Në të gjitha gazetat dhe emisionet italiane dhe jo vetëm, por pothuajse në çdo vend bëri bujë lajmi i vdekjes së kapos së Cosa Nostra, Toto Riina, i njohur dhe si “bosi i bosave”. I lindur në vitin 1930, ai ishte në krye të mafias siçiliane nga viti 1982 e deri në vitin 1993, vit në të cilin u arrestua prej policisë italiane.
Ndërkohë, edhe pas arrestit, La Belva (emri me të cilin Toto Riina njihej në botën e mafias) vazhdonte të ishte truri i organizatës pa iu trembur policisë. Në vite janë raportuar shumë vdekje të familjarëve të personave të përfshirë në Cosa Nostra, pas së cilave mendohet se fshihet pikërisht dora e Toto Riinës. Shkaku kuptohet qartë, ai nuk donte që emri i tij të përdorej në autoritetet përkatëse për arrestimin e tij.
Maria Concetta, vajza e të ndjerit, ka publikuar dje një foto të një femre me gishtin tregues të vendosur në buzë. Në gisht lexohet e shkruar fjala “Shhh” duke kërkuar heshtje për vdekjen e të atit. Mesazhi i saj nuk drejtohet vetëm drejt urryesve të tij në rrjetet sociale, por edhe drejt të afërmve në mënyrë që të mos japin as ata mesazhe që nuk duhet t’i japin.
Nga ana tjetër, avokati i Totos, Luca Cianferoni, është shprehur për mediat se “Jam urdhëruar prej familjes për t’u treguar totalisht i rezervuar dhe diskret për vdekjen e Toto Riinës”. Mesazhi është i qartë. Edhe tani që “bosi i bosave” ka ndërruar jetë, është e ndaluar të flitet për të, siç ka qenë përherë e ndaluar.
Përpara kësaj fotoje, Maria Concetta, ka postuar foton e një trëndafili të zi në shenjë zie për t’i dhënë kështu lamtumirën e fundit të atit të saj. Duhet të themi se komentet në atë postim kanë qenë të shumta, duke shprehur ngushëllime në këtë rast të “humbjes së madhe”.