Analiza

INTERVISTA / Rasmussen: Mjaft me shkurtime shpenzimesh. Europa duhet të mbrohet

Statement by NATO Secretary General Anders Fogh Rasmussen following the NATO Russia Council (NRC) meetingIntervistë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Frankfurter Allgemeine Sonntagzeitung

Z. Sekretar i Përgjithshëm, a keni frikë nga Rusia?

Natyrisht, sjellja e Rusisë më shqetëson shumë. Ka ndërhyrë ushtarakisht në Krime, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Dhe është e qartë që synon të destabilizojë Ukrainën lindore. Po kështu, shumë vende lindorë, anëtarë të NATO-s, janë të shqetësuar për sigurinë e tyre.

Sipas jush, çfarë planesh ka Rusia kundrejt Ukrainës?

Në lojë është më shumë se sa Krimea apo Ukraina. Objektivi i tyre është ndërtimi i një sfere influence në ish hapësirën sovjetike. Rusia destabilizon fqinjët, edhe Transnistrinë, Moldavinë, Abkazinë dhe Oshetinë Jugore në Gjeorgji. Kërkon të pengojë finjët që të bashkohen në hapësirën gjeopolitike atlantike, dhe t’i tërheqë drejt një unioni euroaziatik që e udhëheq ajo vetë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet anëtarë kishin dhjetë herë më shumë tanke se sa sot, rusët kanë mijëra më shumë dhe shpenzojnë ende për forcat e armatosura. A duhet reflektuar?

Absolutisht, është arsye shqetësimi. Rusia e ka rritur me 30% buxhetin për mbrojtjen, ndërsa disa vende europianë, anëtarë të NATO-s, e kanë reduktuar deri me 40%. Ngjarjet në Ukrainë duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi. U bëj apel aleatëve europianë: mos vazhdoni të shkurtoni shpenzimet për mbrojtjen, përmbysni tendencën dhe hap pas hapi investoni më shumë para për Mbrojtjen. Nuk mund të ecim përpara siç kemi bërë deri tani.

Mendoni vërtetë që është e mundur kjo përmbysje e tendencës?

Nuk është çështja vetëm sa të shpenzohet, por edhe si. Megjithatë, politikanët në të gjithë Europën duhet të rimendojnë prioritetet në buxhetet e tyre. Pas asaj që pamë në Ukrainë, sigurisht që mbrojtja territoriale do të ketë një rol më të madh.

Dhe dera e NATO-s mbetet e hapur për fqinjët e Rusisë?

Dera e NATO-s mbetet e hapur për demokracitë europiane që duan të hyjnë dhe që duan të forcojnë sigurinë euroatlantike, duke zbatuar parimet tanë.

Sipas jush, Moska dëshiron të pushtojë Ukrainën lindore, të kontrollojë burimet natyrorë dhe industritë ushtarake, apo të krijojë një korridor me Transnistrinë?

Të gjitha këto hipoteza na shqetësojnë. Ukraina është dobësuar shumë. Nëse Rusia do të bëjë hapa të tjerë dhe do të ndërhyjë më në thellësi, ky do të jetë një gabim historik i saj. I cili do të kishte pasoja të rënda për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit: sanksione të fortë do ta godasin rëndë ekonominë ruse.

Domethënë sanksione. Përjashtohet reagimi ushtarak?

Ne nuk flasim për opsione ushtarakë. Askush nuk dëshiron as ta imagjinojë një konflikt ushtarak mes Rusisë dhe Perëndimit. Eshtë më e rëndësishme që përmes sanksioneve efikasë të rrisim çmimin e sjelljes ruse, aq sa për ta bërë të papërballueshme nga ata vetë.

Moska di që NATO nuk do reagojë ushtarakisht, a nuk është ky një avantazh për rusët?

Dallimi është nëse një shtet është anëtar i NATO-s ose jo. Kemi marrë masa konkrete për të forcuar sigurinë e të gjithë shteteve anëtarë: patrullime avionësh gjuajtës, radarë në Poloni dhe Rumani, prani të përforcuar ushtarake në balltik dhe Detin e Zi. Janë përgjigje ushtarake këto.

Por Varshava kërkon më shumë, të paktën dy brigada tankesh. Eshtë e drejtë, apo jo?

Nuk dua të hyj në detaje, por besoj se duhet ta bëjmë NATO-n më të dukshme në të gjithë territorin e saj.

Përgjithmonë?

Varet nga situata. Nuk do të hezitojmë të bëjmë më shumë nëse është e nevojshme për sigurinë tonë të përbashkët.

Me fluturimet e bombarduesve në qiejt e NATO-s, Moska kërkon të testojë Aleancën?

Rusët nuk kanë nevojë të testojnë vendosmërinë tonë. Nuk duhet të kenë asnjë dyshim që ne e konsiderojmë një sulm ndaj një vendi të NATO-s, si sulm ndaj të gjithëve.

Po nëse do të hynin në Estoni, besoni vërtetë që ata 16 gjuajtës dhe kompania që është instaluar aktualisht, do të mjaftojnë?

Mos e nënvlerësoni aftësinë tonë për të mbrojtur vendet anëtarë! Në atë rast hipotetik do të marrim të gjithë masat e nevojshme për të mbrojtur Estoninë.

Në vitin 1997, NATO dhe Rusia u angazhuan, e para për të mos vendosur trupa të përhershëm në Europën lindore dhe e dyta për të zvogëluar numrin e forcave ushtarake tradicionale. A vlen ende ky angazhim reciprok?

Rusia i ka shkelur në mënyrë flagrante. Dhe kemi thënë gjithmonë që në rast kërcënimi do të forcojmë trupat tona.

NATO dhe Rusia shpallen si jo më armike? A është ende e vërtetë kjo?

Në 2010-ën vendosëm madje një partneritet strategjik. Por për momentin Rusia po sillet më shumë si një kundërshtar, se sa si një partner. Eshtë një pikë kthese. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore një vend europian ka pushtuar territorin e një fqinji, me dhunë. Mendonim se ishin episode që i përkisnin të kaluarës. Duhet të reagojmë.

Leave a Reply

Back to top button