EkonomiMAIN

EKONOMIA / Evropën e presin disa muaj shumë të vështirë

Për shumë vëzhgues me përvojë të politikës monetare, dy deklaratat e mëposhtme janë kontradiktore. Eurozona përballet me një kërcënim të madh të një recesioni që mund të ndodhë në fund të këtij viti. Megjithatë, Banka Qendrore Evropiane duhet të anulojë mbështetjen monetare nga ekonomia e eurozonës, dhe të rrisë normat e interesit.

Për vite me radhë, për drejtuesit e bankave qendrore në Evropë, është cilësuar si përgjigja e duhur mbështetja e shpenzimeve në kohëra të vështira, nëpërmjet politikave monetare më të lirshme, si dhe marrja e çdo lloj mase që ishte e mundur për të shmangur recesionin.

Për këtë arsye, Banka Qendrore Evropiane fitoi një respekt të gjerë sidomos kur presidenti i atëhershëm i saj, Mario Dragi, u zotua para një dekade të bënte “çfarëdolloj gjëje që duhej” për të gjallëruar rritjen ekonomike në rajon. Premtimi për një mbështetje monetare të pakufizuar, i dha fund krizës së eurozonës.

Por në vitin 2022, rrethanat nuk janë shumë të ngjashme me vitin 2012, ndaj politikat duhet t’u përshtaten rrethanave të reja. Dhjetë vjet më parë, Evropa ishte e përfshirë në një mori politikash shtrënguese për të përmirësuar financat publike, papunësia në të gjithë bllokun ishte mbi 10 për qind, dhe në rritje të vazhdueshme.

Inflacioni ishte pak më shumë se 2 për qind dhe në rënie. Pra kishim të bënim me një ekonomi që kishte nevojë për stimul. Sot papunësia në të gjithë eurozonën ra në 6.8 për qind në muajt mars dhe prill 2002, pra në nivelin e vet më të ulët që nga krijimi i monedhës së përbashkët në vitin 1999. Ndërkohë inflacioni në maj arriti në 8.1 për qind.

Dhe në vend të masave shtrënguese, vendet evropiane po planifikojnë të ulin shpenzimet e tyre nën nivelin e fondin e rimëkëmbjes prej 800 miliardë eurosh. Megjithëse ngjashmëritë me një dekadë më parë janë të pakta, kjo ende nuk mjafton për të mbështetur një politikë monetare më të shtrënguar, të cilën BQE ka të ngjarë ta çojë më tej në mbledhjen e saj të radhës.

Për këtë, ne duhet të shohim më nga afër forcat që ndikojnë tek oferta dhe kërkesa në ekonominë e eurozonës, si dhe rreziqet që lidhen me ndërhyrje të ndryshme. Rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm që nga rimëkëmbja e fortë nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi verën e kaluar.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në të gjithë eurozonën u rrit vetëm 0.3 për qind gjatë 3-mujorit e fundit të 2021 dhe vetëm 0.2 për qind në 3-mujorin e parë të 2022, që përkoi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në 3-mujorët e ardhshëm, kërkesa do të rritet për shkak të heqjes së shumicës së kufizimeve antiCovid këtë verë, sidomos për ofruesit e shërbimeve që përballen me konsumatorët.

Por ajo do të frenohet nga rritja e kostos së jetesës për shkak të çmimeve më të larta të energjisë. Por nëse normat e rritjes mbeten të dobëta apo kthehen në shifra negative, e vërteta e hidhur është se Evropa duhet të shpenzojë më pak për gjëra të tjera, sepse si një importuese e energjisë, rritja e kostos së naftës dhe gazit i ka bërë që të gjithë më të varfër.

Nëse nuk njihet ky realitet, kërkesa do të vazhdojë ta tejkalojë ofertën, duke e shndërruar në një rritje ekonomike të përkohshme, kryesisht të çmimeve të energjisë, në një inflacion të përgjithshëm më problematik dhe të vazhdueshëm.

Kjo do të ndodhte e shoqëruar me ritme të dobëta të rritjes ekonomike, të ngjashme me ato të 3-mujorëve të fundit, apo edhe me një recesion të vogël. BQE vlerëson se barra faktike për konsumatorët për shkak të çmimeve më të larta të gazit, energjisë elektrike dhe benzinës arrin në 1.3 për qind të ardhurave kombëtare.

Kjo është më së paku, goditja që do të pësojmë të gjithë. Ndërsa në vitin 2011, Banka Qendrore Evropiane gaboi sepse priste që inflacioni i çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të vazhdonte në kohën e një depresioni ekonomik, gabimi më i rëndësishëm i politikës për rrethanat e sotme ndodhi në vitet 1970.

Më pas, vendet që shtypën me shpejtësi impulset inflacioniste përmes politikave monetare më të shtrënguar, me në krye Bundesbank e Gjermanisë Perëndimore, përjetuan një rënie ekonomike afatshkurtër. Rritja e çmimeve ishte të përkohshme, dhe nuk ndikoi shumë në  jetën e përditshme.

Ndërkohë vendet që ndoqën një rrugë më të përshtatshme – Italia dhe Franca – do të përballeshin me norma inflacioni vazhdimisht më të larta, dhe që imponuan recesione shumë më të forta në fillim të viteve 1980, për të frenuar inflacionin e madh.

Prandaj ky është momenti i duhur për të ndërmarrë veprime të hershme, me synim parandalimin e zmadhimit të problemit që mund të shkaktojë inflacioni i lartë. Ka shenja se rritja e çmimeve po bëhet më e përhapur për mallrat dhe shërbimet në Evropë.

Në muajin prill, 3/4 e të gjitha mallrave dhe shërbimeve ishin më shumë se 2 për qind më të larta se një vit më parë, duke treguar se kompanitë janë gjithnjë e më të gatshme të rrisin çmimet në vend se të reduktojnë marzhet e tyre të fitimit. Pritshmëritë afatgjata në lidhje me inflacionin janë rritur ndjeshëm në tregjet financiare, dhe nuk janë më nën objektivin 2 për qind të BQE-së.

Me një inflacion në nivelin 8 për qind dhe me normën e interesit të BQE-së ende negative, minus 0.5 për qind, norma reale e interesit është tejet e ulët edhe me politikën më shtrënguese që po ndjek aktualisht Banka Qendrore Evropiane.

BQE-ja ka të drejtë kur paralajmëron se do të rrisë normat e interesit në korrik, dhe më pas do t’i zhvendosë ato nga niveli negativ deri në shtator. Gjendja ekonomike është e keqe. Por rreziqet do të ishin më të mëdha nëse Banka Qendrore Evropiane nuk do të bënte asgjë.

Një ekonomi e lëkundur e eurozonës, mund të nxitet sërish nga një politikë monetare më e lirshme, nëse rënia rezulton të jetë më e thellë se sa kërkohet për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Në të kundërt, kostot e përballjes me humbjen e besimit të konsumatorit në aftësinë e autoriteteve për të kontrolluar çmimet, do të ishin tepër të mëdha.

Muajt në vazhdim do të jenë shumë të vështirë për ekonomitë evropiane. Të ardhurat do të bien, ka shumë të ngjarë të shohim një recesion, ndërsa normat e interesit duhet të rriten, gjë që do të rritë presionet mbi familjet. Situata do të jetë e vështirë. Por ky është rregullimi që duhet të bëjë çdo ekonomi evropiane, teksa po distancohemi nga energjia ruse e lirë por që në fund të fundit është më e rrezikshme. / Chris GillesFinancial Times

Bota.al

Back to top button