Covid19

Covid-19: Vaksina e Oksfordit, prodhon përgjigje të fuqishme imunitare tek të moshuarit

Rezultatet e testeve të fundit, sugjerojnë se vaksina e koronavirusit e Universitetit të Oksfordit, prodhon një përgjigje të fortë imunitare tek të rriturit e moshuar. Universiteti pritet të bëjë publike të dhëna mbi efektivitetin e vaksinës në javët në vijim.

Vaksina ChAdOx1 nCov-2019, është treguar se shkakton një reagim të fortë imunitar tek të rriturit e shëndetshëm të moshës 56-69 vjeç, dhe tek njerëzit mbi 70 vjeç. Të dhënat e fazës së dytë, të botuara në revistën mjekësore“The Lancet”, sugjerojnë se një nga grupet më të prekshme ndaj sëmundjeve të rënda dhe vdekjes nga Covid-19 mund të nxisë një përgjigje të fortë imunitare, thonë studiuesit.

Sipas tyre, vullnetarët që morën pjesë në testim shfaqën përgjigje të ngjashme imune në të tria grupmoshat (18-55, 56-69 dhe 70 vjeç e sipër). Studimi i 560 të rriturve të shëndetshëm – përfshirë 240 mbi moshën 70 vjeç – zbuloi se vaksina tolerohet më mirë tek njerëzit e moshuar krahasuar me të rriturit në moshë më të re.

Rezultatet janë në përputhje me të dhënat e fazës së parë, të raportuara për të rriturit e shëndetshëm të moshës 18-55 vjeç në fillim të këtij viti. Vullnetarët morën dy doza të vaksinës kandidate, ose një vaksinë placebo të meningjitit.

Tek pjesëmarrësit nuk u vu re asnjë efekt anësor serioz shëndetësore në lidhje me vaksinën. “Të moshuarit, janë një grup prioritar për vaksinimin kundër Covid-19, pasi ata janë të rrezikuar të sëmuren rëndë nga kjo sëmundje. Por ne e dimë gjithashtu, se ata kanë tendencën të kenë përgjigje më të dobëta ndaj vaksinës”- thotë dr.Maheshi Ramasami, kërkues në Oxford Vaccine Group.

“Ne u kënaqëm kur pamë që vaksina jonë jo vetëm që tolerohej mirë tek kjo grup-moshë, por që ajo stimulonte gjithashtu përgjigje të ngjashme imune si ato që vërehen tek vullnetarët më të rinj. Hapi tjetër do të jetë vëzhgimi nëse kjo përkthehet në mbrojtje nga vetë sëmundja”- thekson ai.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre janë premtuese, pasi tregojnë se të moshuarit po tregojnë një përgjigje të ngjashme imune ashtu si të rriturit në moshë më të re. “Reagimet imune nga vaksinat, shpesh zbehen tek të rriturit më të moshuar, pasi sistemi i tyre imunitar dobësohet  gradualisht me kalimin e viteve, gjë që i bën të rriturit e kësaj kategorie më të ndjeshëm ndaj infeksioneve”- tha autori kryesor i studimit profesor Endrju Polard, nga Universiteti i Oksfordit.

Dr.Ramasami shton:“Përgjigjet e antitrupave të fuqishëm dhe të qelizave T që shfaqen tek njerëzit e moshuar në studimin tonë janë inkurajuese. Popullatat në rrezik më të madh nga një formë serioze e Covid-19, përfshijnë njerëz me sëmundje kronike ekzistuese, dhe të rritur të moshuar.

Ne shpresojmë që vaksina jonë të ndihmojë në mbrojtjen e disa prej njerëzve më të prekshëm në shoqëri, por duhen kërkime të mëtejshme para se të jemi të sigurt për këtë gjë”.

Studimi gjithashtu sugjeron se vaksina e zhvilluar në bashkëpunim me AstraZeneca, kishte më pak të ngjarë të shkaktonte reagime lokale në vendin e injeksionit, apo simptoma

në ditën e vaksinimit tek të rriturit më të moshuar, sesa në grupin e vullnetarëve më të rinj në moshë.

Efektet anësore ishin të lehta – dhimbje dhe ndjeshmëri në vendin e injeksionit, lodhje, dhimbje koke, ethe dhe dhimbje muskulore – por më të zakonshme sesa shihen tek grupi që ka marrë vaksinën e kontrollit. Vetëm 13 efekte anësore të rënda, ndodhën brenda 6 muajve që nga marrja e dozës së parë.

Autorët vërejnë disa kufizime në studimin e tyre, përfshirë fatin që pjesëmarrësit në grupmoshën më të vjetër, kishin një moshë mesatare 73-74 vjeç dhe disa sëmundje kronike. Prandaj ata mund të mos jenë përfaqësues të popullatës së përgjithshme të moshuar, duke përfshirë ata që jetojnë në qendrat e kujdesit rezidencial apo ata që janë mbi 80 vjeç.

Provat e fazës 3 të vaksinës kandidate janë duke vazhduar, ndërsa rezultatet më të hershme të efikasitetit të mundshëm pritet të bëhen publike javët e ardhshme.

Autoritetet britanike kanë porositur tashmë 100 milionë doza të kësaj vaksine – të mjaftueshme për të vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë – nëse ajo merr miratimin nga autoritetet rregullatore.

Leave a Reply

Back to top button