Philippe Legrain
Shtimi i gjasave që Donald Trump të kthehet në pushtet dhe të bëjë realitet kërcënimet e tij për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga NATO, duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për Evropën. Në vend që të rrinë e shpresojnë për më të mirën, vendet evropiane duhet të rrisin shpenzimet ushtarake dhe të krijojnë një bashkim të fortë mbrojtës
LONDËR – Kthimi i mundshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025 përbën një kërcënim të madh për sigurinë e Evropës. Me luftën në Ukrainë ende të ndezur, vendet evropiane duhet të forcojnë mbrojtjen kundër agresioneve revanshiste të presidentit rus, Vladimir Putin para se të jetë tepër vonë.
Mundësia e kthimit të një Trumpi të papërmbajtur dhe të pakontrolluar, i cili do të vinte në zbatim kërcënimet e tij për të braktisur angazhimin historik të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Evropës, është aq alarmante për shumicën e liderëve evropianë, saqë ata duket se janë në gjendje mohimi. Por pas fitoreve vendimtare në zgjedhjet primare të Iowa-s dhe New Hampshire, tani është pothuajse e sigurt se Trump do të jetë kandidati presidencial i Partisë Republikane në zgjedhjet e nëntorit. Duke pasur parasysh se ai udhëheq ndaj Presidentit Joe Biden në sondazhet kombëtare dhe në shumë shtete-fushëbeteja, rikthimi i tij në pushtet është një rrezik real dhe i pranishëm.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kërcënoi vazhdimisht se do të tërhiqte SHBA nga NATO, aleanca ushtarake që i mundëson SHBA-së të shtrijë ombrellën e vet bërthamore në Evropë. Ai u bind të mos e bënte, nga këshilltarët e tij të lartë të politikës së jashtme, veçanërisht ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Por retorika gjithnjë e më izolacioniste e Trumpit sugjeron që, nëse zgjidhet sërish, ai do të rrethohet me njerëz që i thonë vetëm “po!”, dhe jo me figura me përvojë të establishmentit politik.
Ndërkohë që Trumpi ka nevojë për miratimin e Kongresit për t’u tërhequr nga NATO, ai mund të heqë garancitë amerikane, pa e braktisur zyrtarisht aleancën. Ai thjesht do të duhej të deklaronte se SHBA nuk do të dilte në mbrojtje të vendeve evropiane, në rast të një sulmi. Dhe tani Trump ka thënë pikërisht këtë: jo vetëm që nuk do të mbronte një vend të NATO-s që gjendet nën sulmin rus, por ai do të “inkurajonte” Rusinë “të bënte çfarë dreqin të donte”, nëse do të mendonte se aleati i NATO-s në fjalë, nuk kishte shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtjen.
Në vend që thjesht të shpresojë për një skenar optimist, në të cilin Biden rizgjidhet dhe vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe të vazhdojë të respektojë angazhimet e Amerikës ndaj aleatëve të saj në NATO, Evropa duhet të përgatitet për më të keqen. Idealisht, këto përgatitje duhet të kishin filluar shumë më herët, ose pasi Putini aneksoi Krimenë në 2014 ose pas zgjedhjes së Trump në 2016.
Sikur themelet për një bashkim evropian të mbrojtjes brenda NATO-s, do të ishin hedhur një dekadë më parë, Bashkimi Evropian tani mund të përfitonte nga avantazhet e kërkimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes, si dhe një strategji më efikase e prokurimeve në fushën ushtarake. Të paktën, më shumë qeveri evropiane duhet të kishin ndjekur shembullin e Polonisë dhe Estonisë, dhe të kishin rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes, në dy vitet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ndërkohë që është e pamundur të kthesh orën pas, mos veprimi tani do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë. Si fillim, Evropa duhet të shtojë mbështetjen e vet për përpjekjet e luftës në Ukrainë. Me shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së që refuzon kërkesën e Biden-it për një ndihmë ushtarake shtesë prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, atij vendi në luftë po i mbarojnë armët dhe municionet.
Për fat të mirë, BE-ja më në fund ka miratuar një paketë ndihme katërvjeçare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, të cilën kryeministri pro-Putin i Hungarisë Viktor Orbán e kishte bllokuar në dhjetor.
Evropa gjithashtu duhet të zotohet të mbështesë Ukrainën për një kohë të gjatë, edhe nëse SHBA-të nuk do ta bëjnë më. Nëse Orbán refuzon të vazhdojë, 26 vendet e tjera anëtare duhet ta anashkalojnë dhe t’i ofrojnë Ukrainës burimet që i nevojiten.
Tashmë është fort e qartë se nëse Rusia nuk mposhtet në Ukrainë, Putini do të sulmojë vendet e tjera evropiane. Kremlini po punon për të destabilizuar demokracitë evropiane duke financuar partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë anti-BE, si dhe duke vendosur një legjion robotësh për të përhapur dezinformim në mediat sociale. Ndërkohë, hakerët e mbështetur nga Putini po vënë në shënjestër infrastrukturën kritike si rrjetet elektrike dhe bazat e të dhënave qeveritare, dhe avionët luftarakë rusë po shkelin hapësirat ajrore suedeze dhe estoneze.
Rrjedhimisht, Evropa duhet të rrisë shpenzimet e veta për mbrojtjen. Më e pakta, vendet evropiane duhet të përmbushin objektivin e NATO-s, prej 2% të PBB-së. Në shkurt 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz shpalli një Zeitenwende (pikë kthese) në politikën e jashtme të vendit të tij, duke sinjalizuar një angazhim për riarmatim. Por gati dy vjet më vonë, ai ende nuk e ka zbatuar premtimin e tij për të investuar 100 miliardë euro në modernizimin e forcave të armatosura. Veçanërisht, shpenzimet e mbrojtjes së Gjermanisë parashikohet të kenë arritur vetëm 1.2% të PBB-së në vitin 2023.
Nevojiten gjithashtu më shumë financime nga BE. Thierry Breton, komisioneri i bllokut për tregun e brendshëm, ka propozuar së fundmi krijimin e një fondi mbrojtjeje të BE-së prej 100 miliardë eurosh, për të financuar prokurimin e përbashkët të mbrojtjes dhe për të rritur prodhimin e armëve dhe municioneve. Propozimi i Bretonit – i cili ka të ngjarë të ketë mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron, aleatit të tij të ngushtë – përfaqëson një hap të parë premtues.
Duke pasur parasysh se ekonomia e Evropës është shumë më e madhe se ajo e Rusisë, vendet e BE-së mund të prodhojnë kollaj armë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e mbrojtjes të Ukrainës, dhe të tyre. Por duke qenë se investime të tilla kërkojnë kohë dhe një angazhim të qëndrueshëm nga qeveritë, nuk ka kohë për të humbur.
Sigurisht, Rusia ka një arsenal të madh bërthamor. Nga ana tjetër, vetëm dy vende evropiane kanë armë bërthamore: Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (e cila nuk është më pjesë e BE-së dhe mbështetet shumë në teknologjinë amerikane). Duke pasur parasysh se Putini tashmë ka kërcënuar që do të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë, Evropa duhet të zhvillojë strategjinë e vet të parandalimit bërthamor. Por kjo do të kërkonte një angazhim të besueshëm nga Franca dhe Britania e Madhe, për të përdorur aftësitë e tyre bërthamore për të mbrojtur vende si Estonia dhe Polonia.
Për më tepër, vendet që e gjejnë veten pa mbrojtjen e ombrellës bërthamore të SHBA-së mund të ndjehen të detyruara të blejnë arsenalin e vet bërthamor. Ukraina, pasi ka dorëzuar armët bërthamore që mbetën në tokën e saj pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ka mësuar se garancitë e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të penguar sulmet e mundshme ruse.
Çdo vend me termocentrale bërthamore dhe njohuritë e nevojshme shkencore ka kapacitetin për të zhvilluar armët e veta, relativisht shpejt. Franca, për më tepër, mund të ofrojë të ndajë ekspertizën e vet teknologjike me vendet e tjera evropiane.
Riarmatimi evropian mund të duket drastik, por në lojë është ekzistenca. Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor, mbrojtja duhet të jetë në krye të prioriteteve në mendjet të votuesve. / Project Syndicate – Bota.al