Ukrainë – Rusi: Raundi i fundit

Ukrainë-Rusi: Shi dronësh, luftë hibride kundër vendeve europiane dhe riarmatim i përshpejtuar; situata të vështira politike të brendshme, me popullsitë përkatëse të trazuara. Zelensky dhe Putin janë në aktin final të një përballjeje shumë të ashpër. Një luftë – në pritje të negociatave – nga e cila do të varet vetë ekzistenca e tyre.

Ukrainë-Rusi

Për të provuar të imagjinojmë se çfarë po ndodh mes Kievit dhe Moskës, por edhe për të kuptuar nëse kërcënimet e Vladimir Putinit ndaj Europës – që sot marrin pamjen e disa dronëve të gjetur në aeroportin e Lajpcigut, në Gjermani – janë serioze, ia vlen ta kthejmë shiritin pas dhe të ndalemi te Caesars Palace në Las Vegas. Atje, gjysmë shekulli më parë, u përballën George Foreman dhe Ron Lyle: dy pesha të rënda. Në raundin e katërt Lyle e rrëzon Foremanin, i cili ngrihet dhe, nga ana e tij, e dërgon kundërshtarin në tapet; por vetëm tre sekonda para gongut, Foreman rrëzohet sërish në mes të ringut. E shpëton numërimi. Në raundin e pestë Lyle hidhet si i tërbuar mbi Foremanin, i cili reziston dhe, në minutën 2 e 28 sekonda, e godet me një breshëri grushtesh Lyle-in, i cili rrëzohet.

Muajt e ardhshëm do të vendosin se kush, mes Volodymyr Zelenskyt dhe Vladimir Putinit, është Foremani dhe kush Lyle-i: ashtu si në Las Vegas, vetëm njëri do të mbetet në këmbë.

Sigurisht, në këndet përkatëse ka nga ata që brohorasin për humbjen jo të kundërshtarit, por të njeriut të tyre. Lufta, e zhvilluar kryesisht me dronë dhe sulme kibernetike, e ka dobësuar forcën e dimrit, por nuk përjashton aspak goditjet e ulëta. Më i ekspozuari ndaj “zjarrit mik” është Zelensky, i cili duhet të përballet me një krizë serioze besueshmërie. Nga ana tjetër, në Moskë fryjnë erëra nëntokësore kundërshtimi ndaj Carit, por nëse Perëndimi ushqen iluzionin se, po të hiqet qafe Vladimir Putini, do të mbizotërojnë të moderuarit, gabon.

E përjavshmja britanike The Economist e ka bërë të qartë se «Putini po i shton sulmet sepse është i bindur se, nëse humbet Donbasin, do ta varin». Prova? Nuk kalon ditë pa ndonjë sulm të së ashtuquajturës luftë hibride në kufijtë e Europës. Donald Tusk, udhëheqësi polak, këmbëngul që në buxhetin e BE-së të ketë më shumë para për mbrojtjen e krahut lindor; Friedrich Merz, kancelari gjerman, pas dronëve të zbuluar në Lajpcig – në njërin prej të cilëve kishte eksplozivin Hexogen – protestoi duke mbyllur edhe konsullatën ruse në Bon dhe mori solidaritetin e NATO-s dhe, për herë të parë, edhe të Giorgia Melonit. E megjithatë, nga Kremlini bëjnë sikur nuk kuptojnë. Duket sikur thonë: kujtoni Stream Two-n (gazsjellësin që lidhte Moskën me BE-në), të cilin ukrainasit e hodhën në erë dhe ku rusët janë përpjekur të përfshihen.

Mbetet fakti se Gjermania, për dekada e para në bërjen e biznesit me Putinin dhe e përfshirë në vitin 2019 nga vetë Volodymyr Zelensky në kërkimin e një marrëveshjeje me Moskën për Donbasin, është në gatishmëri dhe marrëdhëniet me Moskën janë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Ka nga ata që pëshpëritin se Merz po e përdor kërcënimin rus për qëllime të brendshme, për të frenuar rritjen elektorale të AfD-së dhe për të justifikuar shpenzimin prej 800 miliardë eurosh për riarmatimin.

Ashtu si dy boksierët, edhe dy presidentët në luftë kanë fate paralele. Zelensky duhet të përballet me opozitën në rritje, e cila ka gjetur një figurë te ish-protegeu i tij Mychajlo Fedorov, ish-ministër shumë i ri i Mbrojtjes, përfaqësuesi më i vendosur dhe më i lartë; Putin duhet të fillojë të bëjë llogaritë me një opinion publik të lodhur nga lufta dhe nga mungesa e grurit dhe e benzinës (një sondazh i Levada-s tregon se 57 për qind e rusëve nuk durojnë dot më) dhe me një hierarki ushtarake që do luftë totale, përfshirë përdorimin e armëve bërthamore me intensitet të ulët.

Volodymyr Zelensky e sheh mbështetjen e tij të bjerë me shpejtësi: Ukraina e tij është ende një demokraci, ndërsa zgjedhjet për Dumën në Rusi, të parashikuara për 18 shtator, kanë më shumë natyrën e një farse sesa të një zgjedhjeje. Hetimet për korrupsion kanë copëtuar rrethin e ngushtë të Pallatit në Kiev dhe njerëzit kanë filluar të pyesin nëse ia vlen të vdesësh për presidentin. Dezertimet po shtohen. Sipas së përjavshmes gjermane Die Zeit, muajin e fundit janë arratisur 80 ushtarë ukrainas që stërviteshin në Saksoni-Anhalt. Në Gjermani – dhe kjo do të justifikonte përpjekjet për sulm në Lajpcig – që nga fillimi i luftës janë trajnuar 29 mijë prej tyre, por mijëra janë arratisur, aq sa BE-ja është shtyrë të miratojë një normë sipas së cilës meshkujve ukrainas në moshë rekrutimi nuk u jepet mbrojtje ndërkombëtare.

Nënat, motrat dhe partneret e tyre, prej më shumë se një viti, mblidhen në Kiev, në sheshin Maidan – ai që vulosi ngritjen popullore të Zelenskyt – për të protestuar kundër të korruptuarve që dërgojnë burrat e tyre në front. Protestojnë edhe sepse po bëhen gjithnjë e më të varfra: paga mesatare është më pak se 600 dollarë, me një pasuri familjare që nuk arrin në 10 mijë, ndërsa ish-komediani e ka shtuar pasurinë e tij me 30 milionë.

Miqtë e tij oligarkë – Rinat Akhmetov dhe Viktor Pinchuk, pasuria e të cilëve kalon 4 miliardë dollarë – ankohen se me luftën kanë humbur 40 për qind të pasurive të tyre. Edhe mes tyre presidenti ka zgjedhur kë të shpëtojë dhe kë jo. Kundër Petro Poroshenkos – që ishte president përpara tij – ka ngritur 18 procese gjyqësore; një vit më parë, megjithatë, miratoi ligjin për shpëtimin e të korruptuarve, për të shmangur pasoja për Andrij Jermak, ortak biznesi i Zelenskyt që prej fillimit.

Ukrainasit, të zemëruar, kërkuan që të vihej drejtësia në vend. Në fund, Jermak u përfshi në hetimin Midas, një skandal prej 100 milionë dollarësh që lidhej me Energoatom, kompaninë publike të centraleve bërthamore, dhe që rrëzoi ministrin e atëhershëm të Drejtësisë dhe Energjisë, Herman Galushchenko.

Si në një matrioshkë korrupsioni, nga garancia prej 150 milionë hryvni (3 milionë euro) e paguar për ta nxjerrë nga burgu lindi një tjetër hetim: Forrest Gump. Dhe për presidentin është shkatërrues. Ai ka përfshirë Iryna Mudra-n, zëvendësministre e Drejtësisë dhe numri dy i zyrës së presidencës, e arrestuar për trafik me bankën Sense, më e fuqishmja në Ukrainë, e shtetëzuar në vitin 2023. Lista e të korruptuarve është shkatërruese po aq sa dronët rusë, edhe sepse e bën të pamundur një anëtarësim të përshpejtuar në BE. Mungon vetëm arrestimi i Timur Mindichit, njeriu që menaxhon paratë dhe sekretet e presidentit ukrainas. Thuhet se është strehuar në Izrael (ashtu si Zelensky, është me origjinë hebraike).

Por shumë di edhe Fedorov, i rekrutuar nga ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, si konsulent strategjik për teknologjinë. Kjo zgjedhje ka irrituar Kievin dhe as në Moskë nuk është pritur mirë: druhen se “djaloshi”, i cili menaxhoi të gjithë fushatën presidenciale, mund t’i japë energji të re rezistencës ukrainase. Kur, më 13 janarin e kaluar, u emërua ministër i Mbrojtjes, ai e mori drejtpërdrejt në dorë çështjen e dezertimeve: 200 mijë ushtarë të “zhdukur”. Dihet se në shumë raste kanë paguar për të shmangur frontin: ai e denoncoi këtë dhe përfundoi duke u përplasur me gjeneralët dhe duke u nxjerrë jashtë loje. Si kundërpërgjigje, ka filluar të kërkojë zgjedhjet, të cilat “babai” i tij politik ia mohon vendit. Ligji ushtarak pengon rikthimin në kutitë e votimit, edhe pse mandati presidencial ka skaduar prej dy vjetësh, por ekziston edhe frika nga sondazhet.

Sondazhi i fundit thotë se Volodymyr ka vetëm 25 për qind të mbështetjes, Fedorov 17, ndërsa gjenerali Valerij Zaluzhnyj – njeriu që ndali ofensivën e parë ruse – po e ndjek nga afër me 23 për qind. Dhe ka qenë i pari që është nxjerrë jashtë loje.

Paqëndrueshmëria e presidentit ukrainas shqetëson “aleatët”. Ursula von der Leyen vazhdon të pompojë para në Kiev: sipas llogarive, BE-ja ka derdhur tashmë 200 miliardë euro dhe 90 të tjera ia ka dhënë si hua. Suedia, Holanda, Spanja dhe Polonia këmbëngulin që tani, për të ndihmuar Kievin, të përdoren pasuritë e konfiskuara rusëve. Nga ana tjetër, nga Uashingtoni jo vetëm që ka hezitim për furnizimet e reja me armë dhe sidomos me raketat Patriot – “të gatshmit” Emmanuel Macron dhe Andy Burnham janë përpjekur të ndërhyjnë duke ofruar Storm Shadow – por po kërkohet një zgjidhje e shpejtë.

John Ratcliffe – kreu i CIA-s – ka fluturuar në Moskë për të hapur një negociatë trepalëshe: Moskë, Kiev dhe Uashington. Në të njëjtën linjë ka lëvizur Richard Gallagher, kryepeshkopi i dërguar nga Leoni XIV për të biseduar me Sergej Lavrovin, ministrin e Jashtëm dhe numrin dy të Kremlinit. Ofensiva diplomatike e Vatikanit do të vazhdojë në fund të muajit me udhëtimin në Moskë të kardinalit Matteo Zuppi. Përpjekja është të shfrytëzohen dobësitë e Zelenskyt dhe Putinit për të nisur një rrugë të mundshme drejt paqes. Edhe pse bombat vazhdojnë të bien – javët e fundit kanë qenë të egra dhe presidenti rus ka kërkuar përshpejtimin e ofensivës, dukshëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve nga pozita e forcës.

Ndjesia është se Mychajlo Fedorov ka të drejtë kur konstaton me hidhërim: «Jemi në një pikë kthese: duket se gradualisht, ngadalë, po humbasim; ka nevojë urgjente për një plan për t’i dhënë fund luftës».

Thonë se George Foreman mendoi pikërisht të njëjtën gjë mes raundit të katërt dhe të pestë, atë natë në Las Vegas. / Panorama Italia – Bota.al

Back to top button