Magazine

Ja si feminizmi po përmirëson romancën mes çifteve

screen-shot-2016-12-06-at-09-15-00

Nga Viren Swami

Marrëdhëniet heteroseksuale romantike, kanë qenë historikisht të dominuara nga burrat që u vinin vërdallë dhe “mbanin” gratë. Dhe kjo është një traditë e fuqishme. Shumë prej ideve qe kemi mbi romancën, janë ende të bazuara tek burrat në rolin e inisiatorëve e drejtuesve, dhe grave në rolin e pritëseve dhe kujdestareve. Megjithatë, shoqëria po ndryshon. Femrat janë duke depërtuar gjithnjë e më shumë në “fushat e meshkujve”, në postet e larta drejtuese dhe lirinë seksuale.

Pra, si ndikon e gjitha kjo tek romanca? Duke pasur parasysh që (keq)kuptimet e njohura popullore mbi feminizmin, kanë prirjen të demonizojnë feministet si gra që urrejnë burrat apo edhe si lezbike, është e lehtë të konstatohet pse shumë njerëz e shohin barazinë gjinore, si të papajtueshme me romancën, dhe një pengesë të madhe për marrëdhënien romantike. Por a është vërtetë kështu? Le t’u hedhim një sy fakteve.

Tradicionalisht, rruga kryesore e grave për rritjen e statusit social dhe ndikimit në shoqëri, përfshin tërheqjen e partnerëve romantikë të një statusi të lartë. Por ndërsa lëvizja për barazi gjinore ka ndryshuar gjërat, pikëpamjet tradicionale kulturore rreth romancës kanë zvogëluar rolet sociale të grave dhe ende vazhdojnë ta bëjnë këtë. Për shembull, kur vajzat adoleshente përshkruajnë përvojën e tyre të parë seksuale, ato shpesh i referohen asaj thjesht si diçka që “ka ndodhur me to”, ndërsa djemtë nuk e kanë këtë kufizim.

Ky çekuilibër pushteti ndodh edhe tek të rriturit, me burrat që kanë më shumë gjasa për të filluar dhe çuar një marrëdhënie drejt një raporti seksual se sa gratë. Megjithatë, studiuesit kanë vënë re gjithashtu se pikëpamjet tradicionale heteroseksuale të romancës, janë duke u bërë më të barabarta me kalimin e kohës. Të nxitura nga lëvizja për barazi, gratë gjithnjë e me shumë janë duke adoptuar një rol aktiv në inicimin e romancës, si dhe duke shfaqur më shumë sjellje dominuese seksuale. Pra për to, rezultati përfundimtar është i qartë.

Pikëpamjet tradicionale kulturore të romancës, pengojnë aftësinë e grave për të shprehur veten, pasi kjo kërkon heqjen dorë nga kontrolli dhe detyrat. Ne e dimë se kjo çon në pakënaqësi me seksin dhe marrëdhënien në çift. Nga ana tjetër, një përgjegjësi dhe barazi më e madhe në një marrëdhënie lidhet me një komunikim më të mirë, përmirëson kënaqësinë e një marrëdhënie dhe shoqërohet me një jetë më të mirë seksuale. Një studim ka zbuluar se gratë në marrëdhënie me burrat feministë raportonin një raport të shëndetshëm – si në aspektin e cilësisë ashtu edhe stabilitetit afatgjatë – se sa ato në marrëdhënie me meshkujt jo-feministë.

Më në përgjithësi, konformimi me idetë tradicionale romantike mund të kufizojë gatishmërinë e grave dhe aftësinë për të kërkuar barazi. Një tjetër studim, ka zbuluar se gratë që i shoqërizojnë partnerët e tyre romantike me kalorësit dhe të qenit “mbrojtës” – si në idealin e një Princi Sharmant- qenë më pak të interesuara në ndjekjen e arsimit të lartë dhe vendeve të punës të një statusi social të lartë.

A janë duke vuajtur burrat?

Shumë njerëz duket se besojnë që barazia gjinore do të shkaktojë probleme të mëdha në marrëdhëniet në çift. Por a është ky rasti? Një mënyrë për t’iu qasur kësaj çështje, është të shohim se çfarë ndodh kur çiftet qëndrojnë larg roleve tradicionale të familjes, me burrat

që marrin më shumë përgjegjësi në shtëpi. Studimet e çifteve që jetojnë bashkë, tregojnë

se barazia më e madhe në fitimin e të ardhurave dhe ndarjen e punëve të shtëpisë, është e

lidhur me stabilitetin më të madh në marrëdhënie, dhe pasjen e raporteve më të shpeshta seksuale.

Në fakt, kur burrat marrin një rol më të madh në punët e shtëpisë, kryerjen e pazarit dhe kujdesin ndaj fëmijëve, duket se rezultojnë norma më të ulëta të divorcit. Po kështu, kur baballarët marrin lejen e atësisë dhe kontribuojnë më shumë në shtëpi, ka një stabilitet më të madh martesor. Më gjerësisht, një studim ka dëshmuar se burrat që thanë se ishin në marrëdhënie me femrat feministe, raportuan stabilitet më të madh dhe kënaqësi në marrëdhëniet seksuale.

Autorët e këtij studimi, mbërritën në përfundimin se larg nga ndërprerja e marrëdhënieve heteroseksuale, barazia më e madhe gjinore në një marrëdhënie qe e shëndetshme – si për gratë ashtu edhe për burrat. Studime të tjera kanë sugjeruar gjithashtu, se burrat që i largoheshin pikëpamjeve kulturore tradicionale të romancës, kanë prirjen të kenë një marrëdhënie më të kënaqshme e të përkushtuar në çift.

Për më tepër, ekziston edhe anë e errët e marrëdhënieve tradicionale. Roli dominues i burrave në një marrëdhënie, është problematik për shoqërinë e gjerë, pasi mund t’i çojë burrat drejt kulturës së dhunës. Hulumtime të ndryshme, tregojnë vazhdimisht se gratë që përkrahin më fuqishëm rolet tradicionale gjinore, duke përfshirë edhe ato në marrëdhënie, kanë më shumë gjasa të raportojnë një histori sjelljesh seksuale detyruese, të fajësojnë viktimat e përdhunimeve, dhe të jenë më të hapur ndaj dhunës nga ana e partnerit.

Zbatimi i barazisë

Por, pse barazia do të na bëjë të lumtur? Një arsye mund të jetë se pajtimi me pikëpamjet tradicionale kulturore të romancës, vendos një barrë të rëndë mbi burrat, ashtu siç bën edhe

me gratë. Detyrimi për t’u “sjellë” pikëpamjes tradicionale, kufizon shprehjen e individualitetit dhe sjelljeve – duke e bërë tek e fundit të vështirë qër dy njerëz të zhvillojnë intimitetin e

vërtetë.

Në fakt, njerëzit janë gjithnjë duke u shprehur gjithnjë e më të frustruar në marrëdhëniet që i detyrojnë ata të ndjekim pikëpamjen tradicionale të mashkullit si nismëtar, pikërisht për këtë arsye. Kjo vlen edhe në dhomën e gjumit, ku ajo mund të zvogëlojë spontanitetin dhe shoqërohet me një kënaqësi më të ulët seksuale.

Në fakt, kur është fjala për seksin, ekzistojnë prova se si gratë edhe burrat përjetojnë kënaqësi më të madhe seksuale, kur gruaja nuk ndjehet se duhet të jetë e nënshtruar (përve rastit kur kjo është një preferencë personale). Një tjetër arsye pse barazia më e madhe gjinore mund të çojë në një marrëdhënie më të qëndrueshme, është për shkak se ajo promovon modelet më pozitive të komunikimit.

Barazia gjinore lehtëson një ndarje të përgjegjësive për zgjidhjen e konflikteve (në krahasim

me vendosjen e kësaj barre kryesisht tek gratë), dhe mund të çojë në stile më shprehëse të komunikimit, nga të cilat përfiton raporti në çift. Pra, kjo do të thotë se burrat duhet të ndalojnë fillimin marrëdhënive romantike, apo që gratë duhet të fillojnë të marrin vetë përgjegjesitë kryesore?

Në një përiudhë afatshkurtër, konformimi me pikëpamjet kulturore mund të lehtësojë ndërveprimin, për sa kohë që të dy partnerët ndodhen në të njëjtën barkë. Por në një periudhë më afatgjatë, përjetësimi i pabarazive gjinore në marrëdhëniet tona romantike, do të sjellë me gjasë më shumë dëme sesa dobi. Barazia gjinore në marrëdhëniet në çift, nuk do të thotë se e kemi humbur romancën. Më së paku, ajo paraqet bazën për një marrëdhënie më të kënaqshme dhe të shëndetshme.

Shënim: Viren Swami është profesor i Psikologjisë Sociale në “Anglia Ruskin University”

“The Conversation”

Leave a Reply

Back to top button