Infographics

Manipulimi i tekstit, fotove dhe videove

Llojet e keqinformimit dhe dezinformimit (2)

Përmbajtja e manipuluar, veçanërisht në kontekstin e mediave digjitale: ndryshimi i informacionit ose imazheve të vërteta me qëllimin për të mashtruar ose hedhur hi syve shikuesve, lexuesve ose dëgjuesve. Manipulohet teksti, fotografitë, videot dhe regjistrimet audio.

Qëllimi? Ndikimi në opinione, përhapja e dezinformatave, krijimi i rrëfimeve të rreme. Sofistikimi i këtyre manipulimeve varion: nga modifikimet e thjeshta deri tek teknologjitë komplekse të të ashtuquajturit “deep fake”.


Manipulimi i fotografive (Photoshop)

Pamjet digjitale përpunohen ose ndryshohen duke përdorur programe kompjuterike, për ta paraqitur të vërtetën në mënyrë të gabuar. Mund të jenë ndryshime të thjeshta, si ndryshimi i sfondit në një fotografi, deri tek modifikime më të mëdha, si vendosja apo heqia e objekteve ose njerëzve.

Shembull

Gjatë fushatës së 2004 qarkulloi një fotografi e kandidatit John Kerry me aktoren dhe aktivisten, Jane Fonda. Kjo e fundit njihet për qëndrimet e forta anti Vietnam. Fotografia u manipulua për ta nxjerrë Kerryn keq, tek veteranët e luftës. Ishin marrë dy foto të ndryshme, në vende dhe kohë të ndryshme, ishin bërë bashkë me qëllim ndikimin mbi opinionin publik.


Manipulimi i videove

Videot mund të ndryshohen dhe manipulohen për të treguar ngjarje që në fakt nuk kanë ndodhur kurrë, për të nxjerrë deklarata jashtë kontekstit, apo për të krijuar skenarë tërësisht të fabrikuar, duke përdorur mjete të përparuara të përpunimit të videove.

Shembull

Në vitin 2019, një video e kryetares së Kongresit të SHBA, Nancy Pelosi, u manipulua lehtësisht për ta bërë sikur ajo ishte duke i zvarritur fjalët, që të dukej sikur ishte e dehur. Video ishte ngadalësuar dhe më pas i ishte përshtatur toni i zërit, për t’u dukur sa më realiste, gjë që çoi në përhapjen e gjerë të saj si dhe shpërndarjen e keqinformimit për gjendjen e kryetares.


Deepfakes

Janë manipulime shumë të sofistikuara të videove dhe audiove, që përdorin inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e të mësuarit të kompjuterëve, për të krijuar përm,bajtje të pavërteta, por që duken si shumë realiste. Deepfakes-et mund të shfaqin individë duke thënë apo bërë gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë, gjë që ka ngirtur shqetësime të mëdha për pasojat mbi keqinformimin dhe privatësinë.

Në vitin 2018, Buzzfeed dhe Jordan Peele krijuan një deepfake të ish presidentit të SHBA, Barack Obama. Në video u përdor zëri i Peele për ta shfaqur Obamën duke thënë gjëra që ai nuk i kish thënë kurrë në fakt. Video u krijua si një shpallje publike për të demonstruar rreziqet e teknologjisë deepfake, dhe si mund të përdoret për të përhapur keqinformimin.


Dezinformimi përmes tekstit

Ndryshimi i citateve, nxjerrja e deklaratave nga konteksti, apo fabrikimi tërësor i lajmeve apo informacionit për të çuar lexuesit në përfundime të gabuara. Kjo përfshin edhe krijimin e postimeve të rreme në mediat sociale, apo mesazhe që duket sikur vijnë prej burimeve të besueshme.

Shembull

Komploti i “Pizzagate”

Në vitin 2016, interneti u mbush me lajme të rreme që pretendonin se një piceri në Uashington ishte në qendër të një rrethi trafikantësh të fëmijëve, dhe që supozohej se drejtohej nga Hillary Clintondhe kreu i fushatës së saj. Kjo histori e pabazë, e cila u përhap në internet me shpejtësi marramendëse, bëri që një person të qëllonte me pushkë brenda një restoranti, në një përpjekje për të investiguar vetë gjithë këto pretendime. Një tregues i pasojave të rrezikshme të lajmeve të fabrikuara.


Manipulimi i zërit

Modifikimi i rregjistrimeve audiofonike për të ndryshuar atë që është thënë ose për të krijuar fjalë në zërin e një personi, të cilët nuk kanë ndodhur asnjëherë realisht. Kjo mund të bëhet duke përdorur programe të sofistikuara që mund të imitojnë zërat me saktësi të madhe.

Shembull

Në vitin 2022, një rregjistrim audiofonik deepfake që u tha se i përkiste presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky qarkulloi në mediat sociale, ku u bëhej thirrje ukrainasve që të dorëzoheshin përballë forcave pushtuese ruse. Mesazhi i rremë u zbulua dhe zbërthye me shpejtësi nga qeveria ukrainase, por ai tregoi përdorimin e mundshëm të mesazheve audiofonike të manipuluara në konfliktet gjeopolitike.

Sot, pasojat e përmbajtjes së manipuluar mund të jenë të rënda. Ato prekin jo vetëm reputacionin e individëve, por edhe opinionin publik, proceset demokratike dhe madjee dhe sigurinë kombëtare. Zbulimi dhe lufta ndaj saj kërkon një kombinim të zgjidhjeve teknologjike, edukimit mediatik dhe mendimit kritik nga ana e konsumatorëve. (TruthHub)

Back to top button