mos ishin anuluar dy gola, njëri i shënuar nga Kilian Mbape dhe tjetri nga Karim Benzema.

Në mënyrë të ngjashme, lojtarit anglez Xhordan Henderson iu anulua një gol për pozicion jashtë loje në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Republikës Çeke. Sipas rregullores aktuale, një lojtar konsiderohet në pozicion jashtë loje nëse ka më pak se dy lojtarë mbrojtës midis sulmuesit në vijë të drejtë kur topi luhet përpara.

Golat e sulmuesve francezë u anuluan pikërisht për shkak të shkeljes së këtij rregulli. Ndërsa golat që u shënuan në parim vinin nga një pozicion jashtë loje, në këtë rast mund të thuhet se duke qenë se shkeljet ishin aq të vogla as Benzema dhe as Mbape nuk po fitonin ndonjë avantazh të dukshëm.

Në përgjithësi, loja sulmuese në futboll është e çmuar dhe inkurajohet. Sulmuesit në fjalë mund të kenë qenë teknikisht në shkelje të rregullit, por jo të frymës së tij. Debati në lidhje me atë që konsiderohet më e mirë për lojën, përkundrejt zbatimit të rreptë dhe direkt të rregullave të saj, dhe posaçërisht pozicionit jashtë loje, nuk është thjesht mbi një klauzolë të vogël se si drejtohet loja. Ai prek thelbin e një ndarje filozofike rreth lojës së futbollit, që ka ekzistuar prej dekadash.

Një trashëgimi e lojës së regbisë

Regulli i parë mbi pozicionin jashtë loje u forcua me formimin e Shoqatës së Futbollit në Angli (FA) dhe publikimin e rregullores së saj në vitin 1863. Rregulli ndalonte çdo lojtar sulmues të ishte përpara topit në raport me lojtarët kundërshtarë.

Nevoja për një rregull të tillë, lindi pjesërisht për shkak të fakti se përndryshe futbolli do t’i ngjante shumë regbit, me taktika të ngjashme dhe lojtarët që lejoheshin të përdornin duart për të kontrolluar topin në disa rrethana.

Supozohet se sulmuesit përfitojnë një avantazh të padrejtë duke qenë përpara topit. Pozicioni offside është ende thelbësor edhe në lojën e sotme të regbit, dhe ruajtja e tij si një parim në futboll u mbroj shumë gjatë kohës kur FA po hartonte regulloren e saj në vitin 1863.

Synimi ishte të ndalohej që lojtarët sulmues të zinin pozicione afër portës së kundërshtarëve, dhe thjesht të prisnin që topi të hidhej në drejtim të tyre për të shënuar. Taktikat dominuese të ekipeve të shtresës së lartë angleze të kohës, ishin futja në fushë e deri 8 sulmuesve, që ose driblonin topin ose “përplaseshin me kundërshtarin”, për të përparuar në fushën e blertë.

Por ekipet angleze të shtresës së lartë e shihnin sportin si një provë të forcës individuale, sesa si një përpjekje kolektive teknike. Loja do të fitohej përmes jashtëzakonshmërisë angleze, dhe jo kocepteve socialiste të ndërmarrjes së përbashkët.

Por jo të gjitha ekipet luajtën në këtë mënyrë. Për shembull, disa ekipe të shekullit XIX-që i përkisnin komuniteteve industriale në veri të Anglisë, e mbështetën rregullin e pozicionit jashtë loje. Sidomos në Skoci, pasimi ishte një tipar kryesor i lojës, megjithëse nuk kishte asnjë rregull të pozicionit jashtë loje.

Dallime të tilla kontribuan në evolucionin e rregullit jashtë loje të futbollit. Ndryshimet e para ndodhën në vitin 1866, kur lojtari cilësohej në “pozicion të rregullt” nëse kishte 3 kundërshtarë midis tij dhe topit, ose nëse ai ishte pas topit kur po luhej loja.

Në vitin 1873 rregulli u ndryshua, në mënyrë që një lojtar të konsiderohej në pozicion jashtë loje kur topi hidhej përpara tij, më shumë sesa kur ai e merrte topin. Në vitin 1903 erdhi “ndërhyrja në lojë”, një përkufizim i gjatë dhe shpesh subjektiv i asaj që bën një lojtar duke qenë aktiv gjatë një periudhe loje në të cilën ndodh një pozicion jashtë loje.

Pastaj në vitin 1925, u vendos që mjafton të ishin vetëm 2 lojtarë mbrojtës përpara sulmuesit që ai të ishte offside. Ai ndryshim ndodhi për shkak se skuadrat ishin bërë aq shumë të afta për t’i lënë kundërshtarët në pozicione jashtë loje, sa që ndeshjet shpesh futeshin në një ngërç.

Ndryshimet moderne ndodhën vetëm në vitet 1990, ku duhej që një sulmues të ishte në vijë të drejte me vetëm 1 mbrojtës për të mos qenë në pozicion jashtë loje. Në vitin 2005, u vendos që një lojtar konsiderohet offside vetëm nëse një pjesë e trupit me të cilën lejohet të prekë topin është përtej mbrojtësit të parafundit.

Gjithsesi mbete ende pyetja bazë se pse duhet offside në futboll. Kur ishte drejtor teknik në FIFA gjatë viteve 2016-2018, ish-futbollisti i famshëm holandez Marko van Basten, bëri fushatë për heqjen e tij. Ai vuri në dukje se tifozët donin një futboll më emocionues me sa më pak ndalesa dhe vonesa.

Për të arritur këtë, ai argumentoi se heqja e pozicionit jashtë loje do ta thjeshtojë lojën, dhe do ta bëjë atë më interesante dhe dinamike. Kritikët e Van Basten thonë se ky akt do të çonte në kaos. Por larg prishjes së bukurisë së lojës, ka një konsensus të gjerë se pozicioni jashtë loje e ka forcuar lojën sulmuese duke i bërë ndeshjet më emocionuese dhe më të rrjedhshme.

Ndërkohë janë zhvilluar ndeshje-provë pa rregullin e offside, duke sjellë rezultate të përziera. Ndeshja eksperimentale çoi në një rezultat me shumë gola (9-7), por gjithsesi në tërësi ndeshja nuk ishte shumë ndryshe. Van Basten beson se kjo lojë mund të përshtatet dhe të përmirësohet siç ka bërë sporti i hokejit.

Ky debat adreson polemikat e shkaktuara nga përdorimi vitet e fundit i asistencë me video arbitër të asistuar (VAR), ku sulmuesit janë penalizuar nga aplikimi i pozicioneve jashtë loje edhe me shkelje milimetrike. / bota.al

Back to top button