Psikologji

Nuk ke motivim për të shkuar në palestër, apo për të bërë aktivitet fizik? Ja çfarë të këshillojmë

A po vuan të gjesh motivimin e duhur për të nisur palestrën, apo për të bërë aktivitet fizik? Epo nuk je personi i vetëm. Ka plot të tillë që mund të lodhen në punë, të kenë fëmijë të vegjël, apo të mos duan të ndihen akoma më të lodhur prej palestrës. Motivimi humbet kur jeta bëhet e vështirë, apo kur nuk ndiqet një plan rutinë. Por cilat janë këshillat që ne ju kërkojmë të keni parasysh për të qenë më të motivuar rreth aktivitetit fizik?

  1. Lidheni aktivitetin fizik me një kënaqësi që doni të arrini.
    Duke menduar për aktivitetin fizik, apo për palestrën, me siguri mendoni vetëm lodhjen, por nuk është vetëm lodhja rezultati. Ju dëshironi të humbni peshë, apo të keni një trup me forma. Mendoni pikërisht për rezultate të tilla, apo nëse keni në mendje një person, format e të cilit doni të arrini, mendoni për atë gjë. Lidhini ushtrimet dhe lodhjen me rezultate të tilla pozitive.
  2. Kuptoni se çfarë pëlqeni.
    Me siguri palestra të duket e mërzitshme, teksa mendon se për të rënë në peshë duhet të bësh 20-30 minuta vrap në pistë, të paktën tri herë në javë. Palestra nuk ka vetëm pistën. Për të rënë në peshë ka edhe plot pajisje të tjera, si dhe mund të ndjekësh kursin e crossfit, apo aerobisë. Provoni ushtrime dhe kurse të ndryshme, derisa të kuptoni se çfarë pëlqeni realisht dhe ndiqni atë gjë.
  3. Kërkoni për një partner që t’ju shoqërojë.
    Edhe vrapi nga liqeni duket i mërzitshëm pa pasur dikë pranë që të të mbajë me muhabet, apo të të motivojë. Njësoj funksionon edhe me ushtrimet e tjera fizike, apo me të shkuarit në palestër. Është mirë të gjeni dikë që t’ju shoqërojë dhe t’ju motivojë për të dhënë maksimumin, apo për të mos u ndalur edhe pse ndjeni lodhje.
  4. Bëni kujdes me dietën.
    Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë njerëzit, është se nuk bëjnë ndryshime në dietë duke menduar se janë duke bërë aktivitet fizik dhe do t’i humbasin më shpejt kaloritë. Pjesërisht kjo gjë është e vërtetë, por në kushtet kur keni synim rënien në peshë, duhet të mendoni se me aktivitetin fizik duhet të digjni përveç kalorive që merrni, edhe sasinë e indit dhjamor që keni depozituar. Kjo gjë arrihet më lehtë duke reduktuar kaloritë që merrni, për t’i dhënë mundësi djegies së indit dhjamor të depozituar. Bëni ndryshime në dietë, ushqehuni shëndetshëm dhe do të shihni padiskutim rezultate pozitive.
  5. Bëni ndryshime në rutinën tuaj.
    Shpesh ne ndjekim një rutinë të caktuar dhe nuk bëjmë ndryshime në të. Kjo ndodh shpesh për shkak se jemi mësuar duke bërë përherë të njëjtat gjëra. Por kjo sjell me vete dhe mërzitjen, pasi duke bërë përherë të njëjtat gjëra, rutina bëhet e mërzitshme. Mundohu të ndryshosh diçka, më e mira është të lësh hapësirë për aktivitetin fizik. Nëse e ke nisur palestrën, mos bëj përherë të njëjtat ushtrime. Në çdo ditë të javës, bëj ushtrime për një grup muskujsh dhe këto përsëriti një herë në javë. Në mënyrë të tillë, edhe vajtja në palestër nuk do të duket e mërzitshme.
Back to top button