Një krim i rëndë ka ndodhur në SHBA, në Karolinën e Veriut ku një burrë ka ekzekutuar një familje myslimanësh.
Policia ka identifikuar 3 viktimat të cilat janë 23-vjeçari Shaddy Barakat, gruaja e tij, Yusor Mohammad Abu-Salha, 21 vjeçe dhe motra e saj, Razan Mohammad Abu-Salha, 19 vjeçe.
Krimi ka tronditur lagjen e qetë, ndërsa 3 viktimat ishin qëlluar në shtëpinë e tyre me nga një plumb në kokë. Banorët e lagjes thanë se nuk kishin marrë vesh asgjë derisa arriti policia.
Për ngjarjen makabre është arrestuar një burrë 46-vjeçar, Craig Stephen Hicks, i cili është nën akuzë si i dyshuari kryesor për vrasje të shkallës së parë.
Hicks e përshkruan veten si një ateist në Facebook dhe ka postuar imazhe të rregullta dhe shkrime për dënimin e të gjitha feve. Policia tha se ai u vetdorëzua.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mëngjes policia tha se nga një hetim paraprak mendohet se krimi ishte “i motivuar nga një mosmarrëveshje e vazhdueshme me fqinjët për parkimin“.
Shefi i Policisë, Chris Blue e quajti vrasjen ” të pakuptimtë dhe tragjike” dhe tha se të gjithë janë me mendje dhe zemër tek familjet dhe miqtë e këtyre të rinjve që kanë humbur jetët e tyre.
Zyrtarët thanë se Barakat dhe Yusor Abu-Salha kishin vetëm 2 muaj të martuar. Yusor kishte planifikuar që të fillonte studimet për dentiste në Chapel Hill këtë vjeshtë si bashkëshorti i saj, Shaddy Barakat, i cili studionte po ashtu për dentist dhe kishte punuar me organizata bamirëse për tu dhënë shërbim dentar fëmijëve në Palestinë dhe refugjatëve. Ndërsa motra e saj, Razan studionte arkitekturë./ J.H / TemA /
1 minute read