AnalizaMAIN

Evropa nuk ka një udhëheqës për epokën e re të Trumpit

Kthimi i Donald J. Trump në presidencën e SHBA-së mund të sjellë një periudhë të vetmuar dhe të rrezikshme për Evropën, e cila tashmë është e zhytur në stanjacion ekonomik është e tronditur nga lufta në pragun e saj në lindje. Është një moment që liderët evropianë bien dakord se kërkon një udhëheqje të rinovuar dhe të fuqishme, nga dy ekonomitë më të mëdha të kontinentit.

Por Franca dhe Gjermania, të cilat janë gjithashtu vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, kanë vështirësi t’i përgjigjen thirrjes. Ato vetë po bien viktima të të njëjtave forca politike që e ndihmuan Trump të fitonte popullaritet mes konservatorëve dhe votuesve të lëkundur në Shtetet e Bashkuara. Ndër to, reagimi kundër rritjes së shpejtë të çmimeve të konsumit; ankthi dhe zemërimi për rritjen e emigracionit; gërryerja e shpejtë e besimit të publikut tek elitat politike.

Partitë kryesore politike kanë humbur mbështetje. Populistët dhe nacionalistët, duke përfshirë partitë dikur të skajshme në të djathtën ekstreme, janë rritur.

Pas muajsh betejash për taksat, shpenzimet dhe mënyrën më të mirë për të rigjallëruar ekonominë e Gjermanisë, kancelari Olaf Scholz prishi koalicionin e tij qeverisës javën e kaluar, duke shkarkuar ministrin e financave. Vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me sa shihet, do ta rrëzojnë z. Scholz nga pushteti.

Një parti e ekstremit të djathtë dhe një parti e re populiste fituan terren në zgjedhjet e fundit rajonale dhe fitorja e Trumpit, mund të rrisë më tej kredibilitetin e tyre në raport me partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme federale.

Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka përjetuar dobësimin e pushtetit të tij, si pasojë e një vendimi katastrofik për të shpallur zgjedhje të parakohshme këtë vit. Francës iu deshën muaj të tërë për të formuar një qeveri pas atij votimi, i cili e la dhomën e ulët të Parlamentit pothuajse të bllokuar dhe solli një koalicion të lëkundshëm, që mbahet në pushtet kundër të djathtës ekstreme dhe të majtës.

Pasiguria nga Parisi në Berlin ka krijuar një vakum kontinental të pushtetit, që mund të inkurajojë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Kjo rrezikon të pengojë aftësinë e Evropës për t’iu përgjigjur një lufte tregtare globale, nëse Trump lëviz shpejt vitin e ardhshëm për të vendosur taksa të larta mbi importet në Shtetet e Bashkuara.

Ka të ngjarë gjithashtu të ngatërrojë më tej përpjekjet e liderëve evropianë për të krijuar një politikë të përbashkët për të mbrojtur industritë e tyre nga një rritje e importeve kineze me kosto të ulët, duke përfshirë makinat elektrike dhe teknologji të tjera të energjisë së pastër.

Dhe mund të ndërlikojë detyrën tashmë të vështirë politike të rritjes së shpenzimeve evropiane për ushtrinë, për të cilën udhëheqësit dhe analistët bien dakord se do të fitojë urgjencë mes kërcënimeve nga Trump për t’u tërhequr nga NATO, ose për të tërhequr garancitë amerikane të sigurisë për aleatët evropianë.

Ka udhëheqës të tjerë, më të qëndrueshëm, rolet e të cilëve në Evropë mund të forcohen për të përballuar krizën. Por ata kanë ndërlikiproblemetmet e tyre.

Keir Starmer, i cili u zgjodh kryeministër i Britanisë këtë verë, tashmë është goditur nga protestat publike për dhuratat që ai dhe gruaja e tij kanë pranuar – dhe vendi i tij nuk është në Bashkimin Evropian.

Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, është një populiste që mund të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me Trumpin – ose që mund ta gjejë qasjen e saj relativisht centriste ndaj çështjeve ndërkombëtare dhe mbështetjen për Ukrainën në kundërshtim me pozicionet e vetë Trumpit.

Analistët pajtohen se udhëheqësit më të përshtatshëm për të udhëhequr një Evropë më të pavarur dhe muskuloze, duhet të vijnë nga Berlini ose Parisi, pikërisht vendet që tani janë më të trazuara. / Me shkurtime nga New York Times – Bota.al

Back to top button