Bota

Lirohet grupi i dytë i pengjeve, rikthehet marrëveshja

Një listë e re e pengjeve që pritet të publikohet sot nga Hamasi është pranuar nga zyra e kryeministrit izraelit. Mediat raportuan duke shpjeguar se qeveria tashmë ka marrë masa duke njoftuar familjarët e personave që do të lirohen sot.

Mbrëmjen e djeshme, pas një dite tensioni, u zgjidh ngërçi që kërcënoi të hidhte në erë armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit pas më pak se 24 orësh. Trembëdhjetë pengje izraelite u liruan dhe iu dorëzuan Kryqit të Kuq së bashku me katër qytetarë tajlandezë, pas disa orësh pasigurie dhe ankthi për të afërmit që prisnin. Menjëherë pas kalimit në vendkalimin Rafah dhe hyrjes në Egjipt u morën nga forcat speciale të ushtrisë izraelite dhe forcat e sigurisë të cilët i transferuan në territorin izraelit. Në të njëjtën kohë, Izraeli liroi 39 të burgosur palestinezë.

Pengjet e liruar nga Hamasi iu nënshtruan një kontrolli fillestar mjekësor. Ata do të vazhdojnë të shoqërohen nga ushtarë të IDF-së teksa do të shkojnë në spitalet izraelite, ku do të bashkohen me familjet e tyre. Në të njëjtën kohë filloi lirimi i 39 të burgosurve palestinezë nga burgu i Oferit. 13 pengjet izraelite janë të gjithë nga Kibbutz Beeri, një nga më të goditurit më 7 tetor.

Hamasi e kishte vonuar lirimin sepse sipas tyre, “Izraeli nuk i ka zbatuar elementet e marrëveshjes”. Një akuzë e hedhur poshtë nga Izraeli, e cila kishte kërcënuar “rinisjen e luftimeve nga mesnata e kësaj mbremje nëse pengjet nuk lirohen”. Ndalimi i marrëveshjes erdhi nga Brigadat al Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, i cili akuzonte për mosrespektimin e “marrëveshjes për hyrjen e kamionëve humanitar në Rripin verior të Gazës dhe dështimin për të përmbushur standardet e dakorduara për lirimin e të burgosurve”. Kundërshtimi i Hamasit, sipas asaj që mësohet, ka të bëjë me emrat dhe rendin kohor në të cilin Izraeli ka planifikuar lirimin e të burgosurve palestinezë.

Burimet politike izraelite, të cituara nga media, u përgjigjën se “nuk ka pasur shkelje të marrëveshjeve. Ashtu si Hamasi vendos në çdo fazë se kë të lirojë nga lista e pengjeve, ne vendosim se cilët të arrestuar të sigurisë palestineze do të lirohen në këmbim”. Sipas burimeve të sigurisë, “deri në 61 kamionë me ndihma humanitare nga 200 që kaluan sot, duke përfshirë tankera me karburant dhe gaz, u transferuan në Rripin verior të Gazës”.

Back to top button