EkonomiMAIN

Pesë mitet mbi kriptomonedhat

Bitcoin, kriptomonedha e parë në botë, u hodh në tregun elektronik në vitin 2009. Sot, ekzistojnë mijëra kriptomonedha me një vlerë totale rreth 2 trilionë dollarë. Rritja e çmimeve të tyre në fillim të këtij viti,krijoi dhjetëra mijëra milionerë kriptomonedhash, të paktën në letër. Por ato mund të rezultojnë të jetë një flluskë e madhe spekulative, që në fund mund të dëmtojnë shumë investitorë naivë. Në fakt, shumë kriptomonedha ja zhvlerësuar ndjeshëm kohët e fundit. Por, cilido qoftë fati i tyre përfundimtar, risitë e zgjuara teknologjike që i mbështesin këto lloj monedhash, do ta transformojnë natyrën e parave dhe financave.

Miti Nr.1: Një kriptomonedhë është para e vërtetë, e cila mund të përdoret për të bërë pagesa të ndryshme

Kriptomonedha si Bitcoin dhe Ethereum, u krijuan si një mënyrë për të kryer pagesa pa u mbështetur në mënyrat tradicionale të tilla si llogaritë bankare,kartat e debitit, kartat e kreditit apo çeqet. Bitcoin, që e nisi revolucionin e kriptomonedhës, parashikon një sistem pagese elektronike që lejon “çdo dy palë të gatshme,të bëjnë transaksione direkt nga njëra-tjetra pa pasur nevojë për një palë të tretë të besuar”, duke i spostuar qeveritë dhe bankat nga cikli financiar.

Në fakt, kryerja e një transaksioni të tillë është bërë shumë e shtrenjtë dhe e ngadaltë. Duhen rreth 10 minuta që të vërtetohet një transaksion në Bitcoin, dhe tarifa mesatare për vetëm një transaksion kohët e fundit ishte rreth 20 dollarë. Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe, i përpunon transaksionet pak më shpejt, por ndërkohë ka tarifa më të larta.

Për më tepër, luhatjet e mëdha në vlerat e shumicës së kriptomonedhave i bëjnë ato jo të besueshme si mjet pagese. Kohët e fundit, Elon Musk njoftoi se Tesla nuk do të pranonte më Bitcoin si një formë pagese.

Miti nr.2: Kriptomonedhat janë një investim i mirë

Investimet në Bitcoin dhe kriptomonedha të tjera janë shumë të përhapur për momentin. Madje në lojë po futen edhe bankat më të mëdha në botë si “Goldman Sachs” dhe “Morgan Stanley”. Edhe ju me siguri do të kishit fituar jo pak nëse do të kishit blerë ndonjë prej kriptomonedhave kryesore vitin e kaluar.

Por kujdes. Ashtu si me arin, furnizimi i shumicës së kriptomodhave kontrollohet shumë nga programet kompjuterike që i menaxhojnë ato. Për shembull, deri tani janë krijuar rreth 18.5 milionë Bitcoin, dhe përfundimisht do të ketë një maksimum prej 21 milionë Bitcoin. Ky është një kufi i vendosur nga programi kompjuterik që menaxhon kriptomonedhën.

Sidoqoftë, mungesa në vetvete nuk është e mjaftueshme për të krijuar vlerë, pasi duhet të ketë kërkesë. Meqë kriptomonedhat nuk mund të përdoren lehtësisht për të bërë shumicën e pagesave dhe nuk kanë përdorime të tjera të brendshme, e vetmja arsye pse ato kanë vlerë është sepse shumë njerëz duket se mendojnë se ato janë investime të mira. Nëse kjo do të ndryshonte, vlera e tyre mund të binte shpejt në zero.

Miti nr.3: Bitcoin po humb rëndësinë, e ardhmja janë“monedhat meme”

Bitcoin cilësohet tani si “gjyshi” i kriptomonedhave, dhe investitorët (ose më saktë spekulatorët), po fokusohen tek kriptomonedha të tjera të tilla si Dogecoin. Dogecoin dhe kriptomonedha të tjera të ngjshme, që janë ndërtuar thjesht rreth memeve (Dogecoin, me maskotën e saj të qenit Shiba Inu, përdorin memen “doge”), dhe nuk e fshehin që janë të përdorshme në transaksionet financiare.

Nuk ka ndonjë kufizim të qartë mbi sasinë e këtyre monedhave, ndaj çmimet e tyre rriten ose bien pas ngjarjeve të rastësishme, si për shembull një postim në Twitter nga Elon Musk. Vlera e monedhave-meme duket se bazohen tërësisht tek teoria e “budallait më të madh”, ku gjithçka që duhet të bësh për të përfituar nga investimi yt, është të gjesh një budalla edhe më të madh, që është i gatshëm të paguajë një çmim më të lartë sesa ke paguar ti vetë për monedhat dixhitale.

Miti nr.4: Kriptomonedha do të zërë rolin që ka sot dollari amerikan

Shefi i strategjive globale në bankën “Morgan Stanley” Ruchir Sharma, mendon se Bitcoin mund t’i japë fund mbretërimit të dollarit. Por kriptomonedha nuk mbështetet mbi asgjë tjetër përveçse besimit të njerëzve që i zotërojnë ato. Ndërkohë, dollari mbështetet nga qeveria amerikane. Investitorët i besojnë ende dollarit, madje edhe në kohë të vështira. Kriptomonedhat e reja të quajtura stablecoins, synojnë të kenë vlera të qëndrueshme, prandaj e bëjnë më të lehtë kryerjen e pagesave dixhitale. Facebook ka në plan të emetojë kriptomonedhën e vet Diem, me një kurs në raportin 1:1 me dollarin amerikan, duke i dhënë asaj një vlerë të qëndrueshme. Por vlera e monedhave të qëndrueshme vjen pikërisht nga mbështetja e tyre nga monedhat e lëshuara nga qeveria. Pra, ndërsa dollarët mund të bëhen më pak i rëndësishëm në kryerjen e pagesave, përparësia e dollarit amerikan si një depozitë me vlerë nuk do të sfidohet dot nga këto kriptomonedha.

Miti nr.5: Kriptomonedhat janë thjesht një modë, e cila herët a vonë do të kalojë

 

Uorren Bafet i ka krahasuar kriptomonedhat me maninë pas tulipanëve holandezë të shekullit XVII-të, ndërsa Guvernatori i Bankës së Anglisë Endrju Bejli ka paralajmëruar:“Blijini ato vetëm nëse jeni gati të humbisni të gjitha paratë tuaja!” Ekonomisti Nuriel Rubini e ka etiketuan Bitcoin si “nënën ose babain e të gjitha mashtrimeve.”

Kriptomonedhat mund të jenë vërtetë mjete investimi spekulative, por ato po shkaktojnë ndryshimet transformuese në para dhe financa. Ndërsa teknologjia po zhvillohet më tej, monedhat e qëndrueshme do të përshpejtojnë zgjerimin e pagesave dixhitale, duke sjellë një ditë fundin e kartmonedhave klasike.

Mundësia e konkurrencës nga monedha të tilla private, i ka nxitur bankat qendrore në të gjithë botën që të hartojnë versionet dixhitale të monedhave të tyre. Bahamasi ka emetuar tashmë një monedhë dixhitale të bankës qendrore, ndërsa vende si Kina, Japonia dhe Suedia po kryejnë eksperimente me paratë e tyre zyrtare dixhitale.

Kartmonedhat në portofolin tuaj, mund të bëhen shpejti relike. Edhe transaksione si blerja e një makine apo shtëpie, mund të kryhen shumë shpejt përmes programeve kompjuterike, dhe të ekzekutohen në platformat e kriptomonmedhave. Qeveritë do të jenë ende të nevojshme për të zbatuar detyrimet kontraktuale dhe të drejtat e pronës, por softueri një ditë mund të zërë vendin e ndërmjetësve të tjerë, përfshirë bankierët, llogaritarët dhe avokatët. / “Brookings Institute” – Bota.al

Back to top button