AnalizaMAIN

Kryeministri, terroristët, galaktika shiite: protagonistët e luftës në Izrael

Izraeli është sërish në luftë me organizatën terroriste palestineze Hamas. Megjithatë, ata nuk janë dy aktorët e vetëm në lojë dhe që kanë interesa në këtë konflikt. Nga përtej kufirit me Libanin, Hezbollahu kërcënon shtetin hebre dhe Irani shtrin hijen e tij mbi vendet në kufi me Mesdheun, në një përpjekje për të ushtruar ndikim gjithnjë e më të madh.

Benjamin Netanyahu: Kryeministër i Izraelit

Kryeministri izraelit ka kaluar nëpër një cursus honorum të vërtetë. I lindur në vitin 1949 në Tel Aviv, ai iu bashkua ushtrisë izraelite në vitin ’67, duke shërbyer si drejtues ekipi në njësinë e forcave speciale Sayeret Matkal. Me njësinë e tij, ai mori pjesë në shumë misione dhe luftoi në vijën e frontit në Luftën e 1967-1970 dhe Luftën e Yom Kipur (1973). Karriera e tij politike filloi pas daljes në pension dhe një periudhe studimi në Shtetet e Bashkuara, midis Harvardit dhe MIT. Në vitin 1988 ai u emërua Përfaqësues i Përhershëm i Izraelit në OKB, një post të cilin e mbajti deri në ngjitjen në krye të partisë Likud në vitin 1993. Në vitin 1996, Netanyahu u bë kryeministri më i ri në historinë e vendit.

“Bibi” drejtoi gjashtë qeveri. E fundit, e formuar në dhjetor 2022, lindi nga një koalicion me partitë e ekstremit të djathtë. Ai kaloi emergjencën e Covid dhe nënshkroi “Marrëveshjet e Abrahamit” të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë mandatit të tij në detyrë, ai urdhëroi disa sulme në Rripin e Gazës, duke përfshirë Operacionin Protective Edge në vitin 2014. Hapi i vetëm që ai bëri drejt pajtimit me palestinezët ishte nënshkrimi i Marrëveshjeve të lumit Wye me Yasser Arafatin, në 1998.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit: forca për të zmbrapsur Hamasin

FMI, e njohur edhe si Tsahal, është forca e armatosur e shtetit të Izraelit. E themeluar në vitin 1948 për të mbrojtur integritetin territorial të kombit të porsalindur hebre, ushtria e sotme e Tel Avivit ka bashkuar milicitë paraushtarake që kishin luftuar në luftën e pavarësisë, si Palmach, Haganah dhe Lehi. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha konfliktet që kanë përfshirë shtetin e Izraelit që nga themelimi i tij.

Tre degët e saj (trupat tokësore, marinsat dhe forcat ajrore) janë në varësi të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili i raporton drejtpërdrejt ministrit të mbrojtjes. Forcat përbëhen kryesisht nga rekrutët, numri i të cilëve mund të trefishohet shpejt falë mobilizimit të rezervistëve. Për më tepër, FMI ishte ndër ushtritë e para në botë që rekrutoi edhe gra. Sot konsiderohet si një nga më të mirat në botë, si për cilësinë e stërvitjes së ushtarëve, ashtu edhe për teknologjinë e avancuar që disponon.

Itamar Ben-Gvir: nacionalisti që ndez sheshet

Një figurë udhëheqëse e së djathtës ekstreme izraelite, Itamar Ben-Giv është ministri aktual i Sigurisë Kombëtare në Tel-Aviv. Avokati 47-vjeçar ka qenë kreu i partisë Hebraike Fuqia që nga viti 2019 dhe ka një të kaluar në grupin Kach, një organizatë që konsiderohet gjithashtu terroriste në shtetin hebre. Kolon nga Kiryat Arba, një nga vendbanimet më radikale të Bregut Perëndimor, është dënuar disa herë për racizëm, shkatërrim të pronës dhe nxitje të urrejtjes.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi karrierën e tij politike. Ndër propozimet e tij që ka shkaktuar bujë më të madhe është ai i dëbimit të qytetarëve palestinezë, “të pabesë” ndaj Izraelit. Kjo është një ide e cila sipas një sondazhi është mirëpritur nga një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve të tij. Në vitin 2023, në mes të protestave dhe përplasjeve brenda ekzekutivit për reformën e diskutueshme në drejtësi të kërkuar nga Netanyahu, ai u bë një mbështetje thelbësore për të shmangur rënien e qeverisë. Në këmbim, ai fitoi mundësinë e krijimit të një garde kombëtare në varësinë e tij.

Ismail Haniyeh: udhëheqësi i Hamasit

Ndër anëtarët më të rinj themelues të Hamasit në vitin 1988, lideri aktual politik i grupit terrorist u formua nën hijen e Sheikh Ahmed Yassin, udhëheqës shpirtëror i lëvizjes, sekretar i së cilës u bë në vitin 1997. I rritur në kampin e refugjatëve Al Shati, Ismail Haniyeh përfundoi disa herë në burgjet izraelite për pjesëmarrjen e tij në intifadën e parë dhe aksione të tjera të organizatës. Protagonist i përçarjes mes Hamasit dhe partisë Fatah, ai drejtoi qeverinë e parë autonome të Rripit të Gazës.

Në vitin 2007, Abu Mazen ia besoi detyrën e formimit të një ekzekutivi të unitetit kombëtar, pa sukses. Nëntë vjet më vonë, në vitin 2016, ai u kthye në krye të organizatës, duke pasuar Khaled Meshaal si kreun e departamentit politik të Hamasit. Ai u zhvendos në Doha, ku banon edhe sot. Para sulmit të së shtunës, ai u shfaq për herë të fundit në vitin 2020, për të denoncuar marrëveshjen e paqes të firmosur midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Hezbollahu dhe Irani: galaktika shiite rrotull Izraelit

Teherani është armiku i betuar i Izraelit. Që nga Revolucioni Islamik, ajatollahët e kanë quajtur Holokaustin një “mit” dhe janë zotuar të fshijnë shtetin hebre “nga faqja e planetit”. Për Iranin, kombi në brigjet e Mesdheut është një garnizon i vërtetë amerikan në Lindjen e Mesme dhe një kërcënim për pretendimet e tij për hegjemoninë në rajon, si dhe një pushtues i paligjshëm i Jeruzalemit. Për këtë arsye, ai ka kanalizuar burime të konsiderueshme për financimin e grupeve shiite, në radhë të parë të lëvizjes Hezbollah, për të mbajtur një prani të fortë në kufijtë e Izraelit dhe për ta nënshtruar atë ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm.

Tel Avivi sigurisht nuk ka mbetur pasiv: agjentët e Mossad-it arritën të vrisnin pesë shkencëtarë të rëndësishëm të programit bërthamor iranian dhe të goditnin me sulme kibernetike shumë vende strategjike. Operacioni i Hamasit, pra, përshtatet në këtë “lojë” të hegjemonisë. Teherani nuk është historikisht i afërt me lëvizjen palestineze, por e ka ndihmuar atë. Prandaj, kjo luftë mund të jetë një prelud për një agresion më të madh iranian në jug të Libanit, i nxitur gjithashtu nga mundësia që Tel Avivi dhe Riadi të mund të arrijnë, pas shtytjes së Shteteve të Bashkuara, një normalizim të marrëdhënieve diplomatike. / il giornale – bota.al

Back to top button