Magazine

Fabio Testi po jeton “Dolce Vita”-n e tij

Regjizori italian Vittorio De Sica triumfoi në Festivalin e Filmit të Berlinit, kur kryevepra e tij e vitit 1971 “Kopshti i Finzi-Continis” fitoi Ariun e Artë dhe një vit më vonë çmimin Oscar si filmi më i mirë i huaj. Po ashtu, ai film i dha aktori të famshëm italian Fabio Testi një “Glob të Artë” si aktori protagonist.

Gjysmë shekulli më vonë, me mbi 100 role në karrierën e tij, Testi mbetet aktiv dhe luan në rolet që nxjerrin në pah pamjen e tij të jashtme ende mahnitëse dhe oreksin e madh për skenën. Po ashtu ai është shumë i pranishëm në tabloidet italiane.

Një kërkim i shpejtë në Google mbi projektet aktuale filmike dhe televizive të Testit,dominohet nga historitë e aventurave romantike aktuale dhe të dikurshme me gra nga e gjithë bota. Testi mbush këtë vit 82 vjeç, dhe i është përkushtuar dy pasioneve të tjera përtej romancave të tij dashurore:bujqësisë dhe aktrimit.

“Kam bërë 102 filma me emrin tim”- thotë Testi për Variety nga veranda e pasme e fermës së tij në Liqenin Garda, Itali. Ai vë në dukje se karriera ishte më pak e planifikuar dhe më shumë e pashmangshme. Ofertat për të luajtur në filma ishin të njëpasnjëshme.

Testi kujton se ishte me fat që jetoi në Romë gjatë rilindjes artistike të qytetit në vitet 1970-1980, duke u bërë një element i kulturës pop në qytet, dhe duke pushtuar tituj e mediave me rolet e tij në film por edhe lidhjeve me aktore si Edwige Fenech, Ursula Andress, Charlotte Rampling etj.

“Ajo kohë ishte një moment i mirë për kinemanë italiane. Unë isha me fat që isha atje në momentin e duhur”- thotë aktori. Gjatë asaj që ai e quan si “kriza e parë e kinemasë” në fundin e viteve 1990, Testi e ktheu vëmendjen e tij tek teatri, me një rol në përshtatjen skenike të filmit të vitit 1954 fitues të çmimit Oscar me regjinë e Federico Felini “”La Strada” (Rruga).

“Të gjithë më kishin parë në kinematografi. Ndërsa në teatër mund të bëj çfarë të dua. Sigurisht, në një film është e vështirë të ndryshosh idenë e publikut. Ndërsa në skenën e teatrit është më e lehtë”- thekson ai.

Fillimisht në pronësinë e gjyshit të tij, toka e fermën e tij në Italinë e Veriut doli në shitje gjatë kulmeve të karrierës së tij filmike dhe Testi e bleu atë. Një qasje jo shumë e zakontë për kohën doli të ishte profetike, pasi Testi mbolli kivi.

Gjatë udhëtimeve të tij në Los Anxhelos ai kishte vizituar disa ferma me kivi, dhe ishte kurioz nëse mund të mbillte ato në tokën e vendlindjes së tij. Aventura e Testit si fermer pati një sukses, që ishte me i gjerë sesa investimi i tij fillestar në një sipërfaqe prej 10 hektarësh. “Italia u bë prodhuesi i parë i kivit në Evropë. Rasti im nisi si një hobi dhe më vonë u bë një biznes i mirë”- shprehet aktori. “Ferma e ndihmoi tim atë të qëndronte me këmbë në tokë, të ishte në kontakt me realitetin, me njerëzit e vërtetë, jetën reale”- shton djali i tij, Fabio Testi Jr.

Aktori u detyrua të ndryshojë sërish kurs, kur biznesi i kivit nuk ecte më si në fillim. Ai mbolli disa hektarë me ullinj dhe pemë të tjera që lejojnë rritjen e tartufit, duke zotëruar kështu fermën e parë të tartufit në zonën e tij. Fabio Testi ka në duar disa projekte filmike dhe televizive, por si gjithmonë ai i kushton kohë këshillimit dhe mësimit të brezit të ardhshëm të aktorëve.

Ai thotë se ka mësuar nga “më të mirët” e botës së kinemasë, dhe është i gatshëm që t’ia përcjellë dijet dhe përvojën talenteve të rinj që punojnë në industrinë e argëtimit. “Kinemaja është e bukur. Ajo është dashuria dhe jeta ime. Kur shoh një aktor apo këngëtar të ri, ata ndryshojnë, lëvizin, për t’iu përshtatur rrethanave. Por nëse je vërtet artist, nuk ke nevojë të ndryshosh veten. S’ke nevojë të jesh ndryshe nga ai që je. Mund të jesh aktor, këngëtar apo artist, por ji vetvetja”- thekson Testi. / bota.al

Back to top button