
Çfarë vlere ka ta fitosh garën e inteligjencës artificiale, nëse gjatë saj humbet kontrollin mbi atë që po krijon? Mes Amerikës dhe Kinës, kjo pyetje përmbledh një dilemë që prek gjithë njerëzimin: ngadalësimi mund t’i japë epërsi rivalit, ndërsa përparimi pa masa të mjaftueshme sigurie mund të sjellë pasoja katastrofike.
Teksa konkurrenca teknologjike ndërthuret me fuqinë ushtarake, bota përballet me një sfidë urgjente: si të vendosen kufij të përbashkët, kur askush nuk dëshiron të mbetet pas? Më poshtë shkrimi i revistës “The Economist”…
…
Dy gjëra duhet t’ju bëjnë të mendoni se çfarë mund të nënkuptojë inteligjenca artificiale për njerëzimin. E para është se vetë njerëzit që punojnë me këtë teknologji po paralajmërojnë se ajo mund të çojë drejt një katastrofe, madje deri në zhdukjen e njerëzimit. E dyta është mënyra se si risitë teknologjike po e përkeqësojnë shkatërrimin e Ukrainës. Këto dy zhvillime japin mësime që bien ndesh me njëri-tjetrin, kur shtrohet pyetja nëse përparimi i vrullshëm i Inteligjencës Artificiale mund apo duhet të ngadalësohet.
Prej vitesh, drejtuesit kryesorë të industrisë së IA-së kanë paralajmëruar se teknologjia e tyre mund të bëhet vdekjeprurëse. Programet mund të bëhen aq inteligjente sa t’ua hedhin krijuesve të tyre, përpara se të jenë “përafruar” me qëllimet dhe etikën e njerëzimit. Njerëz dashakeqë mund ta përdorin IA-në për të mbjellë shkatërrim. Këto paralajmërime janë bërë më të besueshme, pasi agjentë të IA-së, gjatë testimeve, kanë dalë nga mjediset e tyre të izoluara të provës, janë bashkërenduar me njëri-tjetrin dhe kanë depërtuar në sistemet kompjuterike të organizatave, përfshirë edhe një laborator të vetë IA-së.
Anthropic, një kompani që zhvillon modele të Inteligjencës Artificiale ka zbuluar njerëz që i përdornin modelet e saj për qëllime të dëmshme: nga shërbimet e fshehta të Malit, që po ndërtonin një sistem mbikëqyrjeje masive, deri te rebelët Huthi në Jemen, të cilët dyshohet se po krijonin programe kompjuterike për raketa balistike.
Pas dorëheqjes kohët e fundit të një studiuesi të Anthropic, në publik është përhapur frika nga një katastrofë e shkaktuar prej IA-së. Në një postim të parë më shumë se 170 milionë herë, ai tha se kjo kompani dhe OpenAI po “luanin bixhoz me jetët tona”. Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më e fuqishme, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në maj, tregjet e parashikimeve e vlerësonin me më pak se një të tretën mundësinë që IA-ja të zgjidhte përpara vitit 2030 ndonjërin prej problemeve matematikore të Çmimit të Mijëvjeçarit; më 8 shtator, OpenAI tha se kishte zgjidhur njërin prej tyre, duke shkaktuar shqetësim mes matematikanëve.
A mund ta zhdukë vërtet inteligjenca artificiale njerëzimin? Gjashtë ekspertë shpjegojnë rreziqet
Më 12 shtator, Sam Altman dhe Elon Musk, dy gjigantë të Inteligjencës Artificiale, mbështetën thirrjen e Dario Amodeit, kreut të Anthropic, për t’i “caktuar një ritëm përparimit në kufijtë e teknologjisë”, pra për të ngadalësuar përparimin e IA-së. Mes mbështetësve të ngadalësimit janë Bernie Sanders, senator i së majtës, dhe Steve Bannon, populist i së djathtës.
Kundërshtarët e alarmizmit të Inteligjencës Artificiale
Mes kundërshtarëve është presidenti Donald Trump, administrata e të cilit i druhet mbi gjithçka humbjes së epërsisë së Amerikës në përballë Kinës, të vetmes rivale serioze të saj. Scott Bessent, sekretari amerikan i Thesarit, ka thënë se, nëse Kina fiton epërsinë “asgjë tjetër nuk do të kishte më rëndësi.”
Si provë, Bessent mund të sillte Ukrainën, ku çdo hap në garën e armatimit teknologjik jep pasoja të menjëhershme. Rusia ka përdorur pa mëshirë dronët e saj më të fundit kamikazë për të bombarduar infrastrukturën civile. Përveçse janë më të shpejtë, dronët e saj përdorin njëri-tjetrin si një rrjet komunikimi të ndërlidhur, për të përcjellë informacione dhe komanda. Së shpejti, Rusia do të ketë versionin e vet të rrjetit satelitor Starlink të Musk, duke i bërë më të sakta goditjet e saj me rreze të gjatë.
Kjo është dëshmia më e fundit se sa rëndësi ka në luftë edhe një epërsi e vogël teknologjike. Risitë e vetë Ukrainës në dronët e fushëbetejës kanë ndihmuar në zmbrapsjen e valëve të sulmeve ruse. Ukraina mund të godasë thellë në territorin rus me dronë me rreze të gjatë. Të dyja palët po punojnë për grupe dronësh që do të mund të veprojnë me më shumë autonomi, si një sistem i vetëm që përshtatet me rrethanat.
Lufta tregon se si teknologjia shndërrohet në fuqi ushtarake, dhe se Rusia e përdor atë pa marrë parasysh rregullat apo normat e vjetra të luftimit. Edhe sikur Amerika të mos i druhej një lufte të ngjashme të drejtpërdrejtë me Kinën, epërsia në Inteligjencë Artificiale do t’i jepte rivales së saj kryesore gjeopolitike mbizotërim në sulmet kibernetike, spiunazh dhe luftën hibride. Këto nuk janë aftësi që Amerika duhet t’ia lërë në dorë një shteti autoritar, të interesuar për t’i zhdukur idetë liberale.
Prandaj, një pezullim do të mund të funksiononte vetëm nëse do ta pranonte edhe Kina. Trump planifikon ta presë presidentin kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator. Por, edhe sikur Trump të kërkonte një ngadalësim, ka pak gjasa që Xi të pajtohej me planin që përfytyron Amodei, sepse ai do ta “ngecte” IA-në kineze në vendin e dytë. Dhe asnjëra palë nuk mund të rrezikonte që tjetra ta shkelte marrëveshjen duke përparuar me shpejtësi.
Për të arritur një marrëveshje, secila palë do të duhej të verifikonte respektimin e marrëveshjes, siç ndodhte me kontrollin e armëve gjatë Luftës së Ftohtë. Amerika, Britania dhe Bashkimi Sovjetik i ndaluan provat bërthamore në atmosferë në vitin 1963, sepse mund t’i zbulonin ato; provat në fshehtësivazhduan edhe për tre dekada të tjera, derisa u bë i mundur edhe monitorimi i tyre. Fatkeqësisht, megjithëse qendrat e të dhënave janë të dukshme, nuk ekziston ndonjë metodë e verifikueshme për të parë çfarë ndodh brenda tyre. Një infrastrukturë që trajnon një superinteligjencë mund të paraqitet si një sistem chatbot-ësh që u përgjigjen pyetjeve të përditshme.
Pse e presim me indiferencë lajmin se Inteligjenca Artificiale mund të na shfarosë?
Mundësitë për një marrëveshje mbi sigurinë e Inteligjencës Artificiale janë, pra, të kufizuara; por ato ekzistojnë. Më shumë transparencë do të ndihmonte. Të dyja palët duhet të zotohen se do t’i bëjnë publike dhe do t’i hetojnë incidentet e sigurisë në laboratorët e tyre, duke zbatuar legjislacionin vendas. Secila mund të tregojë se e merr seriozisht sigurinë, për të ndërtuar besim dhe për t’i hapur rrugën palës tjetër të marrë masa parandaluese. Ato duhet gjithashtu t’i bëjnë trysni njëra-tjetrës për të përmirësuar sigurinë kibernetike të laboratorëve, në mënyrë që agjentët e IA-së të mos dalin aq lehtë nga mjediset e izoluara të provës, dhe për të garantuar që, nëse ndonjëri del, laboratori i tij të mbajë përgjegjësi financiare.
Më e rëndësishmja është sfida për të garantuar që IA të veprojë në interes të njerëzve. Amerika dhe Kina kanë vlera shumë të ndryshme, por të dyja e dinë se të qenët në krye nuk ka asnjë dobi nëse kjo sjell zhdukjen e njerëzimit. Ato duhet të zotohen se do të ndajnë mes tyre punën për ato aspekte të përafrimit të IA-së me interesat njerëzore që nuk japin ndonjë avantazh konkurrues. Njohuritë mbi metodat më të mira të vlerësimit dhe teknikat e mbajtjes nën kontroll janë një e mirë publike globale. Nëse njëra palë arrin një përparim të rëndësishëm në siguri, nuk ka kuptim ta mbajë vetëm për vete.
Katastrofizëm efektiv
Disa e hedhin poshtë valën e fundit të parashikimeve katastrofike, duke e quajtur një dredhi marketingu të kompanive të IA-së, apo madje një përpjekje për të frenuar konkurrencën. Megjithatë, përparimi i IA-së është mjaftueshëm i shpejtë, incidentet e sigurisë mjaftueshëm rrënqethëse dhe paralajmërimet e kompanive mjaftueshëm të hershme e të vazhdueshme, sa të merren seriozisht. IA-ja nuk ka nevojë të vrasë çdo njeri për të shkaktuar një katastrofë. Një tufë agjentësh të OpenAI vuri në shënjestër një kompani teknologjike: po sikur herën tjetër të sulmojë një rrjet elektrik apo një sistem armësh? Ajo mund të jetë madje aq inteligjente sa t’u shmanget përpjekjeve për ta çaktivizuar.
Bota duhet të veprojë urgjentisht për ta parandaluar këtë rrezik. Megjithatë, demokracitë duhet të shmangin edhe humbjen e kontrollit në favor të regjimeve autoritare. Këto janë detyra të vështira dhe që bien ndesh me njëra-tjetrën. Në fund, ato mund të çojnë në luftë. Vështirë të imagjinohet se mund të vihej më shumë në rrezik. / The Economist – Bota.al
Kufiri i ardhshëm nuk është inteligjenca artificiale, por shoqëritë artificiale