Njerëzit manipulues vuajnë dhe i bëjnë të tjerët të vuajnë. Për shkak të mënyrës së të qenurit, nuk është aspak e lehtë të jetosh me ta. Për më tepër, në praninë e tyre, mund të bëhet shumë e vështirë të ndihesh mirë.
Modus operandi i tyre është i lehtë për t’u dalluar; përkundrazi, të kuptuarit e mekanizmave të personalitetit të tyre është një detyrë shumë më komplekse. Ndoshta gjëja e parë që mund të përmirësojmë është aftësia jonë për të njohur njerëzit manipulues. Në këtë mënyrë, ne mund të mbrojmë veten dhe të ndihmojmë të tjerët.
Karakteristikat kryesore të njerëzve manipulues:
1- Narcicismi
Narcicismi karakterizohet nga një dashuri e tepruar për veten. Njerëzit narcisistë besojnë se janë më të mirë se të tjerët. Ky mendim ruhet falë strategjive të ndryshme, si për shembull marrja parasysh vetëm e krahasimeve nga të cilat përfitojnë dhe nga të cilat dalin me avantazh. Sikur nga një gotë gjysmë e mbushur a gjysmë bosh, të kenë eleminuar pjesën e zbrazët.
Dialogu është një nga kontekstet në të cilat është më e lehtë të njihet ky lloj personi. Në vend që të interesohen për atë që bashkëbiseduesi duhet t’u thotë, ata e injorojnë dhe kujdesen vetëm për atë që kanë për të thënë. Në shumicën e rasteve, bashkëbiseduesit nuk ndihen të dëgjuar.
Nga ana tjetër, njerëzit manipulues besojnë se kanë një jetë plot emocione. Kur të flisni me ta, ndoshta do t’ju tregojnë për veprat e tyre të mëdha. Edhe pse vetëm narcisismi nuk është një simptomë e këtij lloji të personalitetit, së bashku me të tjerët mund të tregojë shumë.
2- Makiavelizmi
Makiavelizmi është një tipar personaliteti që i referohet prirjes për t’i trajtuar të tjerët sikur të ishin instrumente ose mjete dhe jo si qëllime. Të mos bësh dikë të vuajë, për shembull, do të jetë gjithmonë një objektiv dytësor prej tyre, kur krahasohet me mundësinë për të përparuar drejt qëllimeve që janë vendosur. Për këtë arsye, ata shpesh përdorin strategji të tilla si gënjeshtra apo shantazhi emocional.
Në prani të një personi të tillë, është e zakonshme të ndiheni sikur po veproni pa dëshirë. Në përgjithësi, na bindin që të sillemi në një mënyrë të caktuar. Në terma afatgjatë, kjo e përkeqëson marrëdhënien dhe e bën atë sipërfaqësore.
3- Nevoja për t’u dukur superiorë
Njerëzit manipulues nuk mund të durojnë dikë që të spikasë, nëse nuk janë ata vetë. Për këtë arsye do bëjnë gjithçka që të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Nëse është e nevojshme, nuk do të mendojnë dy herë për ta bërë tjetrin të ndihet keq për të rënë më shumë në sy.
Për shembull, nuk është e pazakontë t’i dëgjosh të kritikojnë të tjerët në mënyrë të mbuluar. Në terma afatgjatë, kjo mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të pasigurt kur duhet të ndërveprojnë me një manipulues.
Nga ana tjetër, nëse mendojnë se dikush në një grup po u vjedh protagonizmin, manipuluesit priren të ndihen keq. Për shkak të kësaj, ata do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të tërhequr sërish vëmendjen e të tjerëve. Ata do të tregojnë një histori, do të flasin me një ton më të lartë zëri, do të pengojnë fizikisht, etj.
4- Zilia
Një karakteristikë tjetër kryesore e njerëzve manipulues është se ata nuk mund të durojnë kur të tjerët kanë sukses aty ku nuk e kanë arritur vetë. Kjo ka të bëjë me nevojën për të qenë superiorë, por shkon përtej kësaj.
Kur një mik arrin një qëllim, gjëja normale do të ishte të gëzohesh për të dhe ta përgëzoje. Një person manipulues, nga ana tjetër, do të ndiejë shumë zemërim kur të shohë se dikush ia ka arritur qëllimit. Për këtë arsye, nuk do të mendojë dy herë për ta kritikuar, për të nënvlerësuar rëndësinë e asaj që ka ndodhur, për t’u distancuar etj.
Si të silleni me njerëzit manipulues?
Të jetosh me një person manipulues mund të jetë vërtet e vështirë. Në përgjithësi, marrëdhëniet e tyre me të tjerët janë toksike; niveli i shqetësimit do të varet nga sa të theksuara janë këto sjellje.
Në praninë e një individi të tillë, ka vetëm dy sjellje të mundshme: pranoje atë dhe përpiqu të minimizosh dëmin ose shkëputi plotësisht lidhjet. Të dyja opsionet janë krejtësisht të zbatueshme, por ju duhet të kuptoni se çfarë po ndodh në të vërtetë në mënyrë që të merrni vendimin e duhur.
Gjëja më e rëndësishme është të dini se si të vendosni kufij të caktuar. Nëse dikush po ju manipulon ose ju bën të vuani për t’ju mposhtur dhe për të dalë vetë mëlart, a ia vlen vërtet ta lini të qëndrojë në jetën tuaj? / bota.al