MagazineMistere

Çfarë mund të mësojmë nga studimi i UFO-ve

Nga Avi Loeb

Në librin e tij “Fundi i fëmijërisë”, Artur Klark tregon historinë e një pushtimi paqësor alien të Tokës, që ndodh në kurriz të identitetit dhe kulturës unike të njerëzimit. Një raport për Kongresin Amerikan nga Pentagoni dhe agjenci të ndryshme të inteligjencës, rreth shikimit të objekteve të paidentifikuara fluturuese (UFO) nga personeli i ushtrisë, është planifikuar të publikohet së shpejti.

Raporti thuhet se arrin në përfundimin, se disa nga UFO-të janë vërtet objekte reale, por natyra e të cilave nuk mund të vlerësohet dot më një lloj besueshmërie. Më shumë gjasa, objektet e raportuara kanë shpjegime të rëndomta, por ne kemi nevojë për prova më të mira për t’u siguruar se çfarë janë.

Nëse ato përfaqësojnë teknologji të huaj, UFO-të mund të jenë robotike – pajisje autonome që ndjekin një plan të hartuar nga një specie inteligjente përtej Tokës. Ato mund të jenë makina vetë-përsëritëse, siç parashikohet nga polimatematikani Xhon Von Njuman.

Teknologjia jonë aktuale, evoluon në mënyrë eksponenciale në një shkallë kohore disavjeçare. Pajisjet që përdorim sot, do të dukeshin të pamundura një shekull më parë. Lidhja globale me Wi-Fi dhe interneti, e kanë revolucionarizuar sjelljen njerëzore gjatë dekadave të fundit, dhe po kështu do të bëjë edhe inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria gjenetike në dekadat e ardhshme.

Meqë shumica e yjeve u formuan miliarda vjet para diellit, mund të mendohet se civilizimet teknologjike që u shfaqën rreth tyre, kishin më shumë kohë për të zhvilluar shkencën dhe teknologjinë e tyre sesa ne, dhe krijuan pajisje që përfaqësojnë të ardhmen tonë, dhe që tani për ne do të dukeshin magjike.

Kjo pajisje mund të jetë po aq e avancuar, sa të na duket si një lloj përafrimi me Zotin. Kur të na vizitojnë pajisje të tilla, takimi do t’i bënte jehonte përvojës tonë të fëmijërisë, për të mos kuptuar plotësisht veprimet e një fuqie më të lartë që sheh mbi shpatullat tona.

Mundësia që sipas raportit të Pentagonit, UFO-t të jenë ndërtuar nga njerëzit, mund të përjashtohet nga identifikimi i sjelljeve, të cilat nuk mund të riprodhohen dot nga pajisjet tona më të përparuara. Ne i dimë kufijtë tanë teknologjikë, pasi çdo përparim që shkon përtej tyre do të kishte sjellë përfitime të mëdha tregtare ose ushtarake, dhe do të ishte i pranishëm në tregun e konsumit apo në fushën e betejës.

Gjithsesi, shumica e njerëzve mund të zgjedhin të injorojnë raportin e Pentagonit, dhe të ruajnë qëndrimin e tyre të mëparshëm. Vajza ime më tha se nuk ka ndërmend të humbasë ndeshjen e saj të futbollit ditën që do të bëhet publik raporti, pavarësisht nga përmbajtja e tij.

Në një forum të kohëve të fundit rreth librit tim “Jashtëtokësor” dhe librit më të ri “Jeta në kozmos”, unë u pyeta se sa edhe për sa kohë njerëzit mund të injoronin jetën inteligjente jashtëtokësore.

Unë u përgjigja:“Njerëzit mund të zgjedhin të qëndrojnë përgjithmonë injorantë mbi këtë çështje. Ata mund të refuzojnë të njohin një realitet që nuk i bën lajka egos së tyre, siç është ideja e thjeshtë se ne nuk jemi speciet më të zgjuara në Rrugën e Qumështit”.

Por realiteti nuk shqetësohet nëse e injorojmë apo jo. Ekzistenca e fqinjëve nuk ndryshohet nëse ne mbyllim perdet e dritareve tona dhe i shpërfillim ata. Pentagoni ka qasje tek shumë me tepër të dhëna sesa bën publike.

Raporti i tij, pritet të thotë se realiteti i disa UFO-ve është i vërtetë përtej çdo dyshimi, por që natyra e tyre kërkon një studim të mëtejshëm. Prandaj është koha e duhur që komuniteti shkencor të shohë nga afër raportet mbi UFO-t, duke mbledhur dhe analizuar të dhëna të reja me instrumentet dhe kompjuterët më të mirë në një strukturë të kontrolluar. Të dhënat e reja, mund të merren nga pajisjet matëse që kanë aftësi shumë më të mëdha se sa pajisjet që siguronin të dhënat mbi rastet e dikurshme të UFO-ve.

Një studim i ri shkencor që ofron prova të riprodhueshme për vëzhgimet e UFO-ve, dhe hedh dritë mbi natyrën e tyre, do të tregonte fuqinë e shkencës në dhënien përgjigje ndaj një pyetjeje që është qartazi me interes të madh për publikun.

Dhënia e një përgjigje përfundimtare bazuar tek të dhënat transparente, do të rrisë besimin e publikut tek dijet e bazuara në prova. Aktualisht, misteri i UFO-ve që ka rrethuar pritshmërinë e këtij raporti, do të nxisë spekulime të pabazuara. Një eksperiment shkencor vendimtar premton qartësimin e kësaj çështje.

Instrumenti i kërkuar ka të ngjarë të përfshijë kamerat më të fundit në teleskopët e fushës së gjerë që skanojnë qiellin. Të dhënat do të përpunohet nga një sistem kompjuterik i përparuar, që do të ruajë vetëm tiparet thelbësore të ndryshores.

Fokusi tek dukuritë ajrore që lëvizin shpejt nëpër qiell, është i ndryshëm nga vëzhgimet astronomike të burimeve të largëta. Pavarësisht nëse origjina e UFO-ve është tokësore apo jashtëtokësore, ne do të mësojmë diçka të re dhe emocionuese nga studimi i tyre shkencor. Edhe një UFO e vetme me origjinë jashtëtokësore, do të frymëzojë frikën tek njerëzit se alienët mund të jenë keqdashës, siç besonte edhe i ndjeri Stefën Houking. Por ata mund të jenë dashamirës.

Shënim: Avi Loeb, ish-drejtues (2011-2020) i departamentit të astronomisë në Universitetin e Harvardit, aktualisht drejtor i Institutit për Teorinë dhe Llogaritjet në Qendrën Harvard-Smithsonian për Astrofizikën.  / “Scientific American” – Bota.al

Back to top button
Close
Close