HistoriMAIN

Cili është qytetërimi më i vjetër në botë?

Gjatë mijëra viteve janë ngritur dhe kanë rënë shumë qytetërime. Por cili është qytetërimi më i vjetër i regjistruar? Rreth 30 vjet më parë, kjo pyetje dukej se kishte një përgjigje të drejtpërdrejtë. Rreth vitit 4000 Para Krishtit, faza më e hershme e kulturës sumere u ngrit si qytetërimi më i vjetër në rajonin e Mesopotamisë, në Irakun e sotëm.

Sumerët e morën këtë emër nga qytetit antik Sumer, që ndodhej disa km në jug të qytetit të sotëm irakian Kut, në lindje të vendit. Arkeologët e quajnë fazën më të hershme sumeriane periudhën e Uruk, sipas qytetit po aq të lashtë Uruk, që ndodhej rreth 80 kilometra më në jugperëndim,dhe janë gjetur shumë nga artefaktet më të vjetra sumeriane.

Por dëshmitë e zbuluara gjatë dekadave të fundit, tregojnë se sumerët kanë disa rivalë në këtë aspekt, duke përfshirë Egjiptin e lashtë. Përkufizimi mbi atë që përbën një qytetërim është i paqartë. Por në përgjithësi thuhet se një kulturë duhet të arrijë disa shenja dalluese, veçanërisht urbanizmin – pra ndërtimin e qyteteve – sistemin e ujësjellësit dhe shkrimin.

Sumerët i kishin që të treja këto elementë. Pas vitit 2000 Para Krishtit, qytetërimi sumerian çoi drejtpërdrejt në themelimin e qytetërimit babilonas në Mesopotami, që të vlerësohet për zbulimin e të vërtetave matematikore si trigonometria dhe numrat e thjeshtë, katrorë dhe në kub, koncepte këto që u zhvilluan më tej nga grekët e lashtë më shumë se 1000 vjet më vonë.

Sumerët mund të kenë shpikur edhe fenë, duke ndërtuar në qytetet e tyre tempuj të lartë të quajtur Zigurat, si dhe duke krijuar kasta klerikësh që merreshin enkas me adhurimit ritual të hyjnive të veçanta, thotë historianit amerikan Samuel Noah Kramer.

Se cilët Zota ishin më të fuqishëm në panteonin e gjerë sumerian, kjo varej nga vendi dhe koha. Për shembull, Perëndia e qiellit Anu, ishte shumë popullore në fillim të Epokës së Urukut. Ndërsa Perëndia e stuhisë Enlil adhurohej në Sumer.

Inanna – “Mbretëresha e Qiellit” – mund të ketë qenë fillimisht një perëndeshë e pjellorisë në Uruk. Por adhurimi i saj u përhap edhe në qytete të tjera të Mesopotamisë, ku ajo njihej si Ishtar, dhe mund të ketë ndikuar te perëndeshat e qytetërimeve të mëvonshme, si Astarte ndër hititët dhe Afërdita tek grekët e lashtë.

Një histori shumë e ngjashme me atë të Noeut të Biblës Hebraike, i cili ndërtoi një arkë që e mbushi me kafshë për ta shpëtuar familjen e tij gjatë një përmbytjeje të madhe të shkaktuar nga zemërimi hyjnor, rrëfehet në Eposin e Gilgameshit. Arkeologët mendojnë se ajo ishte në fillim një histori sumeriane që daton rreth vitit 2150 Para Krishtit, pra disa shekuj përpara se sa të shkruhej versioni hebraik.

Por disa studiues argumentojnë se qytetërimet e tjera, mund të jenë po aq të vjetra, në mos edhe më të vjetra se ai i sumerëve. “Unë do të thoja se Egjipti dhe Sumeri ishin në thelb bashkëkohorë në shfaqjen e tyre”- shprehet Filip Xhons, kuratori i asociuar dhe ruajtësi i koleksioneve në seksionin babilonas të “Penn Museum” në Filadelfia.

Dekadat e luftës dhe trazirave në Irak, kanë bërë që arkeologët të mos kenë qenë në gjendje që të gërmojnë në shumë site të Mesopotamisë së vjetër. Por egjiptologët kanë vazhduar gërmimet e tyre thotë Xhons. Rezultati është se arkeologët në Egjipt, tani kanë zbuluar shkrime po aq të hershme sa shkrimet më të hershme nga Sumeri.

Kjo sugjeron se faza më e vjetër e qytetërimit të lashtë egjiptian u shfaq afërsisht në të njëjtën kohë me fazën më të hershme të qytetërimit sumerian: rreth vitit 4000 Para Krishtit. Një mundësi tjetër është qytetërimi i Luginës Indus, që shtrihej në pjesë të asaj ku sot ndodhet Afganistani, Pakistani dhe India veriperëndimore, dhe që daton të paktën në vitet 3300 Para Krishtit, bazuar tek artefaktet më të hershme të gjetura atje.

“Por ne mund të gjejmë gjëra shumë të hershme në Luginën Indus. Nuk do të befasohesha nëse do të gjenim diçka që të ishte po aq e hershme”- thotë arkeologu. Xhons dyshon se tregtia e hershme përgjatë skajeve të Oqeanit Indian, i ndihmoi këto qytetërime më të hershme – egjiptiane pranë Detit të Kuq, Sumeriane në skajin verior të Gjirit Persik dhe qytetërimin e Luginës së Indus më tej në lindje – që të zhvillohen më shumë njerëzit e para-civilizuar, të cilët kanë jetuar atje para tyre, duke u sjellë burime dhe ide nga zona më të largëta. “Unë besoj se ndoshta ka pasur një rrjet tregtar në Oqeanin Indian”- thotë ai. / LiveScience – Bota.al

Back to top button