Dy njerëz janë të paktën 99.9 për qind gjenetikisht identikë me njëri-tjetrin. Por është pikërisht ai 0.1 për qind apo më shumë që na bën të veçantë. Është ai që përcakton të gjitha dallimet tona, nga mënyra unike sesi dukemi së jashtmi, dhe deri tek rezistenca apo ndjeshmëria jonë ndaj sëmundjeve të tilla si HIV.
Disa rregullime të vogla në kodin tonë gjenetik, mund të jenë shumë të dobishme jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë. Sa më shumë që të dimë mbi këto gjene të veçanta (dhe njerëzit që i kanë ato) aq më mirë, pasi mund të jetë e mundur që të krijohen ilaçe që mund t’i imitojnë dallimet gjenetike të dobishme.
Duke pasur këtë gjënë mendje, studiuesit janë në kërkim të njerëzve në mbarë botën,të cilët mund të jenë rezistentë ndaj SARS-cov-2. Gjenet tuaja mund të fshehin edhe sekretin e trajtimit potencial të Covid-19. Depërtimi i SARS-CoV-2 në një popullatë që nuk e ka hasur më parë në shkallë globale, u ka siguruar ekspertëve një dëshmi tjetër të ndryshueshmërisë klinike të spikatur midis individëve gjatë trajektores së infeksionit, duke filluar nga infeksionet asimptomatike deri tek sëmundjet kërcënuese për jetën, shkruan në një studim të ri një ekip studiuesish, të udhëhequr nga imunologu Evangelos Andreakos nga Akademia e Athinës.
“Kuptimi ynë mbi patofiziologjinë e formave të Covid-19 kërcënuese për jetën, ka përparuar shumë që kur u zbulua për herë të parë kjo sëmundje në dhjetor 2019. Por ne dimë ende shumë pak gjëra mbi bazën gjenetike dhe imunologjike njerëzore të rezistencës së lindur ndaj SARS-CoV-2”-theksojnë ata.
Edhe pse mund të mos kemi shumë informacion në lidhje me këtë rezistencë të lindur, kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Studiuesit kanë vënë re se ndonjëherë mund të infektohen familje të tëra, dhe vetë një nga bashkëshortët nuk preket.
Po ashtu ka pasur raporte të tjera që tregojnë se njerëzit e kanë shmangur Covid-in, edhe pse kanë qenë disa herë në “vijën e zjarrit”.Për këtë ka pasur një hulumtim serioz, por deri tani rezultatet kanë zbuluar vetëm dallime të vogla.
Për shembull, vitin e kaluar u raportua se grupi i gjakut (dhe veçanërisht lloji i gjakut O), dukej se kishte një rezistencë të lehtë ndaj infeksionit të rëndë me SARS-CoV-2. Pastaj ka pasur studime të tjera që kanë vëzhguar proteina të tilla si receptori ACE2 ose TMEM41B, përmes të cilëve synon të hyjë koronavirusi në trupin e njeriut, ku më pas edhe do të shumohet.
Studiuesit kanë sugjeruar se duhet të bëjmë më shumë për të zbuluar ato pak sekrete tek popullata, që mund t’i bëjë disa njerëz gjenetikisht rezistentë ndaj SARS-CoV-2. Dhe ata kanë disa ide se si bëhet kjo.“Ne propozojmë një strategji për identifikimin, rekrutimin dhe analizimin gjenetik të individëve që janë natyrshëm rezistentë ndaj infeksionit SARS-CoV-2.
Së pari, ne përqendrohemi tek familjarët e pa infektuar të njerëzve me simptoma të Covid-19. Pastaj ne vëzhgojmë individët që janë të ekspozuar ndaj një rasti pozitiv dhe që nuk përdorin pajisje mbrojtëse personale, për të paktën 1 orë në ditë, dhe gjatë 3-5 ditëve të para të simptomave në rast se personi rezulton të jetë prekur nga Covid-19”- theksojnë studiuesit.
Pastaj situata do të kontrollohet me teste negative PCR dhe testet e gjakut 4 javë pas ekspozimit, duke kërkuar veçanërisht qeliza T për të konfirmuar që personi nuk ka qenë i infektuar në të kaluarën. “Ne kemi regjistruar tashmë më shumë se 400 individë që plotësojnë kriteret për t`u përfshirë në një grup të dedikuar për studimin e rezistencës”-theksojnë studiuesit.
Me vaksinat, ilaçet premtuese dhe më shumë informacione rreth virusit, ne po shohim që jeta në disa vende ka filluar të duket pak më normale. Por Covid-19 ka të ngjarë të jetë me ne për një kohë akoma më të gjatë, dhe gjetja e njerëzve që kanë një mënyrë gjenetike për t’i shpëtuar virusit, mund të jetë një ndihmë e vërtetë për ne të tjerët,sidomos nëse shfaqen lloje të reja dhe shumë virulente të viruseve. / ScienceAlert – Bota.al