“The Economist”
Imagjinoni një investim që do të garantonte një rikthim të fitimeve në masën 17.900 për qind në vetëm4 vjet. Apo më mirë akoma, që shpenzimi fillestar do të ishte lehtësisht i përballueshëm. E kush nuk do ta shfrytëzonte një mundësi të tillë?
Përgjigja:me sa duket ata janë udhëheqësit e G7-ës, një klub i demokracive të pasura që po mban këtë javë samitin e tij vjetor. Duke dështuar që të veprojnë mjaftueshëm shpejt për të vaksinuar gjithë banorët e botës kundër Covid-19, ata po humbasin shansin e shekullit.
Kjo nuk është thjesht marrëzi ekonomike, por është një dështim moral dhe një katastrofë diplomatike. Në kushtet ku gjendemi, qasja e G7-ës është vërtet shqetësuese. Kryeministri britanik Boris Xhonson, që është njëherazi organizator i samitit, dëshiron që G7 të dhurojë1 miliardë doza vaksinash anti-Covid.
Vetëm Amerika ka në plan tëdhurojë500 milionë doza. Presidenti amerikan Xho Bajden, thotë se vizita e tij në Evropë, udhëtimi i parë jashtë vendit i presidencës së tij, synon të provojë se Amerika dhe aleatët e saj kanë më shumë për t’i ofruar botës sesa vendet si Kina dhe Rusia.
Prioriteti i tij, shkroi ai në një artikull shkruar kohët e fundit në “The Washington Post”, është “t’i japë fund kësaj pandemie”. Sado bujar që tingëllon diskutimi mbi donacionet, në realitet ky plan është koprrac. Britania, që ka porositur 5 herë më shumë doza se sa ka nevojë, vetëm tani ka nisur që të dhurojë gjithçka.
Ndërkohë COVAX, projektit ndërkombëtar për të siguruar vaksina për vendet më të varfra, i mungojnë miliarda doza në raport me planin që kishte. Nëse G7-a bën diçka më pak sesa financimi i plotë i këtij programi, me një plan të qartë për dorëzimin e parave dhe flakonëve, do të ishte një dështim.
Për të vaksinuar afro 70 për qind të popullsisë së planetit deri në muajin prill, FMN llogariti se do të duheshin vetëm 50 miliardë dollarë. Përfitimi ekonomik deri në 2025, në terma të rritjes së prodhimit global, do të ishte 9 trilionë dollarë, për të mos përmendur miliona jetë që do të shpëtoheshin.
Kostoja e vaksinimit global është sa 0.13 për qind e PBB-së së vende të G7-ës, pra një e pesta e shumës që janë zotuar të japin anëtarët e saj çdo vit duke ndihmuar vendet e tjera. Nëse një grup i krijuar enkas për të luftuar me kërcënime të mëdha ndërkombëtare, nuk mund të vendosë dot për të ndërmarrë një investim kaq minimal në emër të njerëzimit, atëherë për çfarë duhet të ekzistojë?
Në artikullin e tij në “The Washington Post”, Bajden e pranon se reputacioni i Amerikës mbi zgjidhjen e problemeve globale, ka pësuar një goditje të fortë vitet e fundit, dhe se shtetet autoritare si Kina dhe Rusia paraqesin një sfidë të madhe për rendin perëndimor.
Megjithatë Amerika dhe aleatët e saj,e kanë pasur shumë të vështirë muajt e fundit që të paraqiten në një front të bashkuar para autokratëve të botës. Bashkimi Evropian nënshkroi një marrëveshje investimi me Kinën pak përpara se zoti Bajden të merrte zyrtarisht detyrën, duke e shqetësuar jo pak presidentit të ri të SHBA-së.
Ndërkohë, Gjermania duket se është e vendosur të ndihmojë Rusinë,përmes zgjerimit të një gazsjellësi që importon gazin rus. Xho Bajdenit i pëlqen të theksojë se “Amerika është rikthyer” në skenën globale. Pavarësisht retorikës optimiste, disa nga veprimet e administratës së tij – në veçanti dekreti me titull “Bli produktet amerikane”, që e detyron qeverinë federale të favorizojë më shumë furnizuesit vendas sesa ata të huaj – i ngjajnë më shumë proteksionizmin të Trump “Amerika e Para” sesa një internacionalizmi të ri.
Bota pret më shumë prova praktike të ri-angazhimit të Amerikës në botë, dhe mbi aftësinë e saj për të mbajtur pranë aleatët. Besueshmëria e udhëheqjes amerikane është jetike jo vetëm për luftën kundër pandemisë. Ajo do të jetë thelbësore për një provë edhe më të madhe globale në horizont:ballafaqimi me ndryshimet klimatike.
Pas 4 vjetësh kur Amerika dukej shpesh më e interesuar ta shpërfillte sesa ta ndihmonte botën, vaksinat i sigurojnë asaj mjetet ideale për të rehabilituar imazhin e vet. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj shfaqën aftësi të mëdha teknologjike duke zhvilluar disa vaksina shumë efektive, dhe duke e rritur në një kohë rekord prodhimin e tyre.
Prandaj, ata kanë diçka të prekshme dhe urgjentisht të nevojshme për t’ia ofruar pjesës tjetër të botës. Bajden nuk ka gjasa të ketë një shans më të mirë për të demonstruar përfitimet e udhëheqjes amerikane dhe fuqinë e demokracisë dhe tregjeve të lira. Të sigurosh që pjesa tjetër e botës të vaksinohet sa më shpejt që të jetë e mundur, do të ishte një “vaksinë”edhe për Amerikën dhe aleatët e saj. / The Economist – Bota.al