BotaMAIN

INTERVISTA / Xhon Bolton: Liderët autoritarë si Trump, janë shumë më të rrezikshëm mandatin e dytë

Xhon Bolton, 71-vjeç, ishte në vitet 2018-2019 këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump për sigurinë kombëtare. Në një intervistë për “Der Spiegel”, ai flet për marrëdhëniet e Trump me gratë udhëheqëse, origjinën e konfliktit të tij me kancelaren gjermane Angela Merkel, NATO-n, dhe shanset e presidentit amerikan për një mandat të dytë.

Zoti Bolton, Donald Trump kishte nisur ta sulmonte kancelaren gjerman Angela Merkel që kur ishte ende një nga shumë kandidatët republikanë për president. Ai tha se politika e Merkel ndaj refugjatëve ishte një “fatkeqësi për Gjermaninë”. A kemi ne përshtypjen e gabuar, apo Trump është tepër i fiksuar pas kancelares?

Marrëdhëniet e Trump me kancelaren Merkel dhe ish-kryeministren britanike Tereza Mej ishin dy nga më të vështirat që unë kam parë. Mendoj që ai pa pasur probleme në raportet

me udhëheqëset gra. Por me Merkel, ishte diçka më e veçantë. Babai i presidentit ishte gjerman, ndaj kjo mund të ketë pasur një ndikim.

Por ka edhe arsye politike. Marrëdhëniet tregtare SHBA-BE, kanë qenë një burim kryesor polemikash midis të dyjave. Pastaj është çështja e mbështetjes financiare për NATO-n, dhe marrëveshja që secili vend anëtar të shpenzojë 2 për qind të PBB-së së tij për mbrojtjen, për të cilën ka rënë dakord edhe Gjermania.

Por Trumpi ka konflikte të ngjashme me një numër udhëheqësish të tjerë botërorë. A ka mundësi që ai të ketë thjesht probleme me gratë?

Mendoj se është një faktor. Por ai ka probleme me shumë liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike, burra apo gra qofshin. Ai duket se ka marrëdhënie më të mira me figura autoritare, sesa me ato që zgjidhen në vendet demokratike.

Si e shpjegoni këtë?

Një pjesë e vështirësisë që Trump has në çështjet ndërkombëtare, është mungesa prej tij e ndonjë baze filozofike. Ai nuk ka asnjë filozofi. Për shembull, unë jam një republikan konservator. Ai nuk është. Por nga ana tjetër, nuk është as edhe një demokrat liberal. Ai ka prirjen t’i ngatërrojë marrëdhëniet personale me udhëheqësit e huaj, me marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe atij vendi.

Pse Trump nuk tregon interes për bashkëpunim me partnerët e vjetër të Amerikës?

Ka një përpjekje të vazhdueshme nga analistët politikë në SHBA dhe Evropë, për ta kuptuar Trumpin, apo për të përcaktuar një Doktrinë Trump. Mos humbni më kohë me këtë gjë! Nuk ka asnjë Doktrinë Trump. Vendimi që ai merr në mëngjes mbi një çështje, mund të ndryshojë pasdite, kryesisht në varësi të konsideratave politike. Ai është kryesisht i interesuar për rizgjedhjen e tij.

Nëse rizgjidhet për një mandat tjetër, a do ta tërheqë Trump SHBA-në nga NATO,?

Kjo është shumë e vështirë të parashikohet. Tani për tani, ai ka një qasje të ashpër ndaj Kinës. Por nëse rizgjidhet, unë mendoj se është plotësisht e mundur që ai të kthehet menjëherë tek shoku i tij Xi Jinping, dhe të përpiqet të nisë sërish negociatat për një marrëveshje të re tregtare. Fati i Hong Kongut dhe një larmi temash të tjera, do të braktisen rrugës.

A është presidenti po aq i paparashikueshëm për stafin e tij, sa është për pjesën tjetër të botës?

Po. Pas samitit të NATO-s në korrik ne po shkonim në Londër për t’u takuar me Tereza Mejin, dhe më pas në Helsinki për takimin e famshëm me Vladimir Putinin. Trump i tha gazetarëve në aeroport:Nga këto takime, më e lehtë mund të jetë me Putinin. E kush do ta mendonte këtë? Përgjigja është:Askush tjetër përveç Donald Trumpit!

A do të duhet që Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës, të jenë përgjegjëse në të ardhmen për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre kombëtare?

Evropa duhet ta shohë Trumpin si një anomali në politikën amerikane. Ajo çfarë bën Trumpi nuk është politikë. Dhe për shkak se nuk pasqyron ndonjë filozofi, nuk do të jetë shumë e vështirë për t’u rikthyer në normalitet. Partia Republikane, beson se Evropa nuk duhet të lihet vetëm kur është fjala për mbrojtjen.

Problemi me Bashkimin Evropian, është se ka shumë retorikë për politika të forta të sigurisë, por jo shumë lëvizje në praktike. Ju i dëgjoni udhëheqësit evropianë të thonë pa pushim:”Ne do të mbrohemi vetë!”. Nëse njerëzit nuk janë të kujdesshëm, do të ketë të tjerë në Amerikë, njerëz si Trump, që do të thonë:”Epo mirë, rrugën e mbarë!”.

A e ka dëmtuar presidenca Trump reputacionin e Shteteve të Bashkuara?

Dëme ka. Nëse Trump humbet në nëntor, riparimi i tyre do të jetë një nga detyrat kryesore për administratën Bajden. Por po ashtu i takon Partisë Republikane të sigurohet, që të mos përfundojmë më me një tjetër kandidat të tillë në të ardhmen.

Ajo që mund të ofroj si ngushëllim evropianëve ose të tjerëve, është ajo që tha dikur Uinston Çërçill. Ai tha:”Ju mund të mbështeteni gjithnjë tek amerikanët se do të bëjnë gjënë e duhur, vetëm pasi ata të kenë provuar gjithçka tjetër”. Dhe ajo që po bëjmë ne tani, është testimi i gjithçkaje tjetër.

Disa demokratë janë të shqetësuar se Trump do të injorojë humbjen në zgjedhje, dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë…

Unë nuk shoh të prova për diçka të tillë. Po të kishte, do t’i kisha përfshirë ato në librin tim. Trump është i aftë të bëjë thuajse çdo gjë. Por ky është një aspekt i asaj që ne e quajmë “Sindromi i Degradimit të Trump:E gjithë analiza politike përcaktohet nga Trump, nga ato që ai bën apo nuk bën. Dhe analiza ndalet në atë pikë.

Cila është frika juaj më e madhe nëse Donald Trump do të fitojë një tjetër mandat?

Druaj se ndikimi i liderëve autoritarë, mund të rritet në mandatin e tyre të dytë.

Ju e botuat librin tuaj pjesërisht për të mos e lejuar Trump të vijojë me një mandat të dytë. Shumë amerikanë, thonë se nëse ky do të ishte qëllimi juaj i vërtetë, atëherë ju duhet të kishit dëshmuar në seancat e impeachment-it…

Unë nuk mendoj se do të kishte sjellë ndonjë ndryshim. Demokratët donin një luftë partiake, dhe e zhvilluan atë. Për ta shpallur fajtor në Senat pas impeachment-it, duhej një shumicë prej dy të tretash, që do të thoshte se do të kishin nevojë për shumë vota të republikanëve. Por ata morën vetëm një prej tyre. Unë mendoj se çdo gjë që do të thoja në Senat, nuk do të kishte ndonjë vlerë.

A ka ndonjë shans që Trumpi të fitojë zgjedhjet në nëntor?

Absolutisht që jo. Ai është duke humbur shumë terren, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pasojave ekonomike negative. Por edhe sondazhet në vitin 2016, e rendisnin pas kundërshtarit. Ditën e zgjedhjeve kishte një konsensus universal, përfshirë shtabin elektoral të Trumpit, se ai do të humbiste. Për mendimit tim, nuk duhet të nënvlerësojmë asnjëherë aftësinë e Partisë Demokratike për të hedhur në erë një palë zgjedhje.

Marrë me shkurtime nga Der Spiegel – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button