Horizonti.al

Pse moti i acartë, nuk do të thotë që ngrohja globale nuk po ndodh

Nga Sarah Gibbens

Një i ftohtë rekord ka prekur një pjesë të mirë të SHBA-së. Vendi është përfshirë nga një vorbull polare që ka dërguar erëra të acarta nga Arktiku në të gjithë kontinentin amerikan. Në një kohë kur ndryshimet klimatike diskutohen në kontekstin e niveleve rekord, thatësirat, dhe zjarret, moti i ftohtë dhe stuhitë e dëborës mund të duken si jashtë skemës. Për ata që mohojnë ndryshimet klimatike, kjo është një mundësi për të minuar konsensusin shkencor.

Si shpjegohet një dimër kaq i ftohtë, në një botë që shkencëtarët thonë se po bëhet më e nxehtë?

Së pari, është e rëndësishme të kuptojmë dallimin midis klimës dhe motit. Klima është e përcaktuar si modeli mesatar i motit në një rajon, për një periudhë të gjatë kohore.

Është dallimi midis zonave me klimë të butë dhe mesdhetare të Evropës kundrejt kushteve të ftohta të thundrës së Arktikut. Secila prej këtyre zonave klimatike, përjeton luhatjet e përditshme të temperaturave, reshjeve, presionit të ajrit. Dhe ndryshimet e përditshme njihen si moti.

Si ngrohja mund të çojë në periudha të ftohti të madh

Kur termi “ngrohje globale” u bë popullor disa dekada më parë, ai i referohej fenomenit të gazrave serrë, që shkaktonin ngrohjen e atmosferës, dhe bashkë me të ngrohjen e temperaturës mesatare të planetit. Megjithëse rekordi i temperaturave të larta në shumë vende, ka qenë një pasojë e këtij ndryshimi të zgjatur në kohë, shkencëtarët tani po e kuptojnë se një atmosferë e ndryshuar nga nivelet në rritje të gazrave si karboni dhe metani, shkakton më shumë ndryshime klimatike sesa vetëm ngrohja.

Shkencëtarët besojnë se Toka do të përjetojë kushte me ekstreme të motit, teksa efektet e ndryshimit të klimës janë gjithnjë e më të fortë. Në përgjigje të takimit të presidentit amerikan Donald Trump më 20 janar rreth valës së të ftohtit që ka përfshirë SHBA-në, fizikani i Universitetit të Potsdamit, Stefan Rahmstorf vuri në dukje në Tëitter, se ndërsa Amerika e Veriut po ngrin nga ajri i ftohtë i ardhur nga Arktiku, pjesa tjetër e botës ishte jashtëzakonisht e nxehtë.

Dhe, vorbulla polare që sjell ajrin e ftohtë në SHBA, mund të bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, vuri në dukje Rahmstorf. Ndërsa më shumë ajër nga Arktiku, zbret në rajonet jugore, Amerika e Veriut mund të presë të përjetojë dimra akoma më të ashpër.

Ky ishte përfundimi i një studimi të botuar në vitin 2017 në revistën “Nature Geoscience”. Ajo gjeti një lidhje midis temperaturave të ngrohta në Arktik dhe dimrave të ftohtë të Amerikës së Veriut. Një studim i veçantë i botuar në mars të vitit të kaluar në revistën “Nature Communications” zbuloi të njëjtën lidhje, por parashikoi se pjesa verilindore e SHBA-se do të ishte veçanërisht e goditur rëndë. “Temperaturat e ngrohta në Arktik, bëjne që rrymat detare t’i marrin me vete këto erëra të acarta dhe ti lëvizin drejt jugut, kjo bën që ajri i ftohtë të arrijë edhe më poshtë në jug.

Këto rryma ajri, kanë tendencë të qëndrojnë diku për një fare kohe, kështu që moti që ne kemi në Shtetet e Bashkuara Lindore, qoftë i ftohtë apo i ngrohtë, priret të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë”- tha autorja e studimit Xhenifer Frensis në një deklaratë për mediat.

Një e ardhme me mot ekstrem

Temperarurat rekord të të ftohtit dhe stuhitë e mëdha të dëborës, nuk janë modelet e vetme ekstreme të motit që priten. Erërat e lartësive të mëdha, dhe me drejtim lindje-perëndim, krijohen nga dallimi midis ajrit të ftohtë të Arktikut dhe ajrit të ngrohtë tropikal.

Ndërsa ajri në Arktik ngrohet, ato rryma ngadalësohen dhe pengojnë qarkulliin e modeleve normale të motit. Dhe përmbytjet që kemi parë së fundmi apo edhe thatësirat bëhen më të vazhdueshme në kohë.

Një studim i botuar në “Science Advances” tetorin e kaluar, parashikoi se ngjarjet ekstreme, të rrezikshme të motit mund të rriteshin me deri 50 për qind deri në 2100. Por ne nuk duhet të presim deri më 2100, për të parë se si ndryshimi i klimës po çon në një mot vdekjeprurës. Shkencëtarët tashmë kanë zbuluar se ndryshimet klimatike, kanë kontribuar në zjarret vdekjeprurëse të Kalifornisë, dhe uragane të fuqishme dhe shkatërruese.

“National Geographic” – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button