BotaMAIN

Po fryjnë erëra lufte në Evropë

Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen ka deklaruar se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda tre deri në pesë vitesh. Ai nuk është i vetmi. Që në dhjetor, kolegu i tij gjerman, Boris Pistorius, u kishte kërkuar evropianëve të forconin aftësitë ushtarake, pasi Vladimir Putini, gjithnjë e më shumë në gjendje luftarake, mund të hapte një konflikt kundër Aleancës Atlantike, në më pak se një dekadë.

Kreu i shërbimeve të inteligjencës estoneze dha gjithashtu një alarm të ngjashëm, duke tërhequr vëmendjen për faktin se industria ushtarake ruse po funksionon me kapacitet të plotë dhe e vendos Kremlinin në një pozicion jo vetëm për të vazhduar luftën në Ukrainë deri në një fund të hidhur, por edhe për të imagjinuar hapjen e një fronti tjetër. Në Francë, qeveria ka nisur një përpjekje rekrutimi në aviacion, i shpallur si një profesion normal për të ardhmen.

Mbretëria e Bashkuar

Dhe muajin e kaluar, gjenerali Patrick Sanders, kreu i Forcave të Armatosura Britanike, i kërkoi qeverisë së Madhërisë së Saj që të “mobilizojë kombin” për t’u përgatitur për një luftë me Rusinë. Për sa u përket liderëve politikë dhe ushtarakë të Suedisë, e cila pas sulmit rus kundër Kievit vendosi të heqë dorë nga neutraliteti dyshekullor dhe është gati të bashkohet me NATO-n, sipas shembullit të Finlandës, ftoi qytetarët të “përgatiten mendërisht për luftë”.

Lufta është kthyer mes nesh. Pasi Putini e nisi ​​atë duke pushtuar një vend sovran, nuk është më vetëm një hipotezë teorike. Dhe skenari që një lider I Kremlinit, i cili, pas Ukrainës, shpall synimet e tij ekspansioniste kundër një kombi tjetër evropian, është gjithnjë e më shumë në reflektimet e politikanëve dhe në bisedat e diplomatëve dhe ekspertëve.

Deklaratat e ish-presidentit amerikan dhe ndoshta të ardhshëm, Donald Trump, i cili në rast të një sulmi rus kërcënon se nuk do të ndërhyjë për të ndihmuar Evropën nëse ajo nuk shlyen borxhet e supozuara, lënë të kuptohet për një dyshim dramatik dhe ekzistencial, i cili sipas sekretarit të NATO-s Jens Stoltenberg “minon sigurinë e të gjithëve”.

Dhe pasiguria mbi rezultatin e zgjedhjeve në SHBA sjell një debat, I cili në të vërtetë nuk është më I shmangshëm, cilido që të hyjë në Shtëpinë e Bardhë pas më pak se një viti.

Çehovi thoshte se, nëse në aktin e parë të një vepre teatrale shihet një pushkë e varur në murë, në aktin e tretë ajo do të shkrepet. Dhe është fakt që në këtë moment, muret imagjinare të skenës evropiane janë të mbushura me armë. Micael Johansson, kreu I Saab, një prej grupeve më të mëdhenj evropianë të mbrojtjes, thotë se sot Rusia është në gjendje të prodhojë mes 4 dhe 5 milionë predha artilerie në vit, më shumë se dhjetëfishi i sasisë që mundet të prodhojë Evropa. “Edhe ne po investojmë, po a mjafton?”,ka shkruajtur Financial Times, duke shpjeguar se “qeveritë evropiane nuk po arrijnë të kuptojnë se sa rrugë duhet të bëjmë për të patur aftësi frenuese dhe rimëkëmbëse, kundër rrezikut që vjen nga Lindja.

Ndërkohë që Vlad Georghita, shefi i forcave të armatosura rumune, paralajmëron që, nëse Putini do të kishte sukses në Ukrainë, objektivi i ardhshëm do të ishte Moldavia dhe Ballkani perëndimor. “Rusia nuk do të ndalet këtu dhe mendoj që përshkallëzimi do të ndodhte shpejt”.

Fryma e kohës të shpie drejt mobilizimit. Në 30 janar Gjermania, Vendet e Ulëta dhe Polonia firmosën një marrëveshje për të ndërtuar lidhje të reja hekurudhore për përdorim të dyfishtë, në gjendje të sigurojnë një transport më të shpejtë dhe efikas të njerëzve dhe materialeve, nga portet e Detit të Veriut për në kufijtë lindorë të Evropës.

Një javë më parë, Komisioni Evropian kishte akorduar 800 milion Euro për të financuar 38 projekte mobilizimi ushtarak në dhjetë vende të BE. Por jemi ende tek logjistika.

Në Konferencën për Sigurinë, e mbajtur fundjavën e kaluar në Bavari, domosdoshmëria që evropianët të përgatiten për një mundësi konflikti të armatosur dominoi skenën. Megjithatë, sipas shumë pjesëmarrësve, aty mungonte sensi i urgjencës. “Pati mungesë qartësie për rrugën që duhet bërë, nuk pashë një demonstrim të një solidariteti evropian”, deklaroi Steven Sokol, i American Council on Germany.

Asnjë iluzion

Siç shpjegon ish ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, “rikthimi i luftës në kontinentin tonë e vendos sigurinë e përbashkët para gjithçkaje tjetër”. E zënë midis një Rusie imperialiste dhe një Amerike gjithnjë e më izolacioniste, “Evropa duhet të ketë një zgjim në realitet, të përgatitet këtu dhe tani për skenarin më të mirë të mundshëm”.

Kjo do të thotë as më shumë dhe as më pak, se sa një “riarmatim i koordinuar për të rritur në mënyrë dramatike kapacitetin tonë për mbrojtje dhe frenim, duke përfshirë një mburojë të përbashkët bërthamore”.

Të mos kemi iluzione, qorton Fischer, “secili në mënyrën e vet, Putini dhe Trumpi do të na detyrojnë për një ndryshim themelor dhe historik të paradigmës”.

Ursula von der Leyen, e cila dje u bë kandidate zyrtare nga CDU gjermane për një mandat të ri në krye të Komisionit Evropian, premtoi se, nëse do të rikonfirmohet, do të emërojë një Komisioner për Mbrojtjen. Por a është vërtetë ai që kërkohet? / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button