Policia italiane thotë se ka arrestuar 15 emigrantë myslimanë pasi ata mendohet se kanë hedhur në ujë 12 të krishterë, pas një sherri në varkën që po i drejtohej Italisë. Sipas BBC, emigrantët e krishterë thuhej se ishin nga Gana dhe Nigeria. Ata kanë vdekur të gjithë. Në një tjetër incident, më shumë se 40 persona vdiqën kur një anije emigrantësh u mbyt mes Libisë dhe Italisë. Numri i madh i emigrantëve ka bërë që autoritetet të alarmohen.
Më shumë se 10 mijë emigrantë që po tentonin të kapërcenin Mesdheun janë shpëtuar në ditët e fundit. Italia ka kërkuar më shumë ndihmë nga BE. Qindra emigrantë kanë vdekur që nga fillimi i vitit. Në fillim të javës, rreth 400 persona u mbytën bashkë me anijen e tyre.