Televizioni shtetëror rus sot ka transmetuar pamje të presidentit, Vladimir Putin, në një takim për të cilin thuhet se është mbajtur sot.
Ka pasur spekulime se zoti Putin është i sëmurë, pasi për disa ditë nuk ishte parë publikisht.
Më herët, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se gjendja shëndetësore e Putinit është “perfekte”. Kjo deklaratë paraqet refuzimin më të fuqishëm të thashethemeve se presidenti i Rusië mund të jetë i sëmurë.
Këto spekulime u aktualizuan pasi Putini, 62 vjeçar, nuk është parë në publik prej 5 marsit.
“Nuk ekziston absolutisht asnjë shkak për çfarëdo dyshimi për shëndetin e shefit të shtetit”, i tha Peskov agjencisë AP, dhe ka shtuar se “gjendja e tij shëndetësore është me të vërtetë perfekte, çdo gjë është në rregull me të, dhe ai punon sipas orarit të tij tradicionalisht të stërngarkuar”.