Horizonti.al

Studimi: Zhdukja e ndjenjës së nuhatjes, mund të parathotë vdekjen e shpejtë tek të moshuarit

Nga Stephanie Pappas

Njerëzit e moshuar që kanë një rënie të ndjeshme të ndjesisë së nuhatjes, kanë më shumë gjasa të vdesin brenda 10 vitesh nga momenti i diagnostikimit, se sa ata që mbeten me një shqisë të mprehtë të nuhajtjes. Në një studim të ri, njerëzit e moshuar me një shqisë tejet të dobësuar të nuhajtes, kishin një rrezik më të lartë të vdekjes prej 46 %, në krahasim me ata që e kaluan testin e identifikimit të aromave.

Studimi, raportoi gjithashtu se 28 % e rritjes së rrezikut të vdekjes, mund t’i atribuohet sëmundjes së Parkinsonit, dementias dhe humbjes së peshës pa ndonjë arsye speficike, të cilat parashikojnë vdekjen, dhe mund të ndikojnë gjithashtu në ndjesinë e nuhatjes tek një person i caktuar.

Por, pjesa tjetër e 72 % të rrezikut që lidh ndjenjën e dobët të nuhatjes me vdekjen, është e pashpjegueshme, dhe mund të jetë për shkak të kushteve delikate shëndetësore që në fund mund të përkeqësohen, shkruan autorët në studimin e botuar më 29 prill në revistën “Analet e Mjekësisë së Brendshme”.

Sipas studimit, rreth një e katërta e amerikanëve të moshuar, përjetojnë një rënie të ndjenjës së nuhatjes, por kjo ka më shumë gjasa të kalojë pa u vërejtur, në krahasim me humbjen e shikimit apo dëgjimit. Disa studime, e kanë lidhur rënien e ndjenjës së nuhatjes me rrezikun e vdekjes brenda 5 viteve nga fillimi i kësaj simptome, por studimi nuk kontrolloi parametra të tillë demografikë si gjinia dhe raca, ose tiparet shëndetësore, që mund të shpjegojnë lidhjet midis humbjes së shqisës së nuhatjes dhe vdekjes.

Në studimin e ri, epidemiologu i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Honglei Çen dhe kolegët e tij, përdorën të dhëna nga studimi Shëndetësor ABC, një studim afatgjatë i individëve të moshuar. (Një nga bashkëautorët e studimit të ri, dr. Xhejent Pinto, kishte marrë fonde që nuk lidhen me studimin aktual, nga kompanitë farmaceutike që prodhojnë barna kundër alergjive të frymëmarrjes, dhe shpërndarjes së ilaçeve që merren nga hunda).

Ndërmjet viteve 1997-1998, shkencëtarët rekrutuan rreth 3.000 të rritur të moshës 70-79 vjeç, që jetonin në Pitsburg ose Memfis të Tenesit, për studimin e shëndetit të tyre. Nga këta individë, pothuajse 2.300 iu nënshtruan një testi mbi nivelin e nuhatjes, në fillim të studimit.

Në atë test, atyre iu kërkua të identifikojnë 12 erëra të zakonshme, dhe ata mbetën pjesë e studimit deri në vdekjen e tyre, ose deri në vitin 2014. Gjatë periudhës totale të vëzhgimit 13-vjeçar, rreth 1.200 pjesëmarrës të studimit kishin vdekur. Studiuesit gjetën, se ata me një rezultat të dobët në testin e nuhatjes kishin një rrezik 46 % më të lartë të vdekjes në vitin e 10, dhe një rrezik 30 % më të lartë të vdekjes në vitin e 13, krahasuar me ata që kishin një rezultat të mirë.

(Lidhja më e fortë me vitin e 10-të, krahasuar me të 13-in ishte e mundur, për shkak se pjesëmarrësit ishin tashmë në të 70-tat e tyre, dhe po i afroheshin fundit të jetës së tyre, shkruan hulumtuesit. Në vitin 13-të, shumë prej tyre po vdisnin pavarësisht ndjenjës së tyre të nuhatjes, apo gjendjes shëndetësore në fillim të studimit).

Ndjesia e nuhatjes, dukej se ishte një parashikues veçanërisht i fuqishëm i vdekjes për ata që ishin në gjendje të mirë shëndetësore, shkruan hulumtuesit. Ndër pjesëmarrësit që në fillim të studimit, u shprehën se shëndeti i tyre ishte i mirë, nuhatja e dobët ishte e lidhur me një rritje prej 62 % të mundësisë së vdekjes deri në vitin e 10-të, krahasuar me nuhatje të mirë; ajo lidhej me një rritje prej 40 % të mundësisë së vdekjes deri në vitin e 13-të nga testimi.

Është diçka e njohur, që dëmi neurologjik që shkaktohet nga sëmundja e Parkinsonit dhe dementia, mund të ndikojë në ndjenjën e nuhatjes së një personi, prandaj Çen dhe kolegët e tij, studiuan nëse këto kushte mund të shpjegojnë lidhjen midis nuhajtjes dhe vdekjes. Ata kontrolluan gjithashtu rolin që ka rënia në peshë, gjë që mund të tregonte kequshqyerjen .

Edhe duke marrë parasysh këto rrethana, një nivel i dobët i nuhajtes shpjegonte 70 % të dallimeve në kohën e vdekjes. “Një nuhatje e dobët e të rriturve në moshë madhore që gëzojnë aktualisht shëndet të mire, mund të jetë një shenjë e hershme paralajmëruese për gjendjen e rënduar shëndetësore të mëvonshme, që përfundimisht do të çojnë tek vdekja”- shkruajtën studiuesit.

“LiveScience” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button