Psikologji

Fjalët e një nëne për fëmijët: “Ju kam dashur mjaftueshëm, sa për të bërë gjërat që kam bërë për ju”

“Ju kam dashur mjaftueshëm, sa për t’ju kërkuar se ku do të shkonit, me kë dhe në çfarë ore do të ktheheshit në shtëpi. Isha e merakosur për veprimet që mund të bënit, edhe unë kam qenë dikur fëmijë dhe e di se një veprim i nxitur, shpesh është i gabuar.

Ju kam dashur mjaftueshëm sa për t’ju bezdisur, për orë e orë të tëra, që të rregullonit dhomën tuaj. Nëse ka diçka që jeta do t’jua mësojë akoma më shumë se unë, është se rregulli në shtëpi është nder për veten. Mund t’ju rastisin shumë të papritura gjatë ditës, do të ndiheshit mirë nëse do të sillnit miq në shtëpi dhe ta kishit shtëpinë të pasistemuar? Kjo është arsyeja pse ju bërtisja të ishit të rregulltë.

Ju kam dashur mjaftueshëm sa për t’ju lejuar të shihnit përmes syve të mi, edhe vuajtjet e mia. Ju duhet të kuptonit se edhe ne prindërit nuk jemi perfektë, kemi edhe ne gabimet e fajet tona. Mendoja se duke ju mësuar të ishit të sinqertë, edhe në momentet delikate, do të bëheshit persona më të mirë. Nuk jam gabuar.

Ju kam dashur mjaftueshëm edhe për t’ju thënë “Jo” për diçka që e donit shumë, edhe pse e dija se më vonë do të më urrenit me shpirt. Jo gjithmonë fëmijëve duhet t’jua realizosh gjithë dëshirat që kanë. Ka pasur edhe raste kur realisht doja t’ju gëzoja, por nuk kishim mundësi. Por ka pasur edhe raste të tjera kur ju kam thënë “Jo”, për t’ju mësuar me mungesat, pasi kështu do të bëheshit më të fortë dhe në të ardhmen do të punonit më shumë për t’i arritur vetë gjërat që doni.

Këto kanë qenë betejat më të vështira për mua. Por jam e lumtur që i kam fituar, sepse në fund keni fituar edhe ju, duke më bërë krenare që jam nëna juaj. Dhe në një ditë apo një tjetër, kur fëmijët tuaj të jenë mjaftueshëm të rritur sa për të kuptuar logjikën e prindërve, edhe ju do u thoni këto që unë po ju them: “Ju kam dashur mjaftueshëm sa për të bërë gjithë gjërat që kam bërë për ju””.

Back to top button