Valët e të nxehtit nxjerrin në pah aftësinë e madhe njerëzore për të shpërfillur katastrofën

Valët e të nxehtit

Camilla Cavendish

Duke u pjekur nga vapa në pushimet në Mesdhe këto javët e fundit, kam mbetur e mahnitur nga forcat që janë përtej kontrollit tonë. Paraardhësit tanë të lashtë do t’u ishin lutur perëndive që t’i shpëtonin nga valët e të nxehtit që shkatërrojnë të mbjellat dhe nga zjarret që përfshijnë brigjet e deteve. Ne, njerëzit modernë, jemi thjesht grimca të vogla në një planet që po ndryshon, por nuk mund t’u kërkojmë ndihmë qiejve: këtë duhet ta rregullojmë vetë.

E megjithatë, edhe tani, kur rekordet e temperaturave po thyhen, kur ndryshimi i klimës është këtu dhe jo diku në të ardhmen, ne dukemi të ngrirë. Vazhdojmë jetët tona të etura për karbon: blejmë kondicionerin më të fundit, rezervojmë një tjetër fluturim, kërkojmë ngushëllim në farsën patetike të riciklimit të gjërave, që ndoshta as nuk na duheshin që në krye të herës.

Nuk është se nuk na bëhet vonë. Studime të shumta në mbarë botën tregojnë se shumica e njerëzve tashmë e marrin shumë seriozisht ndryshimin e klimës. Por përmasat e problemit mund të na zhysin në apati. Sipas psikologëve, ankthi klimatik është në rritje në shumë vende, sidomos në ato ku njerëzit po i shohin drejtpërdrejt pasojat. Kjo është një përgjigje krejtësisht racionale. Por mund të jetë edhe paralizuese.

Si mund ta shtyjmë veten drejt veprimit? Të bërtasësh “zjarr”, nuk funksionon. Nga përvoja kam mësuar se retorika apokaliptike i bën njerëzit ose të largojnë sytë, ose të ndihen të dërrmuar nga përmasat e problemit.

Studiues të Universitetit Yale testuan ndikimin e tri llojeve të ndryshme të mesazheve për klimën në 23 vende. Të flisje për ndikimin mbi brezin e ardhshëm, ta paraqisje problemin sipas parimit “ndotësi paguan”, apo ta përshkruaje përparimin në fushën e klimës, pati njëfarë jehone, të paktën te disa njerëz. Por në përgjithësi efektet e mesazheve ishin “të vogla”.

Ndryshimi i klimës nuk është më një problem informacioni; është një problem veprimi kolektiv. Edhe pse shumicës prej nesh na bëhet vonë, mund të mendojmë gjithashtu: pse duhet të bëj unë sakrifica, të heq dorë nga ai udhëtim jashtë vendit, të instaloj atë pompë të shtrenjtë nxehtësie, të ha tofu, nëse askush tjetër nuk do ta bëjë?

Një studim i qeverisë britanike zbuloi se 72 për qind e britanikëve bien dakord se mund të bëjmë ndryshime që do të ndihmojnë në reduktimin e ndryshimeve klimatike, por 35 për qind mendojnë se nuk ia vlen ta bëjnë këtë, nëse të tjerët nuk bëjnë të njëjtën gjë. Këto rezultate duhet të ndikojnë në mënyrën se si hartohen politikat publike.

Njerëzit mund të bëjnë sakrifica kolektive në një krizë. U mobilizuam kundër Gjermanisë naziste dhe Covid-19. Traktati i parë ndërkombëtar për mjedisin, Protokolli i Montrealit i vitit 1987, eliminoi gradualisht klorofluorokarburet që po dëmtonin shtresën e ozonit.

Emergjenca klimatike është, natyrisht, e një shkalle krejt tjetër kompleksiteti nga sfida e CFC-ve, e cila përfshinte një numër të vogël prodhuesish dhe kishte produkte zëvendësuese të gatshme. Por ndërsa konferencat COP për ndryshimin e klimës janë shndërruar në festa lobistësh që krijojnë përçarje, përparimi ka ardhur nga njerëz këmbëngulës dhe të vendosur. Zgjuarsia e biznesit ka sjellë burime të rinovueshme energjie gjithnjë e më efikase, si dhe përparime të mëdha në teknologjinë e ruajtjes së energjisë në bateri. As administrata Trump nuk e ka nxjerrë plotësisht nga binarët këtë përparim. Kostoja e energjisë së pastër po bie me shpejtësi.

Studimet sugjerojnë gjithashtu se të gjithë mund të jemi duke e nënvlerësuar gatishmërinë e njëri-tjetrit për të vepruar. Një studim i vitit 2022, i botuar në Nature, zbuloi se më shumë se dy të tretat e amerikanëve mbështesnin disa politika të rëndësishme klimatike, por mendonin se më pak se gjysma e bashkëqytetarëve të tyre do të ishin dakord.

Një numër studiuesish sugjerojnë se po na frenon “injoranca pluraliste” për mënyrën se si ndihen të tjerët, sepse bëhemi më pak të gatshëm të diskutojmë ndryshimin e klimës kur mendojmë, gabimisht, se jemi në pakicë. Korrigjimi i këtij perceptimi të gabuar i bën njerëzit më të gatshëm të flasin për këtë çështje dhe potencialisht edhe të veprojnë.

Nëse është kështu, mund të jetë më e lehtë nga sa mendojmë të bindim më shumë prej nesh të veprojnë për disa gjëra të thjeshta: qoftë fikja e pajisjeve elektrike në momentet kur rrjeti ka më shumë nevojë për lehtësim, qoftë reduktimi i konsumit të mishit dhe produkteve të qumështit. Ne vetë mund ta ndryshojmë normën shoqërore për këto çështje, pa ndërhyrjen e shtetit.

Votuesit mund të jenë skeptikë ndaj të gjitha pretendimeve konkurruese. Kompensimet e karbonit mund të jenë mashtruese. Politikanët nuk i heqin rregullat e trashëgimisë që pengojnë përmirësimet mjedisore të shtëpive, por na nxisin të blejmë makina elektrike të shtrenjta. Dhe politika fisnore është një pengesë e vërtetë.

Kur isha anëtare e Partisë së Gjelbër 30 vjet më parë, ishim një grup njerëzish të shqetësuar që shkruanim propozime për eficiencën energjetike në letër të ricikluar. Më pas, të Gjelbrit ranë në një obsesion kundër energjisë bërthamore, gjë që në Gjermani zgjati një varësi katastrofike nga qymyri. Tani po devijon drejt populizmit të së majtës radikale, me “aktivistë progresistë” të zhurmshëm që bezdisin shumë votues, sipas organizatave More in Common dhe Climate Outreach. Ajo që na duhet nga politikanët është pragmatizëm, jo ideologji, dhe bashkëpunim mes partive, jo luftë për të fituar pikë politike.

Ndryshimi i klimës është barazuesi i madh. Pasuria nuk mund të na mbrojë prej tij. Sigurisht, të pasurit mund të qëndrojnë më rehat se të varfrit, veçanërisht ata që përpiqen të nxjerrin jetesën nga toka e tharë. Por fatet tona dhe ato të fëmijëve tanë janë të gjitha të lidhura.

Këtë javë, në të gjithë Perëndimin, njerëzit qëndruan në parqe dhe mbi çati për të parë së bashku eklipsin. Të gjithë e dimë se qielli po ndryshon. Duhet të ndalojmë së prituri që dikush tjetër ta prishë magjinë dhe të fillojmë të bëjmë gjërat që e dimë se duhet t’i bëjmë. / Financial Times – Bota.al

Back to top button