Psikologji

Si të ndërtojmë një botë të brendshme të pasur dhe ushqyese

Botën përreth nesh mund ta ndjejmë të lodhshme herë pas here. Ka kaq shumë probleme dhe sfida, kaq shumë stres dhe shqetësime, sa që bëhet e vështirë për t’u përballuar. Na duhet të jemi pjesë e botës dhe të angazhohemi me të për të kontribuar në përmirësimin e saj – dhe për ta bërë këtë, duhet të përjetojmë si sfidat, ashtu edhe momentet e gëzueshme. Megjithatë, duhet gjithashtu të jemi të vetëdijshëm për nevojën për kufij dhe pushim.

Për një shëndet mendor dhe emocional të mirë, duhet të balancojmë të qenit të pranishëm dhe proaktivë me ndjesinë e ikjes nga përditshmëria.

Ikja nga përditshmëria ndonjëherë shihet si diçka e keqe, egoiste apo e papërgjegjshme, por është thelbësore. Ajo i lejon mendjet dhe sistemet tona nervore të kenë hapësirë për t’u rimbushur, për të gjetur qartësi dhe, për rrjedhojë, zgjidhje. Na ndihmon gjithashtu të shohim anët pozitive mes sfidave dhe të reagojmë me qetësi, në vend që të përgjigjemi impulsivisht.

Na duhet të krijojmë një botë të brendshme, një vend ku mund të strehohemi kur bota e jashtme bëhet shumë e vështirë – por çfarë duhet të përfshijë kjo botë e brendshme, dhe si mund ta ndërtojmë?

Kujdesi për veten

Kur praktikojmë kujdes vetiak të mirë, kemi mundësinë të zhvendosemi në botën tonë të brendshme. Kur flemë, shkenca na tregon se truri ynë përpunon atë që na ka ndodhur gjatë ditës, ëndërrojmë dhe punojmë përmes emocioneve dhe mendimeve tona. Kur lëvizim trupin dhe ushtrohemi, largohemi nga mendimet tona. Kur meditojmë, gjithashtu “ikim” nga vërtitja i pandërprerë i mendimeve tona.

Marrëdhëniet

Të ndihesh i dashur dhe të duash dikë tjetër, ose të lidhesh ngushtë me të tjerët, ndihmon të ndërtosh një botë të brendshme të sigurt dhe qetësuese. Kur kemi një marrëdhënie domethënëse ku ndjehemi të vlerësuar, jemi më të prirur të kuptojmë veten tonë. Mendoni për një moment kur dikush që e doni ju përqafon – në atë çast, bota e jashtme thjesht zhduket.

Mirënjohja

Edhe nëse bota e jashtme duket e ashpër dhe e trazuar, mund të kultivojmë ndjenjën e mirënjohjes në botën tonë të brendshme. Shkenca na tregon se praktika e mirënjohjes dhe vënia re e gjërave të vogla që shkojnë mirë na bën të ndihemi më të lumtur. Në botën tuaj të brendshme, vini re në çdo moment ato gjëra për të cilat jeni mirënjohës.

Magjepsja

Një mënyrë për të “ikur” në botën tuaj është të kultivoni ndjesinë e magjepsjes. Si fëmijë, mbushemi me magjepsje kur përjetojmë gjëra të reja. Me kalimin e viteve, harrojmë ta kultivojmë këtë ndjenjë. Ka kaq shumë mënyra të vogla për të krijuar mister dhe mahnitje. Leximi, shikimi i filmave, dëgjimi i muzikës ose shkrimi mund të jenë disa tema. Ose, të dilni në natyrë është një nga mënyrat më të mira për ta lënë mendjen të endet. Dhe gjithmonë ekziston ëndërrimi me sy hapur – harroni çdo logjikë dhe thjesht lini imagjinatën të marrë krahë. / bota.al

Back to top button