Psikologji

Si të zotërojmë artin e komunikimit

Nga Susan Rooks

Secili prej nesh është 100 për qind unik, madje edhe binjakët apo trinjakët. Ndërsa ADN-ja e tyre mund të jetë thuajse e njëjtë, ata nuk janë klone absolute të njëri-tjetrit. Prandaj ka ende disa variabla që i bëjnë ata unikë, edhe nëse nga jashtë duken jashtëzakonisht të ngjashëm.

Po ne të tjerët? Ne jemi të gjithë të ndryshëm, duke nisur nga ADN-ja jonë, madhësia fizike, ngjyra e lëkurës, origjina… gjithçka. E megjithatë, shumë shpesh, mënyre se si ne ndërveprojmë tregon se e shohim botën ashtu siç e shohin të gjithë. Megjithëse përdorim terma që janë të kuptueshme për të gjithë, shkruajmë ashtu siç do të donim t’a shihnim atë, shpeshherë habitemi kur zbulojmë se dikush tjetër na ka “keqkuptuar” kur mendonim se ishim tërësisht të qartë!

Jam i sigurt që shumica prej nesh mund të kujtojë të paktën një herë – qoftë në fushën personale apo atë profesionale – kur jemi keqkuptuar apo nuk jemi kuptuar siç duhet me dikë tjetër. A ia hodhëm fajin tjetrit, të sigurt se ne nuk mund të kishim bërë një gabim të tillë? A morëm përsipër t’i rregullonim gjërat? A morëm kohë për të mësuar prej kësaj apo thjesht ecëm përpara si të mos kishte ndodhur asgjë?

Suksesi bazohet në shumë faktorë dhe njëri prej tyre është komunikimi i qartë, i qartë si për dërguesin po ashtu edhe për marrësin. Në rast se nuk mund të jemi të qartë, mund të krijojmë përshtypjen e një njeriu me të cilin është e vështirë të merresh vesh. Dhe kujt i duhet kjo?

Ja cilat janë 3 mënyra për të forcuar aftësitë tuaja të komunikimit, të cilat do t’ju japin më shumë rezultatet, dhe do t’ju ndihmojnë të dukeni dhe të tingëlloni si dikush që të tjerët duan ta kenë pranë.

1. Përdorni një gjuhë të thjeshtë

Shumë nga ne preferojnë që të përdorin një gjuhë të sofistikuar. Por nuk është e nevojshme që ta bëjmë këtë, veçanërisht në terma ekonomike. Një gjuhë e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme funksionon më mirë në shumicën e rasteve.

2. Jini të qartë për afatet tuaja kohore

Hiqni dorë nga termat si “së shpejti”, “më vonë” dhe sidomos “sa më shpejt që të jetë e mundur”, shpeshherë përdorimi i këtij termi ka çuar në rezultate të papritura. Pasi ju mund të mendoni se kjo kohë mund të bëhet “deri nesër në orën 5”, por tjetri mund të mendojë “kur duhet të jem prezent”.

Të mos qenit të qartë në komunikim, mund të sjellë një bisedë të ashpër më tej, për shkak se diçka realizohet më shpejt apo më vonë. Ja një shembull. Ditët e fundit një grup mori këtë mesazh: “Nëse nuk ua kemi dërguar të gjithëve rregulloren e re, atëherë duhet ta bëjmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur!”.

Personi përgjegjës për dërgimin e gjërave e bëri këtë brenda një ore. Por qëllimi i shënimit ishte vetëm të zbulonte nëse e kishim dërguar tashmë rregulloren e re. Nëse nuk do ta kishim bërë, atëherë do ta bënim këtë me një shënim që shpjegonte pse po dërgohej tani”.

“Komunikimi është pushtet. Ata që e zotërojnë përdorimin efektiv të tij mund të ndryshojnë përvojën e tyre me botën dhe përvojën e botës me ta. Të gjitha sjelljet dhe ndjenjat mbartin në rrënjët e tyre origjinale një formë komunikimi”- Toni Robins.

3. Përforcojeni sjelljen e kërkuar

Shumë prej nesh kanë dëgjuar të tjerët (ndoshta edhe veten?) të thonë: Mos harroni të … bëni çfarëdolloj gjëje që doni. Por sa herë personit të cilit i është thënë e ka bërë menjëherë këtëe? Keni harruar ta bëni këtë? Por megjithatë ata në fakt po bënin pikërisht atë që dëgjuan, e cila ishte dhe folja e gabuar.

Foljet janë fjalë të fuqishme, që shpesh tregojnë veprim, dhe truri ynë u përgjigjet atyre shumë mirë, edhe pse në disa raste gabimisht. Vite më parë, pashë një grua të re në një pishinë të bënte diçka që mendoja se ishte e jashtëzakonshme. Fëmijët e saj, së bashku me disa të tjerë po vraponin – gjë që është e rrezikshme në një pishinë – dhe në vend se t’u thoshte “Fëmijë! Ndalni vrapin!” ajo u thirri: “Fëmijë! Ju lutem ecni ngadalë!”.

Rezultati? Fëmijët u ndalën si të ishin përplasur me një mur. Ata nisën të ecnin ngadalë. Sigurisht, duke qenë fëmijë, pas disa momentesh nisën të vraponin sërish. Dhe çdo herë, ajo përsëriste me një zë miqësor: “Fëmijë! Mos harroni të ecni!”.

U habita nga ajo sjellje, ndaj e pyeta për këtë. Ajo më tha se ishte mësuese e shkollës së mesme, dhe me kalimin e kohës kishte mësuar se t’u thoshte fëmijëve se çfarë të mos bënin, duke nxitur ata do të bënin pikërisht atë që ajo nuk donte!

Pra duke thënë “Mos vraponi!” ajo i nxiti fëmijët të vazhdonin të vraponin shumicën e kohës. Ajo mësoi të përqendrohej në rezultatin që donte – duke u thënë të uleshin, të lexonin, ose të shtriheshin për të pushuar – dhe çfarëdo që u kërkonte funksiononte.

Avantazhi tjetër e kësaj ishte se askush nuk u ndje në faj se po të bënte gjënë e gabuar. Në minutën që ne themi “Mos harroni të na dërgoni fotografi”, zëri ynë mund të tingëllojë urdhërues, veçanërisht nëse kjo është një çështje tipike. Dhe edhe nëse zëri ynë është i qëndrueshëm, është plotësisht e mundur që dëgjuesi të mendojë: “Çfarë! A është vërtet nevoja që ajo të ma thotë këtë? Kur e kam harruar ndonjëherë?”.

Stafi i linjave ajrore është ekspert për të mos thënë asnjëherë “Mos u frikësoni!” kur ndodh diçka e frikshme, si për shembull ulja e papritur e avionit qindra metra më poshtë, sepse kështu do të nxisnin tek pasagjerët panikun që ata nuk e duan.

Prandaj ata përqendrohen tek gjërat pozitive, tek rezultatet e nevojshme, duke i ndihmuar pasagjerët të qëndrojnë më të qetë, dhe e bëjnë këtë duke përdorur gjuhën e duhur. “Apel gjithë pasagjerët, ju lutem rikthehuni në vendet tuaja. Ju lutemi lidhni rripin e sigurimit dhe qëndroni ulur. Sigurohuni që të vendosni maskën tuaj përpara se të ndihmoni të tjerët”.

Pra e gjitha një gjuhë pozitive dhe konstruktive. Sigurisht, pasagjerët mund të jenë ende të frikësuar, por gjuha e përdorur nga ekuipazhi nuk po e bën atë përvojë shumë të frikshme

për shumicën. Dhe ne bëjmë atë që na thuhet; dhe as që mendojmë ta vëmë në diskutim. Komunikimi i qartë është edhe art por edhe aftësi. Me kalimin e viteve, unë kam zbuluar se kujtimi i të paktën këtyre tre ideve më ka lejuar të ndërtoj lidhje më të forta dhe më pozitive midis vetes dhe të tjerëve.

Shënim:Susan Rooks, themeloi në vitin 1995 “Grammar Goddess Communication” për të ndihmuar profesionistët e biznesit të forcojnë aftësitë e tyre të komunikimit. Ajo ka botuar shumë libra të vlerësuar me çmime. / “A2Successs” – Bota.al

Back to top button