Bota

Qendra rehabilitimi për xhihadistët e penduar

jihadisNga Xhulia Belardeli

Pas qendrave të rehabilitimit për të ndërvarurit nga droga, alkooli, seksi apo dhe interneti, ka ardhur koha e ndërtimit të qendrave te tilla edhe për ekstremistët islamikë. Nuk ka nevojë, që të vihet bast për të thënë se, në kontekstin e ri-integrimit social, në vitet e ardhshme, ky do të jetë sektori që do ketë rritjen më te shpejtë, të paktën në disa vende. Nga Arabia Saudite në Danimarkë (ku programet janë tashmë në proces), duke kaluar tek Shtetet e Bashkuara (që në misionin “e shërimit”, do të përfshijë edhe OKB-në), fati i të mbijetuarve të Kalifatit, është një subjekt, mbi të cilin po diskutohet shumë.
Dukuria e luftëtareve të huaj- të cilët të joshur nga maçoizmi i ISIS-it, vendosin t’i bashkohen radhëve të Kalifatit në Siri dhe Irak – është një sfidë, që i ka kapur të papërgatitura vendet perëndimore, të cilat tashmë duhet të merren me të rinj të pakënaqur dhe të hutuar, “siguresa” në duart e mjeshtërve të vërtetë të terrorit. Për shumë nga këta xhihadistë, kontakti me realitetin e ISIS, ka qenë traumatik. Qindra syresh, pasi kanë marrë pjesë në masakrat e transmetuara më pas në mbarë botën përmes internetit, janë përpjekur të arratisen. Kur kanë sukses, ata bëhen veteranë, persona të degraduar, që gjejnë strehë tek alkooli, për të mos menduar më për kokat e prera dhe trupat e djegur nga zjarri.
“Kam parë djegien e gjallë të 128 njerëzve. Myslimanë si unë. Unë nuk e kuptoj, përse ata duhej të vdisnin. I shoh në ëndërr çdo natë. Dhe e vetmja mënyrë, për të mos menduar është të dehem duke pirë”. Ky rrëfim i marrë nga gazeta “Corriere della Sera”, i përket Ebu Hamza Etunsin, veteran tunizian i Shtetit Islamik. Sipas të dhënave qeveritare, në gjendjen e tij ndodhen të paktën 570 njerëz të tjerë.
Pjesa më e madhe ndodhet në zonat kufitare, dikush në burg ose i fshehur në Bizerte dhe Kairuan. E njëjta gjë vlen edhe për veteranët sauditë, marokenë, jordanezë, dhe kështu me radhë, por edhe me ata që kanë shkuar në Siri dhe Irak nga Perëndimi. Eshtë e pamundur të përcaktohet një numër i saktë, por sigurisht bëhet fjalë për shifra janë të rëndësishme, nëse merret parasysh se të gjithë luftëtarët e huaj, të cilët u grumbulluan në Daesh janë rreth 20 mijë (duke përfshirë rreth 3.400 nga vendet perëndimore).
Qeveria tuniziane, po merr në konsideratë hapjen e qendrave të rehabilitimit për xhihadistët, bazuar në modelin e atyre që tashmë janë çelur në Arabinë Saudite. Danimarka, tashmë ka nisur një program rehabilitimi, për t’u dhënë një shans të dytë militantëve të penduar, në një kohë që edhe Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar disa “nisma për të rehabilituar dhe riintegruar luftëtarët e huaj”.
Vullneti i Shteteve të Bashkuara, për të shqyrtuar rrugët e shërimit të xhihadistët e rinj të penduar, është shprehur në mënyrë të qartë nga ana e Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerry, gjatë samitit më të fundit që u mbajt në Uashington, mbi luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Po ndihmojnë partnerët tanë, për të forcuar aftësinë e tyre kontrolluese ndaj rrjedhës se luftëtarëve të huaj brenda kufijve të tyre. Për shembull, së bashku me kolegët nga Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shtetit, po punojmë ngushtësisht me vendet e tjera të botës, për të zbatuar në mënyrë efektive dënime penale kundër atyre, që marrin pjesë në programet e trajnimit të terroristëve. Pastaj, nga momenti që ne besojmë se të rinjtë, të cilët në të kaluarën janë radhitur me ISIS-in, pa kuptuar natyrën e vërtetë të tij, dhe se ata janë të sinqertë në dëshirën e tyre për t’u rehabilituar, e meritojnë një shans. Departamenti i Shtetit, është gjithashtu duke eksploruar modele të ndryshme të këtij procesi, duke përfshirë këtu dhe Kombet e Bashkuara si dhe Forumit Global Kundër Terrorizmit”-tha Kerri.
Në SHBA, po realizohen tashmë eksperimente të ndryshme, për rehabilitimin e aspirantëve për tu bërë xhihadistët te rinj, të arrestuar pak para se t’i hynin “aventurës” xhihadiste. Ky është rasti i 18-vjeçarit amerikan me origjinë somaleze Abdullahi Jusuf,  i ndaluar nga FBI, pak para se t’i hipte avionit për të shkuar në Turqi. Abdullahi ishte justifikuar se do të udhëtonte, për shkak të një kampusi unversitar veror në Turqi, por hetuesit zbuluan qëllimin e tij të vërtetë:do të shkonte të luftonte për Shtetin Islamik.
Për të, autoritetet e Minesotës, zgjodhën një dënim alternativ, shpjegon organizata “Take Part”. Në fakt, djali iu besua një qendre rehabilitimi social, ku do të punojë për një organizatë jofitimprurëse. Lëvizjet e tij- shpjegojnë drejtuesit e organizatës-do të jenë jashtëzakonisht të kufizuara. Ai do të ketë gjatë gjithë kohës, një byzylyk në kyçin e këmbës, të pajisur me GPS. Megjithatë, deri më tani jemi fokusuar tek të rinjtë dhe njerëzit, që pavarësisht synimeve luftarake, u ndaluan para se të hynin në aksion. Tani për tani, dy vendet pilot në rehabilitimin e xhihadistëve të penduar, janë Arabia Saudite dhe Danimarka.
Prej vitit 2007, në Arabinë Saudite po zbatohet një program për de-radikalizimin, i mbështetur fort nga ministri i brendshëm Muhamed Bin Najef, dhe për të cilën janë investuar miliarda dollarë. Pjesë e këtij programi është dhe qendra “Care Rehabilitation Center”, strukturë e projektuar nga princi Nayef, në periferi të kryeqytetit saudit. Për të “shëruar” xhihadistët më të rrezikshëm, Riadi ka vënë në zbatim programe artistike dhe sportive, përveç teologjisë dhe psikologjisë.
Qendra, mikëpret më së shumti xhihadistët, që kanë luftuar në radhët e Al-Kaedës në Irak dhe Afganistan. Synimi është që ata të tregojnë një pendim të sinqertë. Në këmbim, u ofrohet këshillim psikologjik dhe fetar, së bashku me premtimin për një shtëpi dhe një punë, i paraprirë nga një këshillim mbi “orientimin në karrierë”. Mbi efektivitetin e këtij programi, nuk ka siguri. Riadi megjithatë krenohet me rezultatet e mira.
Në shtator të vitit të kaluar, “The Guardian” iu referua zëdhënësit të Ministrit të Brendshëm, që deklaronte se në “dy vitet e fundit, 3 mijë ish-terroristë islamikë ishin liruar nga burgu, dhe vetëm 10 përqind e tyre, iu rrikthyen sërish xhihadit. “Ne kemi qenë të suksesshëm në shkatërrimin e faktorëve socialë, psikologjikë dhe fetarë, që çojnë njerëzit drejt terrorizmit”- tha ai.
Por në realitet, sikurse vë në dukje edhe uebsajti kanadez “iPolitics”, në regjistrat e qendrës saudite të rehabilitimit, shfaqen përsëritës të shquar, duke përfshirë edhe zv.shefin e Al-Kaedës në Gadishullin Arabik dhe disa ish-të burgosur të Guantanamos, pjesëmarrja e të cileve në programin e rehabilitimit, ishte njëri nga kushtet për lirimin e tyre. Pastaj është e pamundur, të mos përmendet përpjekja për vrasjen e vetë princit Bin Najef.
Autori i atij atentati të dështuar quhej Abdullah Hassan Al-Asiri, gjoja i penduar i Al- Kaedës në Gadishullin Arabik. Në gusht të vitit 2009, Al-Asiri arriti që të merrte një ftesë për t’u takuan së bashku me “shpirtra të tjerë që duheshin shëruar” nga Bin Najef. Në fakt ai hodhi veten në erë. Vëllai i tij më i madh, i kishte futur në kanalin anal afro gjysmë kilogrami tritol.
Nga Arabia Saudite në Danimarkë, ideja e rekuperimit të xhihadistëve, që duan të ndryshojnë jetën e tyre, po kopjohet edhe në vende të tjera të Evropës. Në kontinentin e vjetër, në pararojë qëndron qendra e Aarhusit (qytet i dytë danez për nga rëndësia), ku zhvillohet një program në dy faza, për t’i dhënë një shans të dytë militantëve të penduar. Faza e parë, dhe më kompleksja, është transferimi i atyre që kanë përfshirë në frontin e luftës, në qytetin danez të Aarhusit.
Këtu, islamikët bëhen pjesë e një qendre shumëfunksionale, ku ata marrin kujdes mjekësor për çdo plagë, dhe më pas i nënshtrohen një faze të tretë, për një trajtim psikologjik të stresit post-traumatik.
Pasi është arritur një nivel i kënaqshëm i mirëqënies fizike dhe psikologjike, ish-  xhihadistët (së paku kështu shpresohet), ndihmohen në kërkim të një pune apo për rifillimin e studimeve universitare. Programi gjithashtu, ofron një rrugë paralele për familjet, një anëtar i së cilës ka shkuar për të luftuar në Siri apo Irak.
Familjarët inkurajohen të mbajnë kontakte sa më të ngushta, që të jetë e mundur me njeriun e tyre, për shembull nëpërmjet përdorimit të Skype. Në fakt, presioni i ushtruar nga familja, mund të jetë një element vendimtar për pendimin. Përveç kësaj, informacionet e mbledhura, përdoren nga shërbimet sekrete, për të rritur njohuritë e tyre mbi rrjetet xhihadiste aktive në Danimarkë, si dhe për të identifikuar atë që ka shkuar vullnetar në zonën e konfliktit./ “Huffington Post”/

Leave a Reply

Back to top button