Analiza

Kujdes me analogjitë historike

analogjiteJanë të pashmangshme, por janë dhe burim gabimesh. Për shembull, ka nga ata që heqin paralele mes kohëve të sotme dhe Luftës së Ftohtë. Ose me 1914-ën. A është e mundur?

Angelo Panebianco

Paradoksi i qenësishëm i përdorimit të analogjive historike është që një përdorim i tillë është i pashmangshëm, dhe në të njëjtën kohë, shkak për gabime të rëndë. Përballë një situate të re, kemi gjithmonë problemin e orientimit, të të kuptuarit se cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekim.

Atëherë gërmojmë në kujtesën tonë, vendosim përballë situatën e sotme me të tjera të eksperimentuara më parë, në kërkim të ndonjë ngjashmërie cfarëdo. Pasi e pikasim ngjashmërinë, pasi përcaktojmë se me cfarë gjëje në të kaluarën tonë, ngjan më shumë e tashmja, rregullohemi si pasojë e kësaj: mendojmë që, nëse një sjellje e caktuar ka funksionuar atëherë, me siguri do të funksionojë edhe tani. Kështu ecim përpara me zgjedhjet në jetën tonë të përditshme. Dhe e bëjmë gjithashtu, këtë herë kolektivisht, në prani të ngjarjeve të mëdha publike që na duhet të ndeshim. Por kërkimi i analogjive historike, sadoqë i pashmangshëm, është gjithashtu shpesh herë burim i gabimeve të rëndë në vlerësim dhe sjellje. Sepse situata përballë të cilës gjendemi është gjithësesi e ndryshme nga ato të të kaluarës, madje edhe se ato që duken si më të ngjashme. Dhe që nga momenti kur analogjia që kemi vendosur mes të djeshmes dhe të sotmes është e brishtë dhe gjithmonë jo e përsosur (ndonjëherë krejt e gabuar), është e mundur që, duke përshtatur sot të njëjtën sjellje që ka pasur sukses në të kaluarën, të bëjmë një gabim.

Të mendojmë pak për mënyrën se si po rendim drejt analogjive historike për t’u orientuar përballë ngjarjeve ndërkombëtare bashkëkohore. Cështja ukrainase dhe imperializmi i ri rus kanë shtyrë shumëkënd që të flasë për “një rikthim në luftën e ftohtë”, domethënë duke bërë një krahasim me periudhën 1945-1989. Në të njëjtën kohë, njëqind vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, po përhapen shpjegimet për të tashmen që propozojnë analogji me vitin 1914.

Sipas këtij interpretimi të fundit, një tërësi rrethanash të pafavorshme e bën të tashmen shumë të ngjashme me momentet që i paraprinë shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Lufta e Ftohtë, apo 1914-a? Sic e sheh cdokush, bëhet fjalë për dy situata krejt të ndryshme mes tyre. Fakti që kujtohen njëkohësisht duhet të na bëjë të reflektojmë për limitet e analogjive historike. Për më tepër, pengojnë pikasjen e dallimeve. Por, dallimet duhet të kenë të paktën të njëjtën rëndësi si ngjashmëritë, për të na ndihmuar në zgjedhjen e rrugës më të mirë për të ndjekur.

Leave a Reply

Back to top button