Analiza

NJE VIT ME VONE / Ku është MH370? 5 teori, por asnjë shenjë

Ben Brumfield

Michael Martinez

Screen Shot 2015-03-08 at 10.42.40

“Natën e mirë Malaysian tre-shtatë-zero”. Ishte një shkëputje rutinë, si për të thënë se gjithçka shkon mirë. Në 8 mars 2014, në orën 1.19 të mëngjesit, dikush foli fjalët e fundit nga Malaysia Airlines 370, drejtuar kontrollorëve të trafikut ajror, përpara se Boeingu 777 të zhdukej. Një vit më vonë, ata që bëjnë kërkimet nuk kanë asnjë tregues se ku shkoi avioni, bashkë me 239 personat në bord. Raportet e radarëve dhe satelitëve kanë ofruar shenja, por kërkuesit nuk kanë asgjë në duar për të treguar. Nuk janë parë mbetje të avionit të shfaqen mbi det, apo të kenë dalë në breg. Nuk është gjetur trupi i tij në shtratin e detit.

Ekspertët kanë thënë se të dhënat tregojnë që kursi i fluturimit nga Kuala Lumpuri, Malajzi, drejt Pekinit ndërroi papritur, duke e dërguar avionin civil drejt jugut të Oqeanit Indian. Por thellësitë e mëdha dhe të ndërlikuara të ujërave nuk kanë zbuluar sekrete. Dhe

ndërkohë që nuk ka më qartësi, analistët kanë bërë shumë spekulime për atë që ka ndodhur.
Ideja më e debatueshme: A është e gabuar hapësira detare ku po kërkohet? A mos avioni ka zbritur në tokë në mënyrë të fshehtë? Më poshtë po rendisim disa prej teorive të ekspertëve në lidhje me atë që i ndodhi MH370-ës. Qysh kur këto teori kanë dalë, hetuesit kanë hedhur dyshime për disa prej detajeve.

TEORIA E VETEVRASJES SE PILOTIT
Kush i tha në radio ato fjalë të fundit drejtuar kontrollit të trafikut ajror? Kapiteni Zaharie Ahmad Shah? Oficeri i parë Abdul Hamid? Ka patur shumë spekulime në lidhje me këtë, por inspektorët malajzianë në prill thanë se ishte Zaharie. Pilotët duhej të komunikonin dhe një herë me kontrollorët e rinj të trafikut ajror në Vietnam, por nuk e bënë asnjëherë. Një teori është që njëri prej pilotëve mund të ketë eleminuar tjetrin, më pas ka pilotuar avionin drejt fundit të tij, duke marrë me vete edhe pasagjerët në një vetëvrasje dramatike. Mark Veiss, një kapiten i American Airlines tashmë në pension, ka fluturuar avioni të tipit Boeing 777. Menjëherë pas humbjes së avionit ai besoi se mund të kish patur një përleshje. “Ndoshta njëri prej pilotëve ka patur një krizë nervore apo i bëri diçka të keqe avionit”, tha ai. Por drejtori ekzekutiv i Malaysia

Airlines, Ahmad Jauhari Yahya i ka mbrojtur me forcë punonjësit e tij, sidomos pilotin: “Ne nuk kemi dyshim tek askush nga ekuipazhi ynë deri kur të kemi prpova… Kapiteni Zaharie është një njeri shumë i zoti”, tha ai. “Nuk kemi arsye të dyshojmë tek ai”.

TEORIA E MYSAFIRIT NE KABINEN E PILOTIT
Veiss mendonte gjithashtu se mund të ketë patur një tjetër person – një pjesëtar ekuipazhi apo dikush tjetër – në kabinën e pilotit i cili “ndoshta ka qenë nisur për të kryer vetëvrasje apo t’i shkaktojë ndonjë dëm avionit”. Bashkëpiloti Hamid, 27 vjec, thuhet se një herë kishte ftuar një grua dhe mikun e saj në kabinën e pilotit, gjatë një fluturimi nga Tailanda në Malajzi, në vitin 2011. “Kjo është një shkelje e rëndë e sigurisë”, thotë Veiss. Por hetuesit kanë gjetur shumë të meta në këtë teori, duke thënë se nuk ka patur tregues për një palë të tretë në kabinën e pilotit.
TEORIA E RREMBIMIT
Dallimi mes rrëmbimit dhe marrjes së kontrollit të një avioni është me shumë nuanca. Termi i parë përdoret kur pengmarësi bën një kërkesë si për shembull të lejohet të shkojë në një vend të sigurtë apo për të marrë para me qëllim që të lirojë pasagjerët. Kur njerëzit marrin kontrollin e një avioni, ata mund t’i mbajnë arsyet të fshehta, thotë analisti Peter Bergen.

Ata mund të duan që ta pilotojnë vetë në drejtim të një objektivi, si ndodhi për shembull në 11 shtator 2011. Në vitin 1994, një punonjës i FedEx hyri me forcë në kabinën e pilotit të Fluturimit të FedEx 705, me një çekiç dhe një bajonetë. Ai donte që ta rrëzonte avionin në zyrat qendrorë të kompanisë në Memphis. Ekuipazhi arriti ta neutralizojë. “Versioni i marrjes së kontrollit përshtatet me faktet që ne i dimë”, thotë Bergen. Ekspertët janë të ndarë në lidhje me këtë teori, pjesërisht sepse asnjë terrorist nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë në një moment kur do të kishin vëmendjen e të gjithë botës – veç nëse terroristë të mundshëm ishin në pritje të diçkaje.

TEORIA E KAZAKISTANIT
MH370 shkoi në Kazakistan. Një lidhje e çuditshme, apo një investigim prej gjeniu? Teoria që aktorë rusë në bordin e MH370 gjetën një mënyrë për të fluturuar avionin përtej zonës kufitare të Kinës dhe Indisë, dhe drejt e në një pistë ajrore në Kazakistan, të ofruar prej rusëve, ka ardhur prej gazetarit shkencor dhe pilotit Jeff Vise. Flota të tëra anijesh dhe avionësh po kërkojnë në drejtimin e gabuar, thotë ai. Avioni shkoi në veri, jo në jug. Hetuesit mund të kenë keqinterpretuar një komponent shumë të rëndësishëm në të dhënat e satelitit Inmarsat.

“Ky nuk është një investigim normal. Duhet të hedhin tutje librat”, thotë Vise.
Një tjeër analist i aviacionit, David Soucie, ka hedhur gjithashtu dyshime mbi teorinë që avioni goditi Oqeanin Indian. “Nëse do të ishte rrëzuar në atë mënyrë që ne mendojmë se ndodhi, pra që i ka mbaruar karburanti dhe ka goditur ujin, duke u bërë copë-copë, atëherë diku do të kishim gjetur copa të tij”, thotë ai. Por Michael Exner, një inxhinier me disa dekada eksperienca në komunikimet satelitorë thotë se të dhënat tregojnë në mënyrë krejt të qartë dhe të saktë se MH370 u rrëzua pranë të ashtuquajturit Harku i 7-të, një rrugë përgjatë të cilës është përqëndruar kërkimi. “Strategjia aktuale e kërkimit mbetet më e mira”, thotë ai.

TEORIA E DEFEKTIT MEKANIK
Në një shpjegim më pak ogurzi, por njësoj vdekjeprurës, disa ekspertë kanë hedhur teorinë se avioni u rrëzua në mënyrë misterioze diku, për shkak të një defekti mekanik. Ndoshta ishte defekt në elektronikën e avionit, apo ka shpërthyer një zjarr, duke i penguar pilotët që të komunikojnë. Ndoshta ata u kthyen të gjejnë një pistë, por nuk mundën ta orientojnë avionin ashtu si duhej.

Pilotët kanë patur vështirësi në pranimin e kësaj ideje. “Që kur ndodhi kam menduar në mënyrë të përsëritur për këtë ngajrje”, thotë Jim Tilmon, një ekspert i aviacionit dhe pilot në pension i American Airlines. “Një mundësi do të ishte një defekt total elektrik, që është shumë, shumë e vështirë të imagjinohet sepse avioni ka kaq shumë gjeneratorë të vendosour në vende të ndryshëm”, thotë Tilmon. Nëse njëri ka defekte, ka gjithmonë të tjerë rezervë. Ai thotë se një gjë të tillë nuk ka dëgjuar asnjëherë të ketë ndodhur më parë. /CNN/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button