Teknologji

Ja përse Gmail dhe të tjerët nuk janë me të vërtetë falas

gmailJa përse Gmail dhe të tjerët nuk janë me të vërtetë falas: Shërbimi i postës elektronike online i Google, Gmail, që të martën mbush 10 vjec, mund të mos marrë pagesa për llogaritë që hapen. Por kompania po vazhdon të mbledhë pagesa në formën e sasive të mëdha të informacionit personal të njerëzve që e përdorin. Me afro 500 milionë e më shumë përdorues, Gmail po dominon botën e postës elektronike. Gjithashtu, shpesh është gjendur në telashe për sa i përket privatësisë. Gmail përballet me disa padi në SHBA dhe Europë, ku disa e akuzojnë kompaninë për përgjime të paligjshëm apo skanim të përmbajtjes së emaileve.

Google raportoi 16.86 miliardë dollarë të ardhura për tremujorin e fundit të 2013. Një mënyrë si bën para përmes Gmailit është të skanojë dhe indeksojë mesazhet si dhe të përdorë të dhënat për t’u shfaqur përdoruesve reklama relevante. “Ideja bazë e Gmailit është që, ne të ofrojmë një shërbim poste elektronike shumë të mirë dhe të plotë, dhe në këmbim duam të shfaqim reklamat tona dhe ne i skanojmë emailet e tu për të përcaktuar se cilat reklama kanë më shumë lidhje me tipin tënd”, thotë Eric Goldman, profesor në Universitetin e Santa Claras.

Gmail kërkon fjalë kyce që identifikojnë temat e diskutimit bazuar në gjëra të tilla si shpeshtësia dhe konteksti, dhe më pas paraqet reklama sipas këtyre. Për shembull, një bashkëbisedim në email për një takim në orën e ushtrimeve fizike, mund të nxjerrë një reklamë për produkte për humbjen e peshës.

Të dhënat që mblidhen përmes skanimit të emaileve mund të përdoren edhe për të krijuar profile përdoruesish për t’i targetuar në të ardhmen.

Ajo që shumë konsumatorë nuk mendojnë është që kompani si Google mund të krijojnë një profil tërësor të secilit përdorues, bazuar në informacionin nga produkte të ndryshëm, si kërkimi, hartat, emailet, si dhe Google+, që është rrjeti i tij social. “Asgjë në këtë jetë nuk është falas, dhe si rezultat është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë vlerën që ata sjellin në një shërbim falas të cfarëdolloji”, thotë Behnam Dayanim, partner në kompaninë ligjore Paul Hastings LLP në Uashington.

Kur njerëzit dërgojnë dhe marrin mesazhe duke përdorur një shërbim emailesh falas, ata ndajnë të dhëna për interesat e tyre, cilët janë lidhjet e tyre dhe si i kanë financat. Mund të duket informacion i rëndomtë në sipërfaqe, por kur nxirret nga një organizatë, është shumë i vlefshëm për marketingun.

Të gjithë ofruesit kryesorë, përfshirë Microsoft Outlook dhe Yahoo përfitojnë në një mënyrë apo një tjetër nga ofrimi i një shërbimi falas.

Leave a Reply

Back to top button