Bota

Dashnore dhe kurthe, tradita e vjetër kompromatit

Rusët pohojnë se nuk kanë materiale sekrete kundër Donald Trumpit, dhe shtojnë se, në çdo rast, do të kishin qenë pak të dobishme, duke parë që mbështetësit e presidentit të zgjedhur kanë treguar se i falin çdo lloj mëkati. Megjithatë askush nuk e mohon që, ajo e “kompromatit”, materiali kompromentues i mbledhur dhe përdorur për të shantazhuar kundërshtarët, është një traditë e vjetër që nuk “vdes” kollaj. Që në kohët e Bashkimit Sovjetik, deri në zgjedhjet e fundit politike. Mikhail Kasyanov, ish Kryeministër, një prej drejtuesve të opozitës, ishte “punuar” tashmë nga armiq të panjohur.

Për të gjithë ai ishte prej kohësh “Misha 2 përqind”, një referim i rryshfeteve që kish marrë gjithmonë. Më pas, në prag të zgjedhjeve të vitit që kaloi, përfundoi në televizion një filmim i Kasyanovit (i martuar) në shtrat me një aktiviste të njohur të partisë së tij.

Vetë Vladimir Putini, që në atë kohë ishte agjent i KGB-së, në vitet tetëdhjetë merrej me kundërmasat ndaj disidentëve, “masat aktive”, si quheshin ato në shkollën e KGB-së të Yasenevos, në dyert e Moskës. Në kujtimet e tij, presidenti nuk ka folur për kompromate, por për iniciativa për të dëmtuar manifestimet që organizoheshin në qytetin e tij të lindjes, Leningradin. “Nuk mundeshim t’i shpërndanim, kështu që organizonim në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, kundërmanifestime”, me punëtorë, kurora lulesh etj.

Operacionet kundër diplomatëve të huaj kanë qenë gjithmonë një specialitet i zyrave të specializuara të KGB-së (sot FSB). Në vitet pesëdhjetë, për shembull, një ushtarak i ri britanik, John Vassall, zbuloi se i dashuri i tij ishte në të vërtetë një karrem i KGB-së. Dhe në vendin e tij, në atë kohë, homoseksualizmi ishte i ndaluar.

Operacione të ngjashme kanë goditur në vitin 2009 një tjetër diplomat britanik (në Internet u shfaq një filmim ku ai shfaqej bashkë me dy prostituta) dhe amerikanin Hatcher, i fiksuar edhe ai me një prostitutë.

Një tjetër veprim klasik i shërbimeve ruse është përdorimi i vajzave të paguara për të marrë pjesë në darka elegante. Por duhet thënë gjithashtu që shpesh herë, protagonistët e këtyre ngjarjeve, bien shpesh edhe vetë brenda. Prokurori i përgjithshëm Yurij Skuratov, që në vitin 1999 hetonte mbi tangentet e Kremlinit, u peshkua, për shembull, me dy vajza në saunën e një personi që ai po e hetonte. / CdS – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button