HistoriHorizonti.alMAIN

Revolucioni që solli Çarls Darvin në mendimin shkencor

Pak njerëz mund të pretendojnë se kanë kontribuar më shumë mbi kuptimin që kemi sot ne njerëzit mbi jetën në Tokë sesa Çarls Darvini. Natyralisti britanik e revolucionarizoi shkencën me teorinë e tij të evolucionit, siç u propozua në librin e famshëm “Mbi origjinën e specieve”.

Por në fillim idetë e tij ofenduan po aq njerëz sa edhe bindën. Zoti i krijoi qiejt dhe Tokën rreth 6000 vjet më parë. Ai e mbushi planetin me bimë dhe kafshë, dhe në fund krijoi burrin dhe gruan. Që të gjitha llojet ekzistuese, e kanë origjinën nga kafshët që i mbijetuan Përmbytjes së Zotit duke u strehuar në Arkën e Noes.

Kjo është me pak fjalë Zanafilla:tregimi i Biblës për evolucionin e specieve, të cilën shumica e njerëzve e besonin në fillimin e viteve 1800. Sot është e vështirë të imagjinohet se sa radikal u duk si veprim, kur shkencëtari britanik Çarls Darvin e hodhi poshtë fjalën e Biblës në veprën e tij epokale “Mbi origjinën e specieve” të vitit 1859.

Në veprën kryesore shkencore, Darvini shpjegoi se si të gjithë organizmat e gjallë në botë ishin të lidhura për miliona vjet më parë. Po ashtu, ai përshkroi se si speciet e reja mund të formoheshin nëpërmjet seleksionimit natyror. Gjithsesi ide të ngjashme po zhvilloheshin paralelisht nga biologu britanik Alfred Uollas, dhe që të dy i detyroheshin shumë esesë  “Parimi i popullsisë” të Tomas Maltusit të vitit 1797.

Darvini kishte gjithashtu një gjysh anëtarë të Shoqërisë Hënore, Erazmus Darvin. Ai ishte ndër të parët që sugjeroi se të gjithë gjitarët e botës mund të kishin një paraardhës të vetëm, serish kundër mësimeve të Biblës. Është e vështirë të besohet që nipi i tij Çarlsit të mos ishte i ekspozuar ndaj këtyre ideve që në moshë të re.

Darvini donte të bëhej prift

Megjithatë, 18-vjeçari Çarls Darvin e konsideronte veten të krishterë, dhe e filloi karrierën e tij duke studiuar teologji në Universitetin e Kembrixhit. Studimet në teologji vërtetuan se  nuk ishte ajo që donte. Ndaj ai filloi të interesohej për zoologjinë, botanikën dhe gjeologjinë. Më pas në vitin 1831, studentit 22-vjeçar iu ofrua një pozicion si një studiues pa pagesë në bordin e anijes “HMS Beagle”, një anije që do të lundronte rreth botës për 5 vjet. Darvini iu bashkua ekuipazhit si natyralist. Por ai nuk ishte një marinar profesionist.

“Unë e urrej çdo dallgë të oqeanit!”- i ankohej ai anëtarëve të ekuipazhit, ndërsa shfrytëzonte çdo mundësi për ekspedita të gjata duke mbledhur kafshë, bimë, fosile dhe minerale. Diversiteti i jashtëzakonshëm i Ishujve Galapagos e nxiti shumë mendjen kreative tëshkencëtarit të ri.

Në 1836, “HMS Beagle” u rikthye në Angli, dhe pak më vonë Darvini filloi të botonte punime shkencore rreth vëzhgimeve që kishte bërë gjatë udhëtimit. Në vitin 1845, botoi veprën me tre vëllime “Udhëtimi i Beagle”. Por vetëm në vitin 1859, publikoi veprën kryesore “Mbi origjinën e specieve”.

Teoria evolucionare nuk ishte një shpikje e Darvinit, por ai e zhvilloi teorinë deri në një pikë që ajo arriti përparimin e saj shkencor. Teoria e tij e Evolucionit, ishte aq novatore saqë më vonë u emërua pas tij: Darvinizëm. Në përgjithësi, Darvinizmi përfshin dy elementë.

Para së gjithash, të gjitha speciet u degëzuan gradualisht nga një formë e përbashkët origjinale.

Së dyti, mbijetojnë pasardhësit më të përshtatur ndaj kushteve, pra individët që janë përshtatur më mirë me mjedisin e tyre, rritin më shumë pasardhës për brez se sa ata që janë më pak të përshtatur me kushtet e tyre të jetës. Ky ligj i natyrës, është forca lëvizëse e evolucionit dhe njihet më shumë si “mbijetesa e më të fortit”.

Më 1871, Darvini botoi një vepër tjetër “Prejardhja e njeriut dhe përzgjedhja për t’u riprodhuar”. Bukuria e natyrës dhe kafshët nuk janë që t’i shijojmë ne njerëzit, tha ai, por për të tërhequr bashkëshortët dhe për të siguruar një riprodhim të suksesshëm.

Nëse përzgjedhja natyrore është lufta për mbijetesë, atëherë përzgjedhja seksuale është beteja për t’u riprodhuar. Libri ishte shumë i lexuar, por më pak i diskutuar, sepse idetë e tij ishin tashmë në qarkullim. Natyralisti francez Zhan Baptist Lamark botoi librin “Filozofia zoologjike” në vitin 1809, në të cilën njerëzit lexuan për herë të parë mbi një hipotezë, sipas së cilës të gjithë organizmat ekzistues e kanë origjinën nga organizmat e periudhave të kaluara gjeologjike, dhe kanë ndryshuar me kalimin e kohës nëpërmjet proceset natyrore.

Shembulli më i famshëm i Lamarkut për këtë mekanizëm evolucionar, ishte qafa e gjatë e gjirafës. Ai supozonte se kafsha zgjatej gjatë gjithë jetës për të arritur gjethet në majat e pemëve, duke lindur kështu pasardhës me qafë më të gjatë. Kjo ide u korrigjua vetëm kohët e fundit.

Tani besohet se qafat e gjata të gjirafave janë zhvilluar për tu bërë përshtypje femrave dhe për të fituar beteja. Kështu Darvini kishte qenë më afër me idetë e tij. Me vdekjen e tij në vitin 1882, në moshën 73-vjeçare, edhe rivali i tij i madh Alfred Uollas i bëri homazhe njeriut të madh, duke thënë se Darvini kishte “sjellë revolucionin më të madh në mendimin njerëzor brenda një çerek shekulli, sesa çdo njeri tjetër në çdo kohë”. / Daily Telegraph – Bota.al

Back to top button