Ekonomi

Joseph Stiglitz: Macroni? Eshtë shansi i fundit për Euron. Mund të ndryshojë strategjinë e Berlinit

Që nga dita e sotme, nëse do të jetë president i Republikës së Francës, Emmanuel Macron do të jetë mishërimi i asaj që Joseph Stiglitz e quan “thirrja e fundit”. Në një intervistë për numrin e djeshëm të të përditshmes italiane, “Corriere della Sera”, ekonomisti amerikan fitues i Çmimit Nobel thotë se Macroni është mbase shpresa e fundit për të shpëtuar Euron.

Por, nga ana tjetër, nëse Macroni nuk do të arrijë të detyrojë Gjermaninë që të pranojë një ekuilibër të ndryshëm, atëherë pesha e papunësisë në Francë, Itali dhe gjetkë në Europën jugore, do të forcojë në zgjedhje ata që duan të zhbëjnë monedhën e përbashkët.

I pyetur nëse Macroni do të përqëndrohet shumë në marrëdhëniet me Gjermaninë, Stiglitz përgjigjet se kjo është e domosdoshme. Sipas tij, “ka nevojë për ndërhyrje në strukturën e Euros, por për këtë nevojitet të bindet Berlini”. Por, sipas ekonomistit, “problemi është se vendet e monedhës së përbashkët nuk janë të ndryshëm vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe filozofikisht. Sepse, Gjermania, për shembull nuk ka të njëjtën ide, se çfarë përbën ekonomi të suksesshme, si Franca apo Italia. Dhe natyrisht, Macroni duhet të bëjë të pamundurën që të bindë Gjermaninë, përndryshe ajo do të përballet me një shembje të euros”.

Por, a nuk do të ndiheshin të shantazhuar gjermanët? Stiglitz e ka përgjigjen në majë të gjuhës: “Nëse i lë prapa masat e njerëzve në një shoqëri demokratike, nëse u shkarkon atyre gjithë peshën e çekuilibrave të Eurozonës, njerëzit do të thonë: mjaft më, nuk funksionon. Nuk është shantazh, janë realitete politike në një shoqëri demokratike. Dhe Gjermania duhet ta dijë. Kështu erdhi në pushtet edhe Hitleri”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button