FilozofiMAIN

Optimisti Thomas Hobbes

John Gray*

Kur Thomas Hobbes e përshkroi jetën në gjendjen e natyrshme si “vetmitare, të varfër, të shpifur, të shëmtuar dhe të shkurtër”, ai shkroi një prej fjalive më të famshme në gjuhën angleze. Filozofi i shekullit 17 thoshte se “pa një fuqi të përbashkët që t’i mbajë të frikësuar”, qeniet njerëzore bien në gjendjen natyrore – një gjendje luftërash anarkike dhe grabitjesh e paligjshmërie.

Analiza e Hobbes jehon fuqishëm sot, ku shtetet po dështojnë në shumë pjesë të botës, duke lënë pas kaos dhe krim. Gjithnjë e më shumë, vizioni i tij pesimist duket i përligjur tek rënia e madhe e sigurisë, që u duhet qenieve njerëzore në përditshmërinë e tyre.

E megjithatë, paradoksalisht Hobbes ishte edhe optimist. Duke përdorur arsyen, besonte ai, qeniet njerëzore mund të ngrihen mbi konfliktin shtazarak. Njerëzimi mund të gëzonte atë që ai, në kryeveprën e tij “Leviatani” (1651) e quante “jetesa komode” – një jetë e qytetëruar, në paqe, begati dhe kulturë, përmes një kontrate sociale që do të krijonte një sundimtar të cilit të gjithë do i bindeshin. Pushteti që ata do të krijonin – që mund të ishte një mbret apo një ansamble republikane – do të ishte i pakufi në fuqitë e veta, dhe nëse sovrani do të dështonte në mbrojtjen e qytetarëve të vet, ai mund të përmbysej. Duke u fokusuar tek individët dhe mirëqenia e tyre, Hobbes ishte liberal, ndoshta i vetmi që ia vlen të lexohet sot.

Mendimi i Hobbes se konflikti është gjendja e paracaktuar njerëzore ka shumë mësime për të na dhënë. Njëri është që, rrëzimi i tiranëve nuk siguron lirinë. Në Irak dhe më vonë në Libi, perëndimi imponoi ndryshim regjimi, me besimin se do të shpinte në demokraci. Rezultati në të dy rastet ishte shpërbërja e shtetit. E vërteta të cilën na e kujton Hobbes, është se politika nuk përbën një zgjedhje binare, midis lirisë dhe tiranisë.

Hobbes na ndihmon të kuptojmë edhe transformimet në demokracitë gjatë shekullit 21. Në një njëpasnjëshmëri krizash, qeveritë kanë kaluar nga pretendimet për zgjerimin e lirive njerëzore, tek premtimet për mbrojtja nga rreziqet. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe kriza ekonomike e vitit 2008 sollën zgjerimin e kompetencave të qeverive perëndimore, në nivele që nuk ishin njohur qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Procesi vazhdoi me politikat e zbatuara gjatë pandemisë së COVID-19. Shteti mori përgjegjësi për shëndetin fizik dhe mendor të popullatës. Jo liria, por siguria është bërë imperativi kryesor. Duke u kursyer qytetarëve ankthet që vijnë me lirinë e mendimit, Levatianët e rinj që janë shfaqur në Perëndim kanë disa ngjashmëri me shtetet totalitare të shekullit të kaluar.

Nga një këndvështrim, Hobbes mund të lexohet si një liberal që hedh dritë mbi humbjen e lirisë në kohën tonë. Nga një tjetër, ai thekson disa mangësi themelore të liberalizmit. Ai synonte të themelonte autoritetin e shtetit mbi një moral minimal që mund të pranohej nga të gjithë. Për të kjo nënkuptonte trajtimin e vetëruajtjes si vlerë supreme. Impulsi mbizotërues njerëzor nuk ishte dashuria për pushtetin, por frika nga vdekja – mbi të gjitha, vdekja nga duart e qenieve të tjera njerëzore. Hobbes e dinte se njerëzit janë gati të vdesin për krenarinë dhe reputacionin. Megjithatë, ai ishte i bindur se shtytja për të shmangur një fund të dhunshëm ishte mjaftueshëm e fortë, për të mposhtur impulset e tjera njerëzore dhe për të mbështetur një sovran që ofronte paqe.

Edhe në kohën e Hobbes, ky ishte padyshim një vizion tepër optimist. Luftërat fetare treguan njerëz që vdisnin për besimet e tyre, dhe kamikazët vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot. Këta besimtarë besojnë në një jetë të përtejme, por shumë prej atyre që kanë vdekur për besimet e tyre nuk e kanë pasur një besim të tillë. Qeniet njerëzore nuk e vlerësojnë mbijetesën mbi të gjitha gjërat e tjera. Ajo që ata kërkojnë është një jetë që ka kuptim për ta.

Në një pjesë të Leviathan-it që studiohet rrallë, Hobbes shkroi për “privilegjin e absurditetit, të cilit nuk i nënshtrohet asnjë krijesë e gjallë, por vetëm njeriu”. Ai vazhdoi të dallonte shtatë lloje të absurditetit ndaj të cilave qeniet njerëzore janë të prirura. Të gjithë ata kanë të përbashkët gabimin e trajtimit të termave abstrakte, sikur të pasqyronin entitete ekzistuese. Ndryshe nga kafshët e tjera, njerëzit vdesin (dhe vrasin) për hir të fjalëve.

Hobbes nuk arriti ta pranonte këtë të vërtetë në teorinë e tij politike, por kjo nuk është befasuese, sepse shkatërroi bazën e optimizmit të tij. Edhe pa prirjen e tyre për absurditet, është e vështirë të shihet se si qeniet njerëzore mund ta nxjerrin veten nga gjendja natyrore e Hobbesit. Si mund t’u besojnë të tjerëve – aq më pak sovranit të plotfuqishëm – për të mbajtur premtimet e tyre?

Hobbes ishte shumë optimist. Paradoksi i fundit i filozofisë së Hobbes-it është se ai tregoi që qeniet njerëzore, në fund, nuk sundohen nga frika, por nga nevoja për kuptim që i bashkon ata, edhe pse i çon në konflikt. / TIME – Bota.al

  • Autor i “Levatianët e rinj”
Back to top button