Magazine

“Jeta e njeriut s’është veçse një ëndërr”. Fragmenti më i bukur nga “Vuajtjet e djaloshit Verter”

“Që jeta e njeriut s’është veçse një ëndërr, e di që e kanë thënë para meje edhe të tjerë, por prapë, çuditem sesa fort më ka pushtuar mua tani ky mendim. Kur shoh caqet e ngushta, brenda të cilave burgosen aftësitë e njeriut, veprimtaria dhe inteligjenca e tij, kur shoh sesi ne i harrojmë tërë forcat tona për përmbushjen e ca nevojave të cilat nuk kanë ndonjë qëllim tjetër përveç zgjatjes së ekzistencës sonë dhe më tej, sesi siguria jonë e qetë mbi shumë e shumë çështje të dijes s’është veçse një resinjatë e pafuqishme dhe e parëndësishme, njëlloj si ajo e ca të burgosurve që i mbulojnë muret e birucës së tyre me piktura të larmishme dhe gazmore – atëherë e kuptoj, o Vilhelm se s’mund veçse të hesht! Dhe mbyllem përsëri në veten time dhe zbuloj atje një botë krejt tjetër, por të ngjizur tepër me parandjenjën dhe me dëshira të vagullta e të muzgëta. Dhe ja, tek lëkundet atëherë përpara meje gjithçka dhe unë buzëqesh dhe vazhdoj, gjithnjë duke ëndërruar udhën time në këtë botë.

Që fëmijët nuk dinë çfarë duan, për këtë gjithë pedagogët më të ditur e më të shquar janë të një mendjeje; por që edhe të mëdhenjtë, ashtu si fëmijët, vijnë rrotull të pasigurt mbi tokë, pa ditur, po ashtu si ata, as nga vijnë dhe as nga shkojnë, e duke mos pasur ndonjë qëllim të qartë në jetë, drejtohen e mbahen në fre, njëlloj si fëmijët, me biskota, me shqereka e me dru, këtë askush nuk ka qejf ta pranojë, ndonëse për mendimin tim nuk ka ndonjë të vërtetë tjetër kaq të sigurtë e kaq të prekshme.
E di ç’do të thuash dhe jam gati të të jap të drejtë; më të lumtur nga të gjithë janë pikërisht ca njerëz të tillë që ashtu si fëmijët, rrojnë të shkujdesur të sotmen pa u merakosur për të nesërmen, heqin rrotull kukullat e tyre, i veshin dhe i zhveshin ato dhe, i vërtiten me shumë respekt dollapit ku mami ka mbyllur me çelës ëmbëlsirën dhe kur më në fund, e marrin atë pas së cilës ata kaq shumë janë limaksur, zënë e përtypen me të dy bulçitë dhe thërrasin “Akoma!”

Qenia të lumtura! Si lum gjithashtu edhe ata që janë të zotë e dinë t’u vënë një titull të bujshëm ca punëve të kota, në mos po edhe ca pasioneve të tyre të vakëta e qesharake dhe mburren me to, si të paskëshin qenë ca bëma të lavdishme për shpëtim e mbrothësi të njerëzimit! Si lum ata!

Por kush veç e sheh e kupton i përulur për ku priren të gjitha, e vë re se me sa zell çdo qytetari i kamur përpiqet dhe ia arrin të shndërrojë kopshtin e vet të vockël në një parajsë dhe, sesi edhe njeriu më i mjerë e fatzi, hiqet zvarrë përpara duke gulçuar i kërrusur nën barrë, i yshtur si ky dhe ai e të gjithë nga dëshira për ta parë dritën e diellit edhe një minutë më shumë… Kush i sheh dhe i kupton të gjitha këto, hesht dhe përpiqet ta ndërtojë botën brenda vetes së tij dhe ndihet i lumtur ngaqë, në mos tjetër, është njeri. Si edhe sepse, ndonëse i di mirë kufinjtë e fuqisë së tij, ia ngroh prapë zemrën ndjenja e ngrohtë e lirisë dhe vetëdija se mund të dalë kur t’i pëlqejë nga ky burg!”

Back to top button