MAINPersonazhe

Intervista / Ivan Krastev: Nga se po nxitet populizmi, dhe ku dallon nacionalizmi i krizës së emigrantëve nga ai i Covid-19

Ivan Krastev, është një nga mendimtarët kryesorë evropianë mbi demokracinë, dhe autor i libra si “Demokracia e përçarë: Politika e protestës globale”. Një kolumnist i rregullt i gazetës “The New York Times”, Krastev drejton Qendrën për Strategji Liberale në Bullgari.

Në këtë intervistë politologu i njohur flet mbi ato që ai i konsideron si forcat lëvizëse që qëndrojnë pas rritjes së populizmit, nacionalizmit ekstrem, dhe politikës së identitetit në kontinentin evropian.

Ai bën dallimin midis nacionalizmit të shfaqur tani gjatë pandemisë së Covid-19, përkundrejt nacionalizmit që lindi gjatë krizës së refugjatëve në Evropë në vitin 2015. Gjithsesi, ai thotë se Evropa duhet të mësojë, se diversiteti etnik dhe kulturor, është tipari përcaktues i shekullit XXI. Dhe se gjithçka ka të bëjë me mënyrën e përkufizimit të atij që quhet “popull”.

Proteksionizmi, izolacionizmi dhe nativizmi, janë fenomene në rritje në shumë demokraci, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Si duhet të reagojnë më mirë demokracitë ndaj tyre?

Politika e identitetit që po zhvillohet sot në Evropën Lindore, është në shumë aspekte një reagim të vonuar kundër disa dekadave të një politike që e mohonte identitetin, e cila nisi  në vitin 1989. Veçantia e tepruar, është një reagim i natyrshëm ndaj marketimit të tepruar të “pafajësisë” së universalizmit.

Është kjo arsyeja pse populistët kudo, e cilësojnë universalizmin si një lloj veçantie të të pasurve. Padurimi fillestar i vendeve ish-komuniste, për t’ju bashkuar Perëndimit liberal  në vitin 1989, buronte të paktën po aq shumë nga pakënaqësia e nacionalistëve ndaj hegjemonisë 40-vjeçare të Moskës, aq edhe nga një angazhim i thellë ndaj vlerave dhe institucioneve liberale.

Slogani i lëvizjes antikomuniste në Poloni para vitit 1989, ishte “Wolność i niezależność” (Liri dhe pavarësi), dhe kjo e fundit i referohej pavarësisë nga Moska. Në dallim nga Evropa Perëndimore në vitin 1945, në Evropën Lindore të vitit 1989, nacionalistët nuk ishin pala e mposhtur, por pjesë e koalicionit që kishte rrëzuar nga pushteti komunistët.

Pyetja më interesante nuk është pse është rikthyer nacionalizmi, por ku u fsheh ai në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000. Ndjenjat nacionaliste ishin gjithnjë të pranishme në Evropën Lindore pas mbarimit të komunizmit, por nacionalistët e “humbën” gjuhën e tyre.

Në klimën intelektuale të viteve 1990, etno-nacionalizmi u shoqërua me luftërat e përgjakshme në Ish-Jugosllavi, dhe me përpjekjet e ish-drejtuesve komunistë si Slobodan Millosheviç për të ruajtur pushtetin e tyre. Por klima intelektuale nisi të ndryshojë në vitet 1990. Teksa elitat liberale vazhdonin të flisnin me gjuhën e të drejtave universale, homologët e tyre nacionalistë morën përfundimisht nën kontroll simbolet dhe narrativat kombëtare.

Ata u fokusuan tek viktimizimi kombëtar dhe vuajtjet e pamerituara. Ajo që i dallon sot populistët kombëtarë nga të tjerët, është se ata nuk kërkojnë kurrë ndjesë për asgjë që ka bërë kombi i tyre gjatë historisë së tij. Të sillesh si një batakçi, dhe në të njëjtën kohë të pretendosh të drejtën morale për t’u ndjerë si viktimë, kjo është një mendësi tipike e populizmit nacionalist.

A kanë dështuar elitat kudo në botë në qeveri, media, biznes, botën akademike dhe gjetkë që t’i kuptojnë ankthet që kanë njerëzit në demokraci, mbi ndryshimet që po e prishin mënyrën e tyre të të jetuarit? Dhe nëse po, si duhet që t’i adresojnë këto ankthe?

Kriza aktuale e demokracisë në Evropë, është në shumë aspekte një krizë e meritokracisë. Është e qartë se në parim një meritokraci – një sistem kur njerëzit më të talentuar dhe të aftë vendosen në pozicione drejtuese – preferohet më shumë se sa një plutokraci, gerontokraci, aristokraci, dhe ndoshta edhe demokraci (sundimi i shumicës).

Por ajo që ne po shohim sot, është një votë mosbesimi kundër këtij vizioni të shoqërisë. Elitat meritokratike të Evropës nuk urrehen thjesht për shkak të marrëzisë së shkuarjes pas populistëve apo konfuzionit që shkaktojnë tek njerëzve të zakonshëm.

Sociologu britanik Majkëll Jang, që në mesin e shekullit të kaluar shpiku termin “meritokraci”, nuk do të befasohej nga kthesa që kanë marrë sot ngjarjet. Ai ishte i pari që shpjegoi që edhe pse “meritokracia” mund të tingëllojë e mirë për shumicën e njerëzve, një shoqëri meritokratike do të ishte një katastrofë.

Pasi ajo do të krijonte një shoqëri fituesish egoistë dhe arrogantë, dhe humbësish të zemëruar dhe të dëshpëruar. Një shoqëri e tillë, nuk do të ishte e pabarabartë, përkundrazi do ishte një shoqëri ku pabarazia justifikohet në bazë të dallimeve në arritje. Triumfi i meritokracisë, deklaronte Jang, do të çonte në një humbje të komunitetit politik.

Paradoksalisht, janë “kompetencat e kthyeshme” të elitave aktuale, pra fakti që ato janë njësoj të përshtatshme për të drejtuar një bankë në Bullgari apo në Bangladesh, apo të japin mësim në Athinë ose Tokio, që i bën njerëzit kaq dyshues ndaj tyre.

Njerëzit kanë frikë se në raste krizash të rënda, meritokratët do të zgjedhin të largohen nga drejtimi, në vend se të zgjedhin të ndajnë koston e qëndrimit në pushtet. Prandaj është besnikëria e pakushtëzuar ndaj grupeve etnike, fetare ose shoqërore, ajo që gjendet në zemër të joshjes që ka sot populizmi i ri evropian.

Populistët u thonë njerëzve të mos i gjykojnë vetëm për meritat e tyre. Ata premtojnë solidaritet, por jo domosdoshmëri drejtësi. Elitat meritokratike, kanë vizionin e një shoqërie si një shkollë të populluar nga studentët e shkëlqyer, që lufton kundër ngelësve, që enden rrugëve.

Ndërkohë populistët përhapin vizionin e shoqërisë si një familje, ku anëtarët e mbështesin njëri-tjetrin jo thjesht pasi të gjithë e meritojnë atë, por sepse të gjithë ndajnë diçka të përbashkët. Në dallim nga një shekull më parë, udhëheqësit e sotëm nuk janë të interesuar të kombëtarizojnë industritë. Ata premtojnë të kombëtarizojnë elitat e tyre, dhe të rivendosin lidhjen midis elitave dhe njerëzve. Dhe ky premtim, gjen shumë mbështetje sot në Evropë.

Po përse votuesit që zakonisht janë të përkushtuar ndaj demokracisë, mbështesin njëkohësisht liderët që e shkatërrojnë atë? Dhe pse përpjekjet e liberalëve për t’u pozicionuar si mbrojtës të demokracisë, nuk u sjellin atyre fitore në zgjedhje?

Polarizimi politik e ka shndërruar “Republikën e Qytetarëve” në “Republikën e Tifozëve”. Ndërsa për një qytetar liberal, gatishmëria për të vënë në dukje dhe korrigjuar gabimet e partisë që ai mbështet, është shenjë e besnikërisë më të lartë, besnikëria e tifozëve është e zellshme, e pamenduar dhe e paqëndrueshme.

Tifozët e entuziazmuar, me aftësitë kritike të “fikura”, janë jetike për mendësinë e populistëve mbi politikën si një lojë besnikërie: Brohoritjet e tyre, pasqyrojnë ndjenjën e tyre të përkatësisë. Beso-por-verifiko, është zëvendësuar nga adhurimi i verbër.

Ata që nuk pranojnë të duartrokasin janë tradhtarë. Çdo deklaratë merr formën e deklaratës së përkatësisë. Në ”Republikën e Tifozëve”, çdo humbje elektorale është e padrejtë (një komplot i dikujt), dhe çdo kritikë ndaj partisë së vet është një tradhti. Edhe kur janë në qeveri, populistët preferojnë ta shohin veten si një pakicë e persekutuar. Ëndrra e tyre është të shihen si viktima, dhe të lejohen të veprojnë si batakçinj.

Në ç’masë ndjenja e identitetit të humbur kombëtar apo kulturor, po ndikon në ringjalljen e autoritarizmit në Evropën Qendrore? A vjen nga ajo poshtë-lart, apo lart-poshtë?

Bashkimi Evropian ka lindur nga dështimi tragjik dhe i dhunshëm i nacionalizmave evropiane të shekullit XX-të. Kjo është arsyeja pse pro-evropianët kanë një neveri gati instiktive ndaj çdo gjëje që bie erë nacionalizëm. Mbyllja e kufijve për liberalët pro-evropianë, ishte si efekti i bombardimeve pa dallim mbi qytetet gjermane në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Por ne mund t’i keqkuptojmë format e ndryshme të nacionalizmit që shohim këto kohë në Evropë. Për shembull, reagimi nacionalist i shkaktuar nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, është shumë i ndryshëm nga reagimet nacionaliste, dhe mbyllja e kufijve të shkaktuar nga kriza e Covid-19.

Gjatë krizës së refugjatëve, Evropa u nda midis atyre që mbrojnë kufijtë e hapur, dhe nacionalistëve që ëndërronin t’i mbyllnin ato. Ndërsa në rastin e Covid-19, kur ishte fjala për mbylljen e kufijve, nuk pati asnjë ndryshim në reagimet e qeverive liberale dhe atyre nacionaliste.

Mbyllja e kufijve, është mënyra më tradicionale për të luftuar epidemitë. Në këtë kuptim, ndikimi kryesor i krizës së koronavirusit nuk është ngritja e nacionalizmit, por riformatimi i tij. Covid-19 nuk forcoi nacionalizmin etnik, por atë territorial.

Si e vlerësoni ndikimin e fluksit të njerëzve, përtej kufijve në stabilitetin e demokracive perëndimore?

Kombinimi i rënies së popullsisë, pasigurisë ekonomike dhe fluksit masiv të emigrantëve në Evropë nga jashtë dhe midis vendeve evropiane, e ka ndryshuar dramatikisht politikën e shteteve-kombe evropiane. Në shekullin XX-të, homogjeniteti etnik shihej si një mënyrë për të ulur tensionet, për të rritur sigurinë dhe forcuar tendencat demokratike.

Pakicat shiheshin me mosbesim. Jo vetëm nga nacionalistët, por edhe nga komunistët. Rezultati i homogjenizimit etnik pas Luftës së Dytë Botërore, është veçanërisht i dukshëm në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sot polakët etnikë përbëjnë më shumë se 95 për qind të popullsisë.

Por shekulli XXI, po sjell më shumë larmi. Pas emigracionit vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore e shohin veten përballë një sfide intelektuale:Që ta menaxhojnë me sukses këtë dukuri, këto shoqëri duhet ta heqin nga mendja atë që shumë prej tyre e shohin ende si një leksion të madh të shekullit XX-të:që diversiteti etnik dhe kulturor, përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Demokracive iu deshën disa vjet për ta marrë veten nga kriza financiare e vitit 2008. Çfarë ndikimi mund të ketë koronavirusi mbi shoqëritë demokratike dhe tregjet e hapura?

Kur mendoj për botën pas Covid-19, më kujtohet një frazë nga “Novelat e pakuptimta” të Stefën Lilok:”Lord Ronaldi nuk tha asgjë; ai doli nga dhoma, i hipi kalit të tij, dhe nisi të kalërojë si i çmendur në të gjitha drejtimet!”. / “Bush Center” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button