Pse e presim me indiferencë lajmin se Inteligjenca Artificiale mund të na shfarosë?

Cila është rrugëdalja nga ky nihilizëm kur vjen fjala tek Inteligjenca Artificiale? Ka disa përgjigje dhe asnjëra nuk do të vijë nga teknologjia. Një nga gjërat që duhet të bëjmë është të përcaktojmë përbërësit e lulëzimit njerëzor.

Brigid Delaney

Përfytyrimi i së ardhmes si pothuajse krejtësisht e zymtë është përvjedhur disi në ndërgjegjen kolektive këtë vit.

Javën e kaluar po pija kafe me një mik të vjetër. Po më tregonte se çfarë donin të studionin fëmijët e tij kur të shkonin në universitet, kur papritur e ndërpreu fjalën, e nguli vështrimin diku në zbrazëti dhe tha: “Do të doja të mos kisha bërë kurrë fëmijë”.

Kishte 20 vjet që ishte baba dhe nuk e kisha dëgjuar kurrë të thoshte diçka të tillë.

‘O Zot, pse?”

Ai i do fëmijët e tij pa masë, por pikërisht në atë çast dukej i dëshpëruar.

“Inteligjenca Artificiale”, u përgjigj.

“Çfarë ka ajo?”

Në këtë pikë, mund të ishte çfarëdo gjëje që lidhej me IA-në. Mos vallë ajo do të merrte të gjitha vendet e punës ku mund të punonin fëmijët e tij, duke ua lënë jetën në varfëri, pa qëllim e pa kuptim? Apo shqetësimi lidhej me mjedisin, me gjithë ujin dhe energjinë që konsumon IA-ja, të cilat do ta rëndojnë më tej klimën dhe do ta bëjnë planetin të pabanueshëm? Apo ishte lajmi i asaj jave se IA-ja mund “t’i vriste të gjithë njerëzit”, brenda dhjetë viteve të ardhshme?

Ishte kjo e fundit. Folëm për pak kohë, pa gjallëri, për këtë punën e vrasjes së të gjithë njerëzve, pastaj kaluam te diçka tjetër. Por hija kishte rënë dhe nisa të pyesja veten: a është kaq dërrmuese tërësia e krizave me të cilat përballemi, sa nuk kemi më as aftësinë të flasim për to me ndjesinë e urgjencës? 

Në vend të kësaj, ato thjesht janë aty, në ajër, përreth nesh, si ndotja, ku çdo grimcë përmban skenarin e vet të fundit të botës, dhe e vetmja mënyrë për të qëndruar në këtë atmosferë është të mpihemi para saj.

Lexo edhe:

Kufiri i ardhshëm nuk është inteligjenca artificiale, por shoqëritë artificiale

Aktualisht, për shumë prej nesh, të gjitha vendimet e së shkuarës dhe të së ardhmes po përthyhen përmes këtij çasti të çuditshëm dhe të errët.

Nëse je në moshë të mesme, kjo shfaqet si te miku im: duke dëshiruar, qoftë edhe për një çast, të mos kishe sjellë kurrë fëmijë në këtë botë. Ose mund të shfaqet si pyetja nëse ia vlen të vazhdosh të punosh, kur nuk do të mund të shijosh një pension normal.

Nëse je i ri, kjo shfaqet si pamundësia për të zgjedhur një degë universitare apo një profesion, sepse nuk e di se cilat profesione apo zanate do të bëhen të panevojshme pas pak vitesh. Ose duke pyetur veten nëse ia vlen të sakrifikosh e të kursesh për parapagimin e stërmadh të një shtëpie, nëse nuk do të kesh një punë të mirëfilltë apo një të ardhme që të të mundësojë shlyerjen e një kredie hipotekare 30-vjeçare.

Dhe nëse je më i moshuar, kjo shfaqet si mirënjohje që nuk do të jesh më këtu për ta parë gjithçka të shpërbëhet.

Ka disa përgjigje, ose rrugëdalje, nga ky nihilizëm me të cilin përballemi tani: dhe asnjëra nuk do të vijë nga teknologjia.

E para është të zgjohemi. Zakonisht, nëse dikush do të përpiqej vërtet të të vriste, nëse do të hynte me forcë në shtëpinë tënde dhe do të tentonte të të merrte jetën, ti do të kundërviheshe.

Megjithatë, lajmin se Inteligjenca Artificiale mund të shkaktojë zhdukjen e njerëzimit e presim me një indiferencë, si të mpirë.

Duhet të kujtojmë se askush nuk e kërkoi në të vërtetë IA-në, e megjithatë, ja ku është papritur, duke u përpjekur të na vrasë. Dhe edhe nëse kjo shmanget, ajo po depërton në vendet tona të punës dhe në jetën tonë emocionale (GPT-ja mund të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve të shëndetit mendor në SHBA), duke na zhveshur nga aftësia për të menduar në mënyrë kritike dhe duke kërcënuar qëndrueshmërinë ekonomike e shoqërore.

Pse jemi kaq të mpirë përballë një kërcënimi që, për momentin, mund të parandalohet?

Kjo mpirje mund të jetë pasojë e pothuajse 20 viteve me telefona inteligjentë dhe rrjete sociale, gjatë të cilave, të varur nga argëtimi, na është shkurtuar kohëzgjatja e vëmendjes dhe, përmes algoritmeve të personalizuara, na është dobësuar aftësia për t’u organizuar dhe për të vepruar kolektivisht.

Lexo edhe:

Inteligjenca Artificiale / Kemi filluar të humbasim kontrollin. Është koha ta ndalim

Ose shkaku mund të jetë pushteti i jashtëzakonshëm politik i kompanive teknologjike, për shkak të të cilit të gjithë ne, përfshirë qeveritë, ndihemi të pafuqishëm ose kemi rënë nën kontrollin e gjigantëve të teknologjisë.

Mund të jetë edhe se vërshimi i kësaj gjëje, i këtij përparimi, i Shpikjes së Fundit, na duket i pashmangshëm dhe se, ashtu si në rastin e luditëve që mësynin fabrikat, çdo qëndresë është, në fund të fundit, e kotë.

Zgjidhja e radhës, pasi të zgjohemi, është t’u rikthehemi parimeve themelore. Cilët janë përbërësit e lulëzimit njerëzor? Kur të arrijmë ta shprehim qartë këtë, do të kemi një litar që mund të na udhëheqë sërish drejt vendit ku duhet të jemi.

Lulëzimi njerëzor nuk do të thotë të kesh një makinë që mendon në mënyrë kritike në vendin tënd, por të përjetosh kënaqësinë dhe mundimin e të kuptuarit të gjërave vetë.

Lulëzim janë marrëdhëniet mes njerëzve, në të cilat kujdesemi për njëri-tjetrin dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin të rritet. Nuk është të flasësh me një model të madh gjuhësor për 18 orë në ditë rreth problemeve të tua personale.

Lulëzim do të thotë të kesh një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me botën natyrore, jo ta përjetosh botën përmes një ekrani, apo të shkatërrohet e të degradohet vetë natyra për të krijuar më shumë kapacitet për një ekzistencë të mbështetur te ekranet.

Të gjitha këto janë gjëra për të cilat ia vlen të luftojmë. Teknologjia e ka një vend në botën tonë. Por kur nisim të dëgjojmë se ajo mund ta shkatërrojë botën tonë, duhet të zgjohemi, ta shkundim atë ndjesi mpirjeje dhe të fillojmë të kundërvihemi.

Brigid Delaney është autore e pesë librave, përfshirë «The Seeker and the Sage» / The Guardian – Bota.al

Lexo edhe:

Inteligjenca Artificiale mund të vrasë të gjithë njerëzit brenda dekadës: sa seriozisht duhet t’i marrim?

Back to top button