Bota

Si e spiunonin Shtetet e Bashkuara Berlusconin

Nga kabllogramat e Uikiliks, përgjimet e NSA-së në Pallatin Chigi në vitin 2011, përpara rënies së qeverisë

Screen Shot 2016-02-24 at 10.22.34

Qeveria e Shteteve të Bashkuara spiunonte qeverinë e udhëhequr nga Silvio Berluskoni, pikërisht në ditët dhe javët që i paraprinë rënies së ekzekutivit në vitin 2011.

Kjo prapaskenë ka dalë në dritë prej disa kabllogrameve të nxjerrë nga organizata e Julian Assange. Përgjimet e nxjerrë nga Uikiliks tek “L’Espresso” hedhin edhe më shumë dritë, mbi një histori e cila ka ende shumë anë të errëta. Ja informacionet e mbledhur nga SHBA, në ato ditë të nxehta për politikën italiane.

“Një takim i zhvilluar në 22 tetor, mes kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Nicolas Sarkozy dhe Kryeministrit italian, Silvio Berlusconi u përshkrua në ditët që pasuan si i tensionuar dhe shumë i ashpër kundrejt qeverisë së Romës, nga ana e këshilltarit personal për marrëdhëniet ndërkombëtare i Kryeministrit italian, Valentino Valentini. Merkeli dhe Sarkozy, që me sa duket nuk toleronin justifikimet për situatën e vështirë të Italisë, i kanë bërë presion kryeministrit, që ai të shpallë masa të forta dhe konkrete dhe që t’i vërë në zbatim, me qëllim që të demonstrojë se qeveria e tij është serioze për problemin e borxhit”, lexohet në një prej raporteve amerikane të botuar nga Uikiliks.

Kabllogramët zbulojnë në fakt se si, jo vetëm qeveria gjermane dhe ajo japoneze kishin përfunduar në shënjestrën e SHBA. Disa prej kabllogramëve përmbajnë biseda të detajuara mes Silvio Berlusconit dhe kryeministra të tjerë europianë të asaj kohe: “Sarkozy i ka thënë Berlusconit që, ndërkohë që pohimet e këtij të fundit mbi soliditetin e sistemit bankar italian, teorikisht mund të ishin të vërteta, institucionet financiare italiane shumë shpejt “mund të hidhen në erë” si tapa e një shisheje shampanje, dhe që “fjalët nuk mjaftojnë më” dhe se Berlusconi “tani duhet të marrë vendime”.

Jo vetëm kaq: në 24 tetor, Valentini ka treguar se presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, i ka bërë thirrje Italisë që të miratojë masa, me qëllimin për të hedhur poshtë përshtypjen e krijuar brenda BE-së, se Italia është e goditur prej një borxhi të madh, në momentin kur po lufton edhe me një produktivitet të ulët dhe ekonomia e saj po shfaq pak dinamizëm”.

Jo vetëm Europa. Ka edhe raporte mes Izraelit dhe Italisë në përgjimet e NSA-së: “Duke folur me kryeministrin italian, Silvio Berlusconi – lexohet në përgjimet e zbardhura – kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu ka këmbëngulur se shkëndija që ndezi mosmarrëveshjen (vendimi i Izraelit për të ndërtuar 1600 shtëpi në territoret e Jeruzalemit lindor) ishte tërësisht në linjë me politikën kombëtare, që nga kohët e administratës së Golda Meir, dhe ia ka vënë fajin menaxhimit të keq të këtij rasti nga një funksionar i qeverisë, i cili nuk ka shumë ndjeshmëri politike. Objektivi tani – ka thënë Netanyahu – është që të shmanget që palestinezët ta përdorin këtë rast si një justifikim për të bllokuar rinisjen e bisedimeve apo për të parashtruar pretendime jorealiste që mund të fundosin një herë e mirë bisedimet e paqes. Duke vazhduar, ai ka pohuar se tensioni është rritur vetëm prej mungesës së një kontakti të drejtpërdrejtë mes tij dhe presidentit të SHBA. Në përgjigje të tij, Berlusconi ka premtuar që Italia do të jetë në dispozicion të Izraelit, për të ndihmuar dhe rikthyer në normalitet marrëdhëniet e tij me Uashingtonin”.

Pra, qeveria italiane ishte e kontrolluar nga ajo e SHBA në mënyrë konstante. Një tjetër copëz e një historie, asaj të vitit 2011, e cila është ende për t’u shkruar./Il Giornale – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button