Personazhe

HELMUT KOHL / Biri dhe babai i Gjermanisë së re

Çdo gjë ishte “e përgatitur”, kur ai ishte i ri, për ta bërë Helmut Kohlin një profesionist të mirë të provincës gjermane. Në vend të kësaj, ai u bë një nga gjigandët e politikës botërore. Një histori e normalitetit të angazhimit qytetar, në një vend që zbuloi demokracinë pas katastrofës së luftës, e cila transformohet në një pjesë të jashtëzakonshme të historisë. Helmut Josef Michael Kohl, i lindur në 23 prill, 1930 në Ludvigshafen dhe i cili ndërroi jetë dje, është historia e Gjermanisë së pasluftës – një komb i dobësuar dhe poshtëruar nga vetvetja – që fillon me gjëra të vogla, dhe mbërrin deri në triumfin e ribashkimit të madh në vitin 1990. Më pas, do të niste një tjetër epokë, që do të marrë fytyrën e Angela Merkelit dhe Gjermanisë të shndërruar sërish në një fuqi botërore.

Helmut, me prindër katolikë, kish lindur në Perëndim, dhe ky ishte fat. Fat edhe që nuk kishte luftuar luftën e Hitlerit: i thirrur në armë në moshën 15 vjeç, në dëshpërimin katastrofik të ditëve të fundit të Rajhut të dërrmuar, nuk u angazhua asnjëherë. Vëllai i tij më i madh, Valter, vdiq në luftime. Kjo ishte një Gjermani, ajo që përqafoi në vitin 1946 kur u bashkua me partinë e kristiandemokratëve (CDU), e copëtuar, ende jo plotësisht e vetëdijshme që, me Holokaustin, kishte zhytur në kënetë të gjithë njerëzimin. Studioi juridik në Frankfurt dhe pastaj Shkenca Politike në Heildelberg, dukej se fati i tij ishte ai i një borgjezi të qetë të provincës së Rheinland-Pfalzit, e angazhuar për të ringritur industrinë e çelikut dhe atë kimike, e në të njëjtën kohë të hidhte themelet lokale per një mjedis demokratik. Teza e tij e doktoraturës në vitin 1958 ishte: “Zhvillimet politike në Pfalz dhe rindërtimi i partive politike pas vitit 1945”.

Edhe sot, karriera politike në Gjermani është e filtruar nga organizatat partiake lokale, nga struktura federale e vendit, nga eksperienca e lodhshme në qytete dhe në fshatra. Për të mësuar demokracinë. Vështirë të kërcesh – përjashto Frau Merkelin – nga eksperienca zero, drejt pushtetit. Udhëtimi i Kohlit ishte pikërisht ai tradicional: nga periferia në qendër. Së pari, baza mbi të cilën të ndërtonte karrierën: martesa me Hannelore Renner, në vitin 1959, ishin njohur kur ai ishte 18 dhe ajo 15 vjeç. Do të lindnin dy fëmijë. Në vitin 1973, u zgjodh president federal i CDU, Partia Konservatore, gur-themeli i Gjermanisë demokratike: do të mbetej deri në vitin 1998.

Dhjetë vitet e ardhshme i kaloi duke u përpjekur për të dëmtuar aleancën midis Social Demokratëve (SPD) dhe liberalëve që qeverisnin. Presioni pati sukses në vitin 1982, kur Kohli u bë kancelar, pasi bindi Liberalët për të prishur aleancën me SPD. U konfirmua në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai qëndroi në detyrë për 16 vjet, kancelari më jetëgjatë në detyrë pas Otto von Bismarckut. Në janar 1984, ai ishte i pari kryetar i qeverisë gjermane që foli në Knesset, parlamentin Izraelit. Në të njëjtin vit u takua me François Mitterrand në Verdun, fusha e betejës dhe e urrejtjes franko-gjermane. Kancelari i një epoke të re, me pak fjalë: pajtimi historik, detyrim për një Gjermani që tashmë kishte filluar të pyeste veten, institucionet e saj, kulturën e saj dhe të përpiqej të kuptonte, ose të paktën të mos harronte, Holokaustin. Një kancelar i mirë, deri në atë kohë.

Pika e kthesës e historisë erdhi papritur për Helmut Kohlin, në verën e vitit 1989, kur blloku sovjetik i Evropës Lindore filloi të shkërmoqet në nëntor, gjë që përfundoi me rënien e Murit të Berlinit. Pikërisht në atë moment, djali nga Ludvigshafeni provoi se ç’do të thotë të jesh një udhëheqës. Gjermania Lindore ishte në agoni, blloku sovjetik i shpërbërë, gjysma e Perëndimit, e frikësuar nga ideja e një Gjermanie të bashkuar. Në qendër të arenës së botës, merr kontrollin e Kushtetutës së Gjermanisë Perëndimore, që përcakton qëllimin e bashkimit, takohet me liderin sovjetik Michail Gorbaçov, merr miratimin e Presidentit Xhorxh Bush (i madhi), eleminon pengesat burokratike dhe hedh poshtë dyshimet e intelektualëve dhe opozitës së majtë, ndihmon fitoren në zgjedhjet e Gjermanisë lindore të një partie të re të lidhur me CDU-në, e thotë qartë se ribashkimi do të bëhet dhe që banorët e pjesës lindore do të ketë monedhën e atre të pjesës perëndimore, me një normë këmbimi një me një. Çdo gjë me një frymë: kur historia rend, edhe politikanët rendin.

Më 31 gusht, 1990, të dy Gjermanitë firmosën traktatin e ribashkimit. Ai hyri në fuqi më 3 tetor. Gjermania ishte përsëri një e bashkuar. Kohli mbyllte kështu kapitullin që ishte hapur me një humbje katastrofike në Luftën e Dytë Botërore, duke sjellë një epokë të re për vendin e tij dhe për Evropën. Kritikat ishin të ashpra, nga disa anë. Edhe brenda vendit: u fol për aneksim të Lindjes nga Perëndimi, anulim të  një historie, për një bast. Kohle e vendos dhe nuk pa kurk prapa. Në atë moment provinciali, dashnori i kuzhinës, u bë ai që ish-presidentët amerikanë Bush Sr dhe Bill Clinton e quajtën shtetari më i madh i pasluftës.

Ashtu si të gjitha karrierat politike, edhe ato të shtetarëve të mëdhenj përfundojnë. Jo gjithmonë mirë. Kohli humbi zgjedhjet e vitit 1998 përballë Social Demokratëve të Gerhard Schröderit. Ai u përfshi në fund të viteve nëntëdhjetë në një skandal fondesh të fushatës. “Vajza” që ai kishte zgjedhur në Evropën Lindore pas rënies së Murit, Angela Merkel, shkroi një artikull që shkaktoi rënien politike të mentorit të saj. Në vitin 2001, u bë dëshmitar i vetëvrasjes së gruas së tij Hannelore, e shkatërruar nga vite të tëra sëmundjeje dhe vetmi. Vuajti kritikat publike të djalit, i cili u ndje i braktisur nga një baba i rrëmbyer pre detyrës, por base ede neë egoja të mirë. Në vitin 2008, erdhi martesa me Maike Richter. Ndërkohë, në disa intervista kritikoi Angela Merkelin. Por tashmë ishte një zë nga e kaluara.

Djali nga Ludvigshafeni nuk ishte i përsosur në të gjitha, sidomos pas humbjes së pushtetit. Dhe ndoshta nuk ka qenë një politikan vizionesh. Ishte një burrë shteti i jashtëzakonshëm, atëherë kur duhej të ishte. Në traditën e liderëve të fuqishëm gjermane, por me diçka më themelore: provincial dhe prandaj demokrat, e ka dashur gjithmonë qilarin, asnjëherë Poloninë. Helmut Kohl, biri dhe babai i Gjermanisë së re. / La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button