Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kanë vendosur që të forcojnë praninë e marinës së aleancës ushtarake në Detin e Zi, në përgjigje të një Rusie gjithnjë e më agresive.
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha të enjten se NATO do të zhvillojë më shumë stërvitje ushtarake në detin me rëndësi strategjike, i cili kufizohet nga aleatët si Turqia, Bullgaria dhe Rumania, por edhe Rusia, Ukraina dhe Gjeorgjia.
Flota detare e Rusisë me bazë në Sevastopol në Krime ka qenë një shqetësim i madh për NATO-n.
Stoltenberg u tha gazetarëve pasi kryesoi bisedimet në Bruksel, se ky veprim “do të jetë i matur, ai do të jetë mbrojtës, dhe në asnjë mënyrë nuk do të synojë provokim konflikti apo përshkallëzim të tensioneve”.
Disa aleatë të NATO-s janë duke ofruar trupa tashmë për forcën me 3,000-5,000 ushtarë në Rumani./bota.al